11 qershor 1999, futja e NATO-s në Kosovë dhe çlirimi nga pushtimi serb

Nga Jusuf Buxhovi

Shtetndërtimi i Kosovës, nga përpjekjet e vazhdueshme, fillimisht që të mos pranohet pushtimi serb nga viti 1912, ripushtimet nga vitet 1918 dhe 1944, si dhe përpjekjet e saj për etnocid, kultorocid dhe së fundit për gjenocid, përpjekje këto, që në fund të viteve të gjashtëdhjeta e deri në fund të atyre të tetëdhjetave, do të kthehen në përpjekjet që pushtimi të zëvendësohet me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, do të ishte i vështirë ose i pamundur fare, pa fushatën ajrore të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, kur në Kumanovë, gjeneralët jugosllavë nënshkruan marrëveshjen kapitulluese për tërheqjen e të gjitha forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Të nesërmen, pasi që do të jetë miratuar rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe hyrjes së saj në fuqi një ditë më vonë, me fillimin e tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova si dhe fillimin e futjes së forcave të NATO-s, në kuadër të KAFOR-it, fillon çlirimi i Kosovës nga pushtimi 87 vjeçar serbo-jugosllav.

Kjo i hapi rrugë protektoratit ndërkombëtar në Kosovë nën mbikëqyrjen e OKB-së në kuadër të misionit të UNMIK-ut, që mori fund më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com

21 vjet nga dita e Çlirimit të Prishtinës

11 qershori i vitit 1999 shënon Ditën e hyrjes, në Prishtinë, të trupave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Llapit dhe forcave që kishin vepruar ilegalisht në kryeqytet edhe gjatë luftës, shkruan KultPlus.

21 vjet më parë forcat e UÇK-së kishin hyrë në periferi të qytetit, ndërsa forcat ushtarake e policore serbe kishin filluar tërheqjen, sipas Marrëveshjes së Kumanovës të arritur më 9 qershor të vitit 1999.  Më 12 qershor nga bazat e tyre në Maqedoni kishin filluar depërtimin në Kosovë forcat tokësore të NATO-s të quajtura forcat paqeruajtëse të KFOR-it, pastaj edhe administrata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook ka uruar qytetarët për këtë ditë e cila u arrit me shumë sakrifica.

“Janë bërë 21 vjet që Prishtina frymon lirshëm!

Kaluam shumë sfida, momente të vështira por kishim edhe shumë gëzime. Ka vështirësi të shumta edhe tani. Por Prishtina për secilën ditë që kalon është më e mirë për qytetarët e saj. Për çdo ditë që kalon, një punë e mirë nis ose përfundon në kryeqytetin tonë, që i mirëpret të gjithë pa dallim.

Nuk do të ndalemi së punuari ndershëm për të mirën e Prishtinës. Sepse ky është nderimi më i madh që mund të u bëjmë atyre që u flijuan për çlirimin e qytetit tonë!
Qytetarë të Prishtinës, urime Dita e Çlirimit!”, ka shkruar Ahmeti. / KultPlus.com