Edi Rama: Rrofsh e qofsh me fëmijët, gruan, vëllezërit dhe kë të do zemra o Behgjet Pacolli

Ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhuruar sot 1 milion Euro ndihmë për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Për këtë ndihmë të madhe të Pacollit kanë reaguar të gjithë qytetarët, të lumtur që viktimave të tërmetit po ju vijnë në ndihmë të gjithë.

Por i befasuar është shprehur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka uruar më të mirat për Pacolli.

“RROFSH e QOFSH me fëmijët, gruan, vëllezërit dhe kë të do e bardha zemër O BEHGJET PACOLLI🙏”, ka shkruar Rama.

Ky donacion sipas Pacollit shkon për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.

”Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale. Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt. Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur. Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet. Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”, ka thënë Pacolli. / KultPlus.com