Premiera e filmit ‘Isha vetëm 10 vjeç’ dhe promovimi i librit ‘Besa dhe burrëria’ në Pejë – një homazh për humanizmin në kohë lufte

Autori dhe dokumentaristi malazez Velibor Çoviq ishte në qendër të një ngjarjeje të veçantë kulturore në Pejë, ku u shfaq për herë të parë në Kosovë dokumentari i tij “Isha vetëm 10 vjeç”, dhe u promovua libri “Besa dhe burrëria”.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të programit kulturor të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, “Në rrugëtim: nga Dita e Pavarësisë deri te Dita e Shtetësisë”, dhe solli në vëmendje një prej kapitujve më të ndjeshëm të historisë së re të rajonit, vitin 1999, kur Mali i Zi hapi dyert për më shumë se 100 mijë refugjatë nga Kosova, pa dallim feje apo përkatësie etnike.

Filmi dokumentar, i cili trajton përjetimet e fëmijëve të zhvendosur dhe dimensionin njerëzor të solidaritetit malazez gjatë kohës së luftës, është shpërblyer me çmim të posaçëm në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Njujork, për “kontribut të jashtëzakonshëm në filmin dokumentar”, duke u vlerësuar si një dëshmi e vlerave universale njerëzore në mes të trashëgimisë së dhimbshme të luftës.

Ndërkohë, libri “Besa dhe burrëria” mbledh rrëfime reale dhe intervista, përfshirë edhe atë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, me titull “Nga refugjate në presidente”, e cila përmes fjalës së saj sjell një kujtim të gjallë dhe mirënjohës për mikpritjen e treguar nga qytetarët e Malit të Zi në kohën kur shumë familje shqiptare po iknin nga lufta.

Aktiviteti kulturor në Pejë nuk ishte vetëm një promovim kulturor, por një thirrje për reflektim mbi vlerat që i tejkalojnë kufijtë dhe kohën, si besa, burrëria dhe humanizmi./ KultPlus.com