Robert De Niro sërish me akuza ndaj presidentit amerikan Donald Trump

13 Maj, 2020 - 10:30 pm

Ylli hollywoodian, Robert De Niro, e ka rinisur zënkën me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke thënë se atij nuk i intereson se sa njerëz vdesin nga koronavirusi.

Aktori 76-vjeçar i shpërblyer me Oscar, është një prej kritikëve më të ashpër të Trumpit, dhe tani e ka vënë atë në shënjestër për mënyrën se si po e menaxhon situatën e krijuar nga kriza globale shëndetësore, transmeton Koha.

Më shumë se 82 mijë njerëz kanë vdekur nga kjo sëmundje në Amerikë, që është numri më i madh i viktimave nga të gjitha shtetet e botës.

Gjatë një interviste të fundit, De Niro e përshkroi situatën në Shtëpinë e Bardhë si kaos i shkaktuar nga një njeri i çmendur.

“Është me të vërtetë tmerruese. Ai dëshiron të rizgjedhet president i shtetit, ndërsa nuk i intereson se sa njerëz po vdesin nga ky virus,” citohet të ketë thënë aktori.

Donald Trump, gjatë mandatit të tij vazhdimisht është akuzuar për kundërshtimin e këshillave të këshilltarëve të tij shkencorë gjatë kësaj pandemie, si dhe refuzon të mbajë maskë mbrojtëse dhe dorëza.

Ai madje është përqeshur shumë nga publiku mbarë botëror, pasi kishte sugjeruar që ndoshta mund ta trajtojmë koronavirusin duke injektuar dezinfektues në trupin tonë.

Ylli i njohur i kinematografisë, Robert De Niro, po vazhdon të qëndroj në karantinë në shtëpinë e tij në New York, qyteti më i prekur nga pandemia në Amerikë. /KultPlus.com

Të ngjajshme