“Nothing Changed” e reperit Seven Saraqi kujton plagët e luftës në Kosovë

1 Korrik, 2019 - 3:30 pm

Mbrëmjen e kaluar, Seven Saraqi, ka publikuar projektin e tij më të fundit me titull “Nothing Changed”, e që menjëherë zgjoi kuriozitetin e të gjithëve.

Kësaj radhe, reperi i njohur kosovar ka vendosur që të vijë pranë publikut me një këngë ku tregon të gjithë kalvarin e vuajtjeve të njerëzve në Kosovë. E pikërisht vëmendjen në këtë projekt ai e ka përqendruar te lufta e Kosovës.

Në videoklip reperi ka futur edhe disa sekuenca mjaft prekëse që e pasqyrojnë atë periudhë të errët të vendit të tij.

Në një postim në “Instastory”, Seven shkruan se në Kosovë ka parë shtëpi teksa shkrumboheshin dhe shumë familje që largoheshin nga aty, si pasojë e politikave që po e shkatërronin shtetin.

Gjithashtu ai e quan bekim rritjen në Nju Jork, edhe pse asnjëherë nuk ngurron që të thotë se është shqiptar.

“Unë kam lindur në Kosovë dhe jam rritur në Nju Jork. Në 1996-ën familja ime u detyrua që të largohej nga shtëpia si pasojë e politikave që po shkatërronin shtetin. Kam parë shtëpinë të shkrumbohej. Kemi humbur gjithçka, miqtë, komshinjtë dhe familjen. Erdhëm në Amerikë pa asgjë tjetër përveç disa rrobave të futura në një çantë shpine dhe disa gjërave të tjera që arritëm t’i shpëtonim nga shtëpia. Fakti që u rrita në Nju Jork ka qenë një bekim. Në një qytet kaq ndryshe, me kaq shumë kultura, nuk mund të mos përfshihesha me rrymën. Unë kam lindur shqiptar, por Nju Jorku më ka bërë njeriun që jam sot. Dua të falënderoj të gjithë fansat që kanë qenë me mua në këtë rrugëtim muzikor, prindërit e mi, historia muzikore e pasur e të cilëve ka rrethuar gjithë jetën time dhe më ka lejuar të kem zërin tim. Faleminderit. Çdo gjë që bëj e bëj për ju dhe uroj që një ditë t’jua shpërblej për çdo mundësi që më keni dhënë. Ndërsa për vendlindjen time, do ju tregoj të gjithëve, çfarë mund të bëjë një i ri refugjat nga Kosova në këtë vorbull të madhe jete. Faleminderit të gjithëve ju që më keni shoqëruar në këtë udhëtim”, shkruan Seven Saraqi.

Ndërkohë kënga “Nothing Changed” ka marrë komente mjaft pozitive nga fansat e këngëtarit. Ata përgëzojnë për këtë projekt dhe shohin si një mundësi shumë të mirë që ai të ecë para në tregun botëror/Panorama. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BzWCUtPnH7G/

Të ngjajshme