E sulmuan për shkak të ngjyrës, Cesarini nga skena e Sanremos: E zbulova që nuk jam një vajzë e vërtetë italiane, jam me ngjyrë

3 Shkurt, 2022 - 4:20 pm

Aktorja italiane Lorena Cesarini, ka folur kundër racizmit nga skena e Festivalit të Muzikës Sanremo të Italisë, festival në të cilin ajo është drejtuese, shkruan WantedinRome, përcjell KultPlus.

E lindur në Dakar nga një nënë senegaleze dhe një baba italian, Cesarini u rrit në Romë dhe thotë se është “shumë krenare” që është italiane.

Pas zgjedhjes së saj në këtë rol, ishte përballur me fyerje nga më të ndryshmet si “Ajo nuk e meriton, e kanë zgjedhur vetëm se është me ngjyrë”, “Ekstrakomunitaria (jo shtetase e BE-së) ka ardhur” si dhe “Duhet ta kenë thirrur të laj shkallët”.

“Në moshën 34 vjeçe zbulova se nuk është e vërtetë që jam një vajzë italiane si shumë të tjera, jam me ngjyrë, deri më sot askush në shkollë, në universitet, në punë, në tramvaj nuk e ka ndjerë nevojën të ma thotë, por tani me sa duket për disa njerëz ngjyra e lëkurës është një problem”, tha Cesarini.

Fillimisht ajo tha se “u ndje keq, pastaj u inatos”, por mbeti me një pyetje: “Pse? Pse ka nga ata që inatosen me praninë time në këtë skenë, pse ka njerëz që kanë probleme me ngjyrën e lëkurës sime”.

Cesarini, e cila njihet për rolin e saj si Isabel në serialin kriminal të Romës Suburra, tërhoqi duartrokitjet nga audienca e Sanremos dhe lavdërimet nga shumë komentues në mediat sociale. /KultPlus.com

Të ngjajshme