Sam Smith dhe Demi Lovato paralajmërojnë projekt të përbashkët

13 Prill, 2020 - 1:15 pm

Yjet e njohur të muzikës, Demi Lovato dhe Sam Smith, kanë shkaktuar spekulime në publik rreth një bashkëpunimi të mundshëm mes tyre.

Dyshja e këngëtarëve i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për t’i ngacmuar fansat rreth një dueti të mundshëm mes tyre, duke paralajmëruar diçka të re brenda kësaj jave, transmeton Koha.

“A jeni gati,” kishte shkruar Sam Smith, të cilit Demi Lovato iu kishte përgjigjur: “Unë jam gati”.

Në njëfarë mënyre, lajmin e kishte konfirmuar edhe menaxheri i yllit të hitit “Sorry Not Sorry”, Scooter Braun i cili e kishte postuar mesazhin ku shkruhej: “Këtë javë!! #SamxDemi”.

Dyshja e njohur e muzikës po ashtu ka bërë të ditur se detajet rreth këtij bashkëpunimi, do t’i bëjnë të ditura gjatë ditës së hënë.

Muajin e kaluar, Smith tregoi se po planifikon ta riemërojë albumin e tij të tretë të incizuar në studio, lansimi i së cilit është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ylli i hitit “Too Good At Goodbyes”, Smith ishte dashur ta lansonte incizimin e ri i cili mbante titullin “To Die For, më 5 qershor të këtij viti, por tani ka vendosur t’i bëjë disa ndryshime të rëndësishme në këtë album, para se të hedhë atë në treg. / KultPlus.com

Të ngjajshme