Billie Eilish e realizon videoprojektin “Therefore I Am” në pandemi

17 Nëntor, 2020 - 2:04 pm

Billie Eilish e ka publikuar videoprojektin e fundit me titull, “Therefore I Am”, që është pjesë e albumit të saj të ardhshëm i cili do të ishte tërësisht ndryshe, po që se bota nuk do të përfshihej nga pandemia e koronavirusit.

Në një intervistë të fundit për “Apple Music”, Eilish citohet të ketë thënë se kënga “Therefore I Am”, nuk do të publikohej kurrë nëse nuk do të ekzistonte kjo pandemi, e cila duket se ia ka ndryshuar mënyrën e të menduarit.

“Sado që do të dëshiroja ta kisha një vit siç e kisha planifikuar, duke realizuar koncerte, turne dhe performanca të ndryshme promovuese, megjithatë pa këtë pandemi ne nuk do ta kishim realizuar këtë album. Dua te them, do të krijonim diçka të re, por do të ishte tërësisht ndryshe nga ky incizim. Dhe nuk është se kemi realizuar këngë për karantinën, por thjeshtë mënyra jonë e të menduarit ka ndryshuar”, ka deklaruar Eilish.

Videoklipi i këngës “Therefore I Am” është xhiruar tërësisht me iPhone, dhe e sjell këngëtaren 18-vjeçare duke vrapuar e vetme nëpër qendrën tregtare, “Glandale Galleria”, në Kaliforni.

“Therefore I Am” është pjesë e albumit të dytë të Billie Eilishit, të cilën e ka bashkëshkruar me vëllain e saj njëherësh producent muzikor, Finneas O’Connell, transmeton Koha.

Ndër të tjera Eilish ka deklaruar se në përgjithësi i pëlqen komplet albumi.

Derisa kantautorja e njohur ka qenë mjaft e zënë gjatë pandemisë duke e krijuar albumin e ri, ajo thotë se e dinte se kjo nuk ishte koha e duhur për ta promovuar veten.

Duke e marrë në konsideratë faktin se sa i tmerrshëm dhe sfidues ka qenë ky vit për shumë njerëz, Eilish deklaroi se gjithmonë kujdeset që të rishfaqet para publikut, sigurisht kur ndjenë se është koha e duhur për ta bërë një gjë të tillë.

Eilish e arriti famën botërore në një kohë relativisht të shkurtër. Prandaj, fama erdhi me sfida të shumta për këngëtaren e re, e cila në intervistën e fundit shpjegoi se në pjesën më të madhe të këtij viti, është ndier e ngujuar në fasadën e saj.

Ndër të tjera, Eilish foli edhe për albumin e saj debutues të vitit 2019, “When We Fall Asleep, Where Do We Go?”, duke e pranuar se mendon që ishte shumë e re në moshë kur e kishte realizuar atë, dhe se shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën e saj brenda dy vjetëve të fundit.

Titulli dhe data e lansimit të albumit të dytë të këngëtares, nuk janë zbuluar ende për publikun e gjerë. / KultPlus.com

Foto: Shutterstock

Të ngjajshme