1 vjet pa eruditin Moikom Zeqo

Moikom Zeqo ka lindur në Durrës, më 3 qershor 1949. Më 1971 u diplomua në Universitetin Shtetëror të Tiranës, për Gjuhë-Letërsi Shqipe.

Në vitet 1971-1973 ka punuar redaktor në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më 1991 ka qenë Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ndërsa më 1992-1996 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1997-2005 ka qenë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar.

M. Zeqo ka botuar mbi 100 libra si: “Kalorësit dardanë” (1993), “Panteoni ilir” (1996), “Onufri” (1998), “Mes Laokontit dhe Krishtit” (2000), “Kështu foli Mona Liza” (2000), “Engjëjt e pikturës dhe Lasgush Poradeci” (2003), “Grishja e Florimontit” (2004), etj.

Moikom Zeqo, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë më 15 qershor 2020. Nderim dhe mirënjohje për kontributin e tij në histori, publicistikë dhe artin shqiptar. / KultPlus.com

Në njëvjetorin e vdekjes, përkujtohet Ramiz Kelmendi

Familjarë, miq, shokë e kolegë përkujtuan sot njëvjetorin e vdekjes së profesorit, publicistit e shkrimtarit Ramiz Kelmendi.

Me këtë rast, në një kënd të “Ringsit”, ku Kelmendi kaloi shumë çaste në dhjetë vitet e fundit në kafen e vet të preferuar e me miq e shokë, u vendos edhe portreti i tij në bronz, punim i skulptorit të njohur kosovar Veli Balkçori.

Nën portretin e tij janë gdhendur fjalët “Ramiz Kelmendi – (1930) shkrimtari erudit nga 11 janari 2017 i mungon këtij këndi në “Rings”, të cilin e madhëroi aq shumë vite me praninë e tij”, shkruan Koha.net. Në këtë njëvjetor të vdekjes së Kelmendit, kujtime për shkrimtarin shpalosën miq, shokë e krijues ndërsa u recituan edhe disa poezi kushtuar të ndjerit./ KultPlus.com