Bebe Rexha motivon fansat nëpërmjet fitores së Biden: Mos u dorëzoni

21 Janar, 2021 - 8:27 pm

Këngëtarja e famshme shqiptare, Bebe Rexha ka publikuar në Twitter disa postime në lidhje me fitoren e Joe Biden si President dhe Kamala Harris si Zëvendëspresidente, shkruan KultPlus.

Ajo shfrytëzoi përpjekjet e Biden përgjatë karrierës së tij politike dhe fitoren e tij, për ta kthyer në një motivim për fansat e saj.

“Vetëm desha t’ua rikujtoj se kurrë nuk është vonë për t’i arritur ëndrrat tuaja. Joe Biden është 78 vjeçar dhe sot është President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mos u dorëzoni!”, ka shkruar këngëtarja me origjinë shqiptare.

Ndër të tjera ajo përmendi në restrospektivë vështirësitë e grave përgjatë historisë, teksa ka komentuar edhe për të arriturat e deritanishme gjinore.

“Kamala Harris u bë sot zëvendëspresidentja e parë në Amerikë përgjatë historisë. Janë vetëm 100 vite prej kur ne u lejuam të votonim. Kanë kaluar 49 vjet që kur na janë dhënë të drejta të barabarta. Dhe në vitet e fundit gratë kanë thënë të vërtetat e tyre dhe duke qëndruar të forta së bashku”, ka shkruar Rexha.

Dje u organizua inaugurimi i Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, teksa Kamala Harris hyri në histori si zëvendëspresidentja e parë në këtë superfuqi botërore. / KultPlus.com

Të ngjajshme