Dua Lipa: 2020 ka qenë një vit i pabesueshëm

2 Dhjetor, 2020 - 12:30 pm

Pop këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, ishte fituese e madhe në edicionin e sivjetmë të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve, “Attitude Awards 2020”.

Ylli i hitit “Don’t Start Now” tha se viti 2020 ishte i pabesueshëm për të, teksa e pranoi çmimin “Music Award” në ceremoninë e përvitshme, e cila sivjet u mbajt në formë virtuale për shkak të pandemisë.

Në fjalimin e saj pranues online, Lipa citohet të ketë thënë: “2020 ka qenë një viti i pabesueshëm. Unë jam argëtuar jashtë mase duke performuar në ngjarjen ‘Mardi Gras’ në Sydney e cila zuri vend në fillim të vitit. Madje, tani më duket çmenduri që në një moment të këtij viti, të gjithë kemi festuar së bashku në një vend. Dhe pastaj, papritur gjithçka u shua në botë. Javët e para pas shpërthimit të pandemisë ishin vërtetë hetuese për mua. Pastaj mu desh ta merrja një vendim tejet të vështirë që ta lansoja albumin me këngë të reja, gjatë kohës kur bota ishte në karantinë, por unë vendosa ta bëjë këtë me shpresën që këto këngë do t’i bënin njerëzit të lumtur, dhe do të sillnin pak gëzim në këto kohë të vështira për të gjithë. Shpresoj me të vërtetë që e kemi arritur këtë qëllim, sepse Zoti e di sa shumë kemi pasur nevojë për diçka të tillë”.

Edhe këngëtarja amerikane Taylor Swift kishte deklaruar se është shumë falënderuese që po nderohet me shpërblimin “Attitude Icon Award”.

“Jam vërtetë shumë falënderuese për këtë çmim të mrekullueshëm. Dua t’i falënderoj të gjithë që kanë pasur rol në vendimin se unë e meritoj këtë çmim. Në veçanti dua t’i falënderoj adhuruesit e mi që ma kanë ofruar një platformë për të bërë muzikë, dhe të flas hapur për gjërat që unë mendoj se janë në rregull apo gabim. Besoj se të gjithë duhet të kenë mundësi ta jetojnë historinë e tyre të dashurisë, pa pasur frikë nga diskriminimi. Mënyra për ta arritur këtë gjë, është të vazhdojmë t’i nxisim qeveritë që të vënë rregulla për mbrojtjen e njerëzve nga komuniteti LGBTQ. Ju premtoj se gjithmonë do të luftojë për këtë çështje. Jam shumë falënderuese për këtë shpërblim të mahnitshëm. Faleminderit shumë të gjithëve”, ka deklaruar Swift.

Ndër fituesit e tjerë të kësaj ceremonie ishin, Luke Evans i cili e fitoi çmimin “Man of the Year”, Stephen Fry po ashtu u nderua me çmimin “Attitude Icon Award”, Russell Tovey e fitoi shpërblimin “The Culture Award” dhe çmimi “The Gamechanger Award” shkoi për këngëtarin, Yungblud.

Në anën tjetër, Dua Lipa e shënoi edhe një sukses të ri muzikor. Ajo ka arritur t’i ketë dy këngë të pozicionuara në dhjetëshen e toplistës muzikore në Britani të Madhe. Fjala është për hitin e saj “Levitating” dhe këngën e realizuar në bashkëpunim me yllin Mylie Cyrus, “Prisoner”. Ky videoprojekt gjithashtu është shpallur kënga më e kërkuar dhe dëgjuar në 37 radio stacione të monitoruara nga “Mediabase”.

Në vendin e dytë pas pop këngëtareve, Lipa dhe Cyrus, gjendet reperi “The Kid LAROI” me hitin “So Done”. “Save Your Tears” nga The Weeknd pozicionohet si kënga e tretë më e dëgjuar në radio, i përcjell nga Shawn Mendes & Justin Bieber me hitin e tyre të padiskutueshëm “Monster”. Ndërsa në vendin e pestë këtë javë pozicionohet rep artistja amerikane Megan Thee Stallion me këngën e fundit, “Body”.

Në lajme të tjera Lipa së shpejti vjen në ekranin e Netflixit, si pjesë e dokumentarit “Song Exploder (Volume 2)”. Platforma digjitale tashmë e ka publikuar trilerin e parë të këtij projekti, pjesë e së cilit përveç Dua Lipës janë edhe bendi “The Killers”, “Nine Inch Nails” dhe Natalia Lafourcade.

Dokumentari do ta ketë premierën në Netflix më 15 dhjetor, si dhe i sjellë rrëfimet e disa prej muzikantëve më të mëdhenj të botës, të cilët shpjegojnë në detaje mënyrën si kanë arritur t’i krijojnë këngët e tyre. I pasur me intervista intime, pamje nga arkiva dhe incizime të papërpunuara, çdo episod i dokumentarit thellohet në frymëzimin e artistëve prapa muzikës së tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme