‘Të rejat e të rinjtë as atë ditë të 1 Tetorit 1997 nuk u frikuan, siç nuk frikohen as sot’

Sot, janë bërë 26 vite nga protestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997, të cilat bënë revolucion ndryshimi të ngjarjeve që u zhvilluan në atë kohë, kur Kosova ishte e pushtuar nga Serbia, shkruan KultPlus.

Më 1 Tetor 1997, përmes protestave, studentët kundërshtonin pushtimin e dhunshëm serb në Kosovë, si dhe kërkonin kthimin e studentëve dhe profesorëve në Universitetin e Prishtinës, të cilët ishin dëbuar nga UP.

KultPlus, sot në 26 vjetorin e protestave studentore, ju sjell një shkrim të Kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykollit:

Në kujtim të ecjes së 1Tetorit 1997

1997 thërret kujtesën tonë, thërret kujtesën e të rejave e të rinjve që atë 1 Tetor ishin në ecjen e guximshme krah popullit drejt lirisë – e që erdhi e që duhet mbrojtur.

Dhe secili fillimtetor thërret ndryshe kujtesën tonë, po duke na mbajtur fuqishëm në rrugën e drejtë.

Fillimtetori, 1 Tetori i 1997-s është shënjuesi dhe përkujtuesi ynë se dita e nisjes e rinisë studentore prirë nga i pari i universitetit në ecjen historike nga Shtëpia Universitet në kodrën e kujtesës Prishtinase, është dita që nuk duhet harruar.

Të rejat e të rinjtë as atë ditë të 1 Tetorit 1997 nuk u frikuan siç nuk frikohen as sot. Atë ditë tetori u shtrua edhe një rrugë lirie.

E largpamësia e rinisë studentore që atë 1 Tetor të 1997-s ndezi zemrat e lirdashësve duke tejfuqizuar bindjet drejt ecje e lirisë që po e gëzojmë fuqishëm sot mban fuqishëm kujtesën dhe përgjegjësinë tonë.

Ato të reja e ata të rinj sot janë shembull rinie duke u prirë të rejave e të rinjve në rrugën e ruajtjes së lirisë.

Dhe nga Shtëpia Universitet në rrugën kujtesë nuk eci vetëm rinia studentore po eci i gjithë populli përfaqësuar po nga ajo rini.

Dhe nuk mund dhe nuk duhet harruar  kurrë ecja e 1 Tetorit 1997 se ishte ajo ecja që nisi e e cila nuk duhet të ndalet, e e cila nuk do të ndalet.

Nuk shënova emra se ecja e lirisë është vetë populli.

Ndryshojnë lokacionet e vaksinimit nëpër komuna, në Prishtinë vaksinimi nuk do të kryhet më në sallën ‘1 Tetori’

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar qytetarët se pothuajse në të gjitha komunat ka përfunduar plani i zhvendosjes së qendrave të vaksinimit nga qendrat e mëhershme në hapësira (kryesisht) të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, QMF, apo hapësira adekuate të cilat janë përcaktuar si më të përshtatshme për vijimin e vaksinimit nga komunat.

“Sa i përket komunës së Prishtinës, siç është njoftuar edhe ditëve të kaluara, nga sot ekipet e vaksinimit që kanë vaksinuar në sallën “1 Tetori” do të vaksinojnë qytetarë në Qendrën e Mjekësisë Familjare nr. 7 në lagjen Kalabria në Prishtinë (ish-Emshir).

Me kalimin e ekipeve të vaksinimit për Prishtinën në këtë qendër, salla “1 Tetori” do t’i kthehet veprimtarisë së vet primare”, thuhet në njoftim.

MSh ka lutur qytetarët e komunës së Prishtinës që si për vaksinimin kundër COVID-19, ashtu edhe për vaksinimin kundër Gripit sezonal, të shkojnë në QMF nr. 7 në lagjen Kalabria.

“Në komunat e tjera, lokacionet e vaksinimit i gjeni të bashkëngjitura në linkun në vijim, ku lista e lokacioneve mund të pësojë ndryshime, me që disa komuna janë në zhvendosje e sipër të qendrave të vaksinimit në hapësirat e reja”, thuhet në njoftim.

Vaksinimi mund të bëhet në cilëndo qendër të vaksinimit, të listuara më poshtë, pa termin të caktuar paraprakisht, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë, për të gjithë qytetarët nga mosha 12 vjeç e lart.

Lokacionet e vaksinimit në komunën tuaj mund ti gjeni KËTU

Nga 1 tetori arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë

Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar që nga 1 tetori i këtij viti, do të hiqen pagesat për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelin Bachelor dhe Master, në universitetet publike në Kosovë. Kurti theksoi se ky vendim vlen për studentët e vitit akademik 2021/2022.

Kryeministri tha se lehtësime do të ketë edhe për studentët e Doktoratës.

“Nga një tetori i këtij viti duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë për nivelin Bachelor dhe Master ndërsa ata të Doktoratës do të kenë lehtësime”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti tha se nga ky vendim do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të rajonit.

“Besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta duke përmirësuar nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e progres shoqëror.

Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të tjera e sidomos të atyre të rajonit që do të trajtohen si të gjithë studentët e tjerë”, ka thënë Kurti. / KultPlus.com