Dua Lipa kujton jetën si refugjate në “W Magazine”: Askush nuk largohet me dëshirë nga vendlindja

18 Gusht, 2020 - 9:30 am

Dua Lipa së fundmi ka pozuar për kopertinën e “W Magazine”. Në një intervistë për revistën e mirënjohur ajo ka folur rreth largimit nga vendlindja, Kosova, si dhe sfidat e emigrimit në rrugëtimin e familjes së saj në Mbretërinë e Bashkuar.

Këngëtarja e njohur shqiptare, Dua Lipa, është aktive në industrinë e muzikës. Gjatë periudhës së izolimit, ajo publikoi albumin e saj “Future Nostalgia”, i cili ka rezultuar tepër i suksesshëm.

Ndërsa këtë muaj, Dua ka pushtuar kopertinën e revistës së famshme, W Magazine.

Ajo ka dhënë një intervistë, në të cilën është rrëfyer për karrierën dhe jetën si emigrante.

“Ajo vjen nga një familje “shumë liberale” e muzikantësh (babai i saj ishte këngëtar i grupit ODA, një grup kosovar i muzikës ‘rock’) dhe akademikë (gjyshi i saj ishte një historian), dhe u rrit kryesisht në Londër, por gjuha e saj e parë është shqipja, dhe ajo është vajzë e refugjatëve”, ka shkruar revista e njohur për këngëtaren.

“Në vitin 1992, tre vjet para lindjes së saj, familja e saj u dëbua nga qyteti i lindjes së tyre, Prishtinë, nga forcat nën drejtimin e presidentit serb Slobodan Milosevic. Në kohën kur familja Lipa u rikthye në vendlindje në vitin 2006, kur Dua ishte 11 vjeçare, Kosova kishte duruar një luftë që rezultoi me mijëra vdekje civile, shpërngulje masive të popullsisë dhe krime lufte, për të cilat u akuzuan më vonë një numër zyrtarësh, përfshirë Millosheviçin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, vazhdon më tej shkrimin W Magazine.

“Prindërit e mi gjithmonë ëndërronin të ktheheshin në Kosovë”, ka thënë Dua Lipa.

“Unë mendoj se një gjë që njerëzit nuk e kuptojnë, veçanërisht me situatën e refugjatëve për momentin, është se thjeshtë askush nuk largohet nga vendlindja, përveç nëse dëshiron të kujdeset për familjen e tyre ose janë në kohë krize”, ka thënë më tej këngëtarja.

Kjo nuk është hera e parë që Dua flet për origjinën e saj, në intervista të ndryshme ajo është shprehur se ndjehet krenare për rrënjët e saj. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Të ngjajshme