Dy dizajnere shqiptare në Balkan Art Fashion Event në Beograd (FOTO)

22 Dhjetor, 2017 - 7:48 pm

Ato janë dy vajza të reja që premtojnë shumë dhe që i ka bashkuar pasioni për modën, në misionin e tyre për të sjellë të bukurën para publikut.

Leonora Basha dhe Fjolla Qela kësisoj kanë prezantuar para pak ditësh në Beograd koleksionin e tyre “The Balance”.

Koleksioni i të vetmeve shqiptare në këtë ngjarje në Serbi erdhi para publikut të Balkan Art Fashion – një ngjarje e njohur e modës në kryeqytetin serb.

“Koleksioni paraqet balancimin e karakterit të fuqishëm të femrës dhe ndërlidhjen e saj me pamjen e jashtme, që shprehë karakter të fortë, fuqi dhe në të njëjtën kohë brishtësinë femërore” tregon Leonora Basha për KultPlus.

Në Dom Omladine, vajzat nga Serbia kanë parakaluar edhe me veshjet e dy shqiptareve. Ngjyrat e koleksionit nisin me ngjyrën krem e deri tek ngjyra e zezë, ndërsa gjithsej janë paraqitur dhjetë veshje nga ky koleksion.

Janë rreth 30 dizajnerë e kreatorë që pranohen në këtë organizim, nga i tërë Ballkani. / KultPlus.com

Të ngjajshme