U mbajt koncerti madhështor “110 vjet Pavarësi-110 vjet Forca të Armatosura-së bashku për paqen”

Në Tiranë u mbajt sot koncerti madhështor “110 vjet Pavarësi-110 vjet Forca të Armatosura-së bashku për paqen”, me pjesëmarrjen e mbi 300 artistëve nga Orkestra Simfonike e FA, Kori i FA, Banda e Ushtrisë shqiptare dhe bandat e ushtrive të Kosovës dhe vendeve të NATO-s nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia.

Të pranishëm në koncert ishin edhe Kryeministri Edi Rama, anëtarë të kabinetit qeveritarë, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe përfaqësues të tjerë të Trupit Diplomatik, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj si dhe zyrtarë të tjerë të niveleve të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi emocionues paraqitjen e mbrëmjes së sotme.

“Emocionues prezantimi i parë pas dekadash i Orkestrës Sinfonike dhe Korit të Forcave të Armatosura”, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale, ku solli edhe momente nga koncerti.

Në këtë koncert performuan mbi 300 artistë të cilët morën duartrokitje të merituara nga publiku i shumtë që kishte mbushur Pallatin e Kongreseve.

Kjo është hera e parë që një event i këtij dimensioni zhvillohet në Shqipëri. Të ardhurat e realizuara nga biletat do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta në Ukrainë. /atsh /KultPlus.com