Sipas basteve, Eurovizionin do ta fitojë shqiptarja Eleni Foureira

8 Maj, 2018 - 8:25 pm

Sonte do të mbahet gjysmëfinalja e parë e Eurovizionit – festivalit të madh muzikor që këtë vit mbahet në Portugali.

Do të jenë gjithsej 19 këngë që do të ngjiten në skenë, ndërsa vetëm dhjetë prej tyre në fund të natës do të kualifikohen për në finale të festivalit.

Para se të nisë nata, vëmendja fokusohet tek bastet e ndryshme.
Eleni Foureira – shqiptarja që këtë vit këndon për Qipron në Eurovizion, është momentalisht e para në baste për të fituar edhe gjysmëfinalen e parë edhe festivalin në tërësi. Deri dje këtë pozitë e ka pasur Netta nga Izraeli, por tani e para është ngjitur në listë Eleni.

Sonte Eleni performon e fundit në listë.

Në gjysmëfinale sonte këndon edhe Eugent Bushpepa për Shqipërinë. Në bastet momentale, Eugenti renditet në pozitën e 15-të dhe nuk ka shansa të kualifikohet, gjithmonë sipas basteve.

Nëse bastet kanë të drejtë, atëherë sonte drejt në finale shkojnë Qipro, Izraeli, Estonia, Lituania, Çekia, Greqia, Austria, Belgjika, Armenia dhe Bullgaria. / KultPlus.com

Të ngjajshme