Rita Ora paralajmëron albumin e ri, vjen në janar

3 Tetor, 2022 - 3:40 pm

Albumi i tretë i Rita Orës do të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Ylli i hitit “Anywhere” që së fundmi mbajti koncert në Shqipëri, ka kohë që është duke punuar me shumë përkushtim në realizimin e albumit muzikor tejet personal, i cili vjen pas atij të vitit 2018, “Phoenix”. Ora i ka premtuar fansat se tani e tutje, mund të presin shumë më shumë këngë dhe projekte filmike nga ajo.

Ylli 31-vjeçar i pop-it, në një intervistë ka pranuar se luftoi me presionin e të qenit në qendër të vëmendjes dhe thotë se miqtë e saj të ngushtë dhe familja e kanë ndihmuar t’i tejkalojë momentet kur ndihej e gatshme të heqë dorë nga karriera.

Rita, e cila kohët e fundit u martua me regjisorin Taika Waititi, nga rubrika Bizarre e gazetës ‘The Sun’ citohet të ketë thënë: “Doja të hiqja dorë nga karriera. Nuk isha e sigurt nëse ja vlente gjithë ai presion. Sa më e famshme që bëhesha, e kuptoja se njerëzit të admirojnë dhe presin shumë nga ti. Ti shndërrohet në model për të tjerët dhe nganjëherë nuk je e gatshme për diçka të tillë, sepse krejt çka ti ke dëshiruar gjithmonë është që të bësh muzikë. Kurse tani, ndiqesh me miliona njerëz në rrjetet sociale dhe kjo është një ngarkesë e madhe nga ana psikike. Me rëndësi është të qëndrosh vetvetja dhe të mbështetesh tek miqtë të cilët i njeh me vite”.

E pyetur se çfarë po bënte në Shqipëri, ajo u përgjigj: “Një album të ri i cili vjen në janar të vitit të ardhshëm. Do të jetë i mrekullueshëm. Më shumë muzikë dhe një film. Ëndrra ime është t’u tregoj të gjithëve se mund të bëni më shumë se një gjë.

“Mund të jesh muzikant, aktor, kërcimtar, nënë, hallë në të njëjtën kohë. Unë dua të përpiqem të bëj gjithçka.”

Aktorja e “Fifty Shades” i ka paralajmëruar fansat e saj se mund të kenë nevojë për një ose dy pije para se të dëgjojnë këngët e saj të reja. / KultPlus.com

Të ngjajshme