Artistët sjellin këngën “Imagine” përmes një video-kolazhi inspirues (VIDEO)

19 Mars, 2020 - 4:00 pm

Ylli i filmave “Wonder Woman”, Gal Gadot e ka realizuar një video-kolazh të këngës hit të John Lennoit, “Imagine”, në shenjë solidariteti me situatën e fundit në botë, të cilën e ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Në videon e postuar në Instagram, Gadot fillon ta interpretojë këngën e njohur të Lennonit të vitit 1971, dhe më pas shoqërohet nga yje të ndryshëm të showbizit si, Will Ferrell, Jamie Dornan dhe Natalie Portman.

Ylli i filmave të bazuar në librat komik “DC Comics”, e ka treguar se ka gjashtë ditë që është vetizoluar, dhe përhapja globale e kësaj sëmundjeje e ka shndërruar në filozofe, transmeton Koha.

Përveç Ferrellit, Dornanit dhe Portmanit, ndër yjet e tjerë të cilët kanë shprehur gatishmëri të bëhen pjesë e kësaj videoje janë: Zoe Kravitz, Chris O’Dowd, Sia, Pedro Pascal, Eddie Benjamin, Leslie Odom Jr, Lynda Carter, Ashley Benson, Norah Jones, Jimmy Fallon, Cara Delevingne, Kaia Gerber, Labrinth, Annie Mumolo dhe Maya Rudolph.

Ndër të tjera, Gadot ka shpjeguar se inspirimin për ta realizuar këtë kolazh e ka marrë nga një video virale nga Italia, shteti i cili po vazhdon të qëndrojë izolim të plotë, ku shihet një burrë duke e interpretuar këngën “Imagine” në trombë, teksa shoqërohet nga këndimi i fqinjëve nga shtëpitë e tyre.

Përhapja e koronavirusit nëpër Amerikë, ka bërë që kryebashkiaku i New Yorkut, Bill de Blasio të lëshojë urdhër zyrtarë për mbylljen e të gjitha kinemave, teatrove, sallave koncertale dhe klubeve të natës në këtë qytet.

Si pasojë, yje të shumtë të showbizit si Lady Gga, Taylor Swift dhe Miley Cyrus, po i shfrytëzojnë platformat e tyre për t’iu bërë thirrje fansave që të qëndrojnë në shtëpi dhe të vetilozohen, deri sa të përmirësohet situata. / KultPlus.com

Të ngjajshme