14 Prilli, Dita Kombëtare e Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës së bashku me organizatat partnere, (QPDG, Medica Kosva dhe Medica Gjakova) dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, vitin e kaluar kanë mbajtur një takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ku edhe propozuan që data 14 prill të shënohet si Dita Kombëtare e Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.

Në shënim të 14 Prillit, dita e njohjes së sakrificës dhe vuajtjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, me qëllim avansimin e procesit të njohjes ligjore të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe realizimin e  të drejtave të mbijetuarve, organizatat e Platformës Bëhu Zëri Im udhëhequr nga  Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës sot do të takohen me: presidenten e Republikës së Kosovës – Vjosa Osmani, kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës – Albin Kurtin, Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës – Glauk Konjufca, dhe Bordin e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë këtyre takimeve do të adresohen kërkesat e mëposhtme: Të njihet ligjërisht 14 Prilli si ditë zyrtare memoriale për Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë;

Emërtimi i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës të ndryshohet në Komisioni për Njohje të Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës;

Afati brenda të cilit viktimat mund të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, të mos kufizohet në 5 vjet, por të jetë e drejtë e përhershme e garantuar me ligj;

T’u mundësohet viktimave të cilave u është njohur statusi “viktimë e dhunës seksuale” të gëzojnë të drejtën në pension personal që nga data e aplikimit për njohje të statusit.

“Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës” t’u njihen të gjitha të drejtat dhe benificionet  sikurse kategorive të tjera të përcaktuara me ligjin nr. 04/L-054 në mënyrë që të gëzojnë edhe të drejtën të përfitojnë shërbime shëndetësore pa pagesë; 

Të ndryshohet përbërja e Komisionit duke i shtuar peshë dhe rëndësi aspekteve psikosociale të procesit të njohjes së statusit;

Të aplikohet qasje e theksuar sensitive në procesin e shqyrtimit të rasteve për njohje të statusit së viktimës seksuale gjatë luftës duke marrë parasysh të gjitha specifikat e këtij grupi të ndjeshëm si dhe stigmën që i rrethon;

Gjatë shqyrtimit të ankesave të sigurohet dy-shkallshmëria në rastet e ankimimit të vendimeve të  Komisionit Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës;

Afati kohor i shqyrtimit të kërkesave për njohje të statusit prej momentit të paraqitjes së kërkesës për njohje  deri te vendimi i Komisionit të mos jetë më i gjatë se 6 muaj;

Të sigurohet mekanizëm i pavarur monitorues i punës së Komisionit dhe shqyrtimit të rasteve me qëllim rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies të punës së Komisionit dhe realizimit të drejtave të viktimave që aplikojnë për njohje të statusit;

Viktimat të cilave u është njohur statusi “viktimë e dhunës seksuale”, të pajisen me kartelë të viktimës civile të cilat me asnjë të dhënë nuk guxojnë të identifikojë kategorinë e përfituesit, por do t’u mundësojë viktimave të gëzojnë të drejtat dhe benificionet e caktuara me ligj. 

Platforma Bëhu Zëri Im është themeluar më 16 Prill 2021, nga katër organizatat e autorizuara për të mbështetur të mbijetuarit në procesin e aplikimit për njohjen ligjore të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës: Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës; Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave; Medica Gjakova dhe Medica Kosova.

Platforma Bëhu Zëri Im përfaqëson interesin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në proceset dhe çështjet që ndërlidhen me drejtësinë tranzicionale, statusin, të drejtat dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar. / KultPlus.com

Më 14 prill 1935, lindi shkrimtari bestseller zviceran Erich von Däniken

Erich von Däniken (Zofingen, 14 prill 1935) është një shkrimtar zviceran. Ai është i njohur për librat e tij mbi arkeologjinë misterioze dhe është një nga mbështetësit kryesorë të të ashtuquajturës “teori të astronautëve të lashtë”.

Ai ndoqi Kolegjin St-Michel të Fribourg në Zvicër, ku zhvilloi një interes të caktuar për shkrimet antike të një natyre fetare. Në vitin 1960 ai u martua me Elisabeth Skaja dhe në vitin 1963 lindi vajza e tij Cornelia. Pesë vjet më vonë, ndërsa shërbeu në një hotel zviceran, ai përfundoi Zurück zu den Sternen, (1969), një libër që u bë një bestseller ndërkombëtar i përkthyer në gjuhë të shumta. Vepra në fjalë pretendon se krijesat e huaja nga një sistem tjetër diellor vizituan planetin tonë rreth dhjetë mijë vjet më parë dhe krijuan burra inteligjentë në përngjasimin e tyre duke ndryshuar gjenomin e majmunëve. Ata do të adhuroheshin si perëndi nga njerëzimi për njohuritë e tyre të mëdha teknike, nga të cilat mbetet një traditë e mjegulluar në mite.

Më pas ai shkroi dhe botoi libra të tjerë, gati tridhjetë, jo gjithmonë të përkthyera nga gjermanishtja, në të cilat ndërthuren vazhdimisht fe, arkeologji dhe trillime shkencore. Në fakt, në “Perënditë ishin astronautë” (2003), shkrimtari zviceran përsërit konceptin se hyjnitë dhe engjëjt për të cilët flasin Bibla, Kurani dhe tekste të shumta të lashta të shenjta ishin të huaj që vizitonin Tokën dikur. Edhe disa shfaqje magjike, përfshirë ato të famshme të Fátima, mund të shpjegohen për von Däniken në një çelës ufologjik.

Erich von Däniken shpesh pretendon se nuk është kompetent për hulumtime të UFO-s. Interesimi i tij përqendrohet kryesisht në gjetjet arkeologjike dhe librat fetarë të së kaluarës. Sidoqoftë, ai i tha programit Alien Riddles se ai ishte një katolik praktikues dhe lutet çdo mbrëmje.

Ai jeton në Beatenberg në Kantonin e Bernës. /KultPlus.com

14 prilli sjellë “Frankeshtajnin” e Bokshit në Teatrin Kombëtar në Tiranë

Në Teatrin Kombëtar artistët po punojnë për të sjellë në skenë për publikun një tjetër premierë.

Në një kohë kur në oborrin e Teatrit Kombëtar vijojnë organizimet dhe takimet për të mbrojtur teatrin nga shembja, artistët në mjediset e provave vijojnë punën edhe për premierën e re, që pritet të jetë në skenë mesin e muajit që vjen.

Një dramë e njohur që e sjell regjisori Ilir Bokshi në Teatrin Kombëtar. Drama “Frankeshtajn” shkruar nga Tim Kelly sjell në role aktorë të njohur të teatrit. Në skenë drama premierë do të luhet nga tetë aktorë. Këtë herë rolet në vepër regjisori ia ka besuar aktorëve Helidon Fino, Besmir Bitraku, Yllka Mujo, Klea Huta, Erjona Kakeli, Gent Hazizi, Lulzim Zeqja dhe Niada Saliasi.

“Është interesante se në kulturën popullore emri i cili pasqyron monstrën është Frankeshtajn, dhe shumë ndoshta nuk e dinë se Frankeshtajn është vet shkencëtari e jo monstra. Megjithatë, janë disa që do të thonë se Frankeshtajni, për shkak të pikëpamjes së tij morale dhe asaj që ai ka arritur të krijojë, është po aq monstër sa krijesa që ai ka krijuar”, shkruhet për veprën, përcjell SotNeës.

Aktori i njohur Lulzim Zeqja që është pjesë e kastit të aktorëve tregon se puna për shfaqjen vijon prej kohësh, dhe më datë 14 të muajit prill kjo premierë pritet të ngjitet në skenë.

“Një dramë thriller, ne jemi në prova dhe më datë 14 prill pritet të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar”, pohon mes të tjerave aktori Lulzim Zeqja që është në mesin e artistëve që regjisori Ilir Bokshi nga Kosova ka zgjedhur për të sjellë personazhet në skenë.

Me një kastë aktorësh të njohur të teatrit, këtë herë vepra që mban emrin e autorit Tim Kelly do të vijë sipas konceptit regjisorial të Bokshit. Nuk është hera e parë që Ilir Bokshi vjen në Tiranë për shfaqje teatrore, por edhe këtë herë është një vepër e cila në skena të tjera të botës është përcjell me interes.

Skenografia në vepër mban emrin e Petrit Bakallit, kostumet nga Vesa Kraja, kompozitor Art Lokaj dhe asistente regjie Algiona Agaj. Vepra teatrore e dramatizuar nga romani i Mary Shelley nga Tim Kelly, ky adaptim qëndron i veçuar nga dhjetëra adaptime të tjera filmike dhe skenike, sepse ndërkohë që i qëndron më së miri besnik romanit origjinal, vepra gjithashtu bie në një zhanër plotësisht të dalluar, ku komikja dhe tragjikja janë të ndërthurura mjeshtërisht dhe munden që në mënyrë shumë fleksible të paraqiten si njësi në vete apo si një dyshe e bashkuar.

“Viktor Frankeshtajn është një njeri i konsumuar nga shkenca dhe biologjia, pasioni jetësor i të cilit ka qenë të zbuloj shkakun e jetës apo e të dhënit jetë. Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një rrugë të kthej në jetë indet e njeriut të vdekur. Më shkurt, ai vije në gjendje të krijoj jetë duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur procesin e tij special, ai ka sjellë në jetë një krijesë të ndërtuar nga pjesë trupore njerëzish, por akoma jo tamam njerëzor”, thuhet për këtë vepër që do të vijë premierë dhe në skenën e Tiranës.

Në shkurt të vitit 2013 regjisori Ilir Bokshi ishte në skenën e Teatrit Kombëtar me veprën antike “Edipi Mbret” të Sofokliut. Një pjesë të aktorëve që kanë qenë pjesë e veprës “Edipi Mbret” regjisori Bokshi i sjell sërish në role dhe në veprën “Frankeshtajn”. Pas katër vitesh nga premiera “Edipi Mbret” Ilir Bokshi rikthehet në Teatrin Kombëtar në një tjetër bashkëpunim me artistët./ KultPlus.com