‘Të rejat e të rinjtë as atë ditë të 1 Tetorit 1997 nuk u frikuan, siç nuk frikohen as sot’

Sot, janë bërë 26 vite nga protestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997, të cilat bënë revolucion ndryshimi të ngjarjeve që u zhvilluan në atë kohë, kur Kosova ishte e pushtuar nga Serbia, shkruan KultPlus.

Më 1 Tetor 1997, përmes protestave, studentët kundërshtonin pushtimin e dhunshëm serb në Kosovë, si dhe kërkonin kthimin e studentëve dhe profesorëve në Universitetin e Prishtinës, të cilët ishin dëbuar nga UP.

KultPlus, sot në 26 vjetorin e protestave studentore, ju sjell një shkrim të Kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykollit:

Në kujtim të ecjes së 1Tetorit 1997

1997 thërret kujtesën tonë, thërret kujtesën e të rejave e të rinjve që atë 1 Tetor ishin në ecjen e guximshme krah popullit drejt lirisë – e që erdhi e që duhet mbrojtur.

Dhe secili fillimtetor thërret ndryshe kujtesën tonë, po duke na mbajtur fuqishëm në rrugën e drejtë.

Fillimtetori, 1 Tetori i 1997-s është shënjuesi dhe përkujtuesi ynë se dita e nisjes e rinisë studentore prirë nga i pari i universitetit në ecjen historike nga Shtëpia Universitet në kodrën e kujtesës Prishtinase, është dita që nuk duhet harruar.

Të rejat e të rinjtë as atë ditë të 1 Tetorit 1997 nuk u frikuan siç nuk frikohen as sot. Atë ditë tetori u shtrua edhe një rrugë lirie.

E largpamësia e rinisë studentore që atë 1 Tetor të 1997-s ndezi zemrat e lirdashësve duke tejfuqizuar bindjet drejt ecje e lirisë që po e gëzojmë fuqishëm sot mban fuqishëm kujtesën dhe përgjegjësinë tonë.

Ato të reja e ata të rinj sot janë shembull rinie duke u prirë të rejave e të rinjve në rrugën e ruajtjes së lirisë.

Dhe nga Shtëpia Universitet në rrugën kujtesë nuk eci vetëm rinia studentore po eci i gjithë populli përfaqësuar po nga ajo rini.

Dhe nuk mund dhe nuk duhet harruar  kurrë ecja e 1 Tetorit 1997 se ishte ajo ecja që nisi e e cila nuk duhet të ndalet, e e cila nuk do të ndalet.

Nuk shënova emra se ecja e lirisë është vetë populli.

26 vite nga protestat studentore të vitit 1997

Sot janë bërë 26 vite nga prostestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997.

Më 1 tetor 1997, Lëvizja Studentore kishte organizuar protesta, për të kundërshtuar pushtimin serb në Kosovë, si dhe për të rikthyer studentët në objektet universitare, të cilët atëkohë ishin dëbuar nga regjimi serb i cili në krye kishte Sllobodan Millosheviqin.

Në fillim të viteve të 90-ta, regjimi serb kishte vendosur masa të dhunshme, duke imponuar plan-planprogram serb, e po ashtu duke dëbuar studentë e profesorë shqiptar nga Universiteti i Prishtinës.

Kjo ngjarje shënon një datë të rëndësishme të asaj kohe, e cila ishte paraprijëse për rrjedhën e ngjarjeve të tjera deri në qlirimin dhe pavarësimin e shtetit të Kosovës. /KultPlus.com

Fotografi që nuk kanë humbur, nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar 24-të vite qëkur studentët e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram./ KultPlus.com

Dy dekada nga protestat studentore (FOTO)

Sot janë mbush plotë 20 vite nga protestat studentore, shkruan KultPlus.

Protestat e 1 tetorit te vitit 1997-të, nisën para ndërtesës së Rektoratit të UP-ës asokohe në lagjen Velania në Prishtinë.

Më 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare./ KultPlus.com