Dua Lipa shkëlqen në reklamën e markës së atleteve “Puma”

3 Mars, 2021 - 12:38 pm

Marka e famshme e veshjeve sportive dhe atleteve, “Puma”, po synon t’i inspirojnë gratë anembanë botës.

Prandaj të hënën më 1 mars, kompania e lansoi fushatën e re reklamuese e cila mban titullin, “She Moves Us”, që do të jetë edhe tema e kësaj marke për këtë vit.

Fushata e udhëhequr nga këngëtarja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, do të prodhojë përmbajtje të ndryshme gjatë vitit 2021, duke përfshirë bisedime, video dhe intervista me ambasadoret e saj.

Në videon e parë të lansuar në kuadër të kësaj fushate, në prapavi dëgjohet hiti i Lipës “Electricity”, teksa këngëtarja shihet duke pozuar me veshmbathjet “Puma” krahas disa grave tjera të fuqishme, si Winnie Harlow, Cara Delevingne, Skylar Diggins-Smith, June Ambrose, Lauren London, Nicole McLaughlin, Bethany C. Meyers dhe të tjerë.

Fushata “She Moves Us” shpreson t’i inspirojë gratë anembanë botës, përmes bashkëpunimit të kompanisë “Puma” me fondacionin “Women Win”, i cili e shfrytëzon sportin për ta promovuar barazinë gjinore në botë.

Kjo fushatë gjithashtu do ta rrëfejë historinë e ambasadoreve të ndryshme të markës “Puma”, të cilat tregojnë se si janë inspiruar për t’u bërë gratë të cilat janë sot, do të flasin për gratë tjera që u kanë ndihmuar në jetë dhe karrierë, do të zbulojnë si i kanë tejkaluar sfidat dhe si kanë arritur të shënojnë suksese në fushat përkatëse.

“Ndarja e tregimeve të suksesit është pjesë e ndryshimit të narracionit, veçanërisht në fusha si sporti dhe showbizi që gjithmonë kanë tentuar t’i promovojnë arritjet e burrave. Gratë tashmë po prekin suksese të jashtëzakonshme anembanë botës, dhe festimi i arritjeve të tyre është emocionues dhe fuqizues për mua. Kjo gjë po ashtu i inkurajon gjeneratat e reja që t’i synojnë majat e suksesit. Prandaj jam shumë falënderuese ndaj markës ‘Puma’ që më ka përfshirë në fushatën e tyre ‘She Moves Us’. Tani le t’i tregojmë botës për çfarë jemi të afta”, ka deklaruar Lipa përmes një prononcimi për media.

Dua Lipa, e bëri publik lajmin se është bërë ambasadore e kësaj marke, në nëntor të vitit të kaluar. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme