Hapet ekspozita ‘Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive’

Tirana 101 vite kryeqytet vjen përmes 60 fotografive në kalanë e Tiranës. Ekspozita që u çel të enjten me titull “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive” shënoi dhe 101 vjetorin e Tiranës kryeqytet në mjediset e kalasë.

Ekspozita përmban fotografi të rralla nga Arkivi Qendror Shtetëror, por edhe kartolina nga koleksionistët dhe objekte autentike dhe elementë të veshjeve tiranase.

Në hapje të kësaj ekspozite, Ardit Bido, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave theksoi rëndësinë e datave të tilla për të treguar edhe çfarë ruhet në fondet arkivore, si një moment me rëndësi për kujtesën. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori Bido vijoi se në këtë ekspozitë tregohet një pjesë e historisë së kryeqytetit tonë.

“101 vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite, ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, u shpreh drejtori Ardit Bidon në fjalën e tij për ekspozitën “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive”.

Në fjalën e tyre znj. Klodiana Toptani administratore e kalasë dhe z. Andi Seferi zv/kryetar i Bashkisë Tiranë, theksuan se kjo është një datë me rëndësi jo vetëm për kryeqytetin, por për shqiptarët ndaj edhe duhet kujtuar në çdo formë. Historia e Tiranës vjen përmes dhjetëra fotografive të rralla, por objekte të ndryshme nuk janë më.

E pranishme në hapjen e ekspozitës, Mirela Bogdani, kryetare e shoqatës “Tirana Intellectum” ndër të tjera tha se duhet ruajtur ajo që ka mbetur në kryeqytet. “Shumë nga këto fotografi që ne shohim sot kanë mbetur thjesht fotografi, pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Kjo është jo vetëm një ditë kujtese por edhe një moment për të bërë thirrje që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet”, tha ajo.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Kalanë e Tiranës, në hapësirën publike të ekspozitave për cilindo që dëshiron të shohë Tiranën siç ka qenë, përmes fotografive por edhe objekteve autentike.

Tirana, 101 vjet kryeqytet

Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në janar 1925.

Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Muzeu Historik Kombëtar dje publikoi një material, ku thuhej se më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm këshillin e lartë dhe qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912.

Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.

Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë: Mosprania e forcave të huaja (pushtuese), pozita gjeografike në qendër të vendit, patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm.

Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në fillim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).

Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare, kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë./sot/ KultPlus.com