“Fundi i heshtjes”, sjellë zërat e revoltuar të protestës së 1 Tetorit

Gili Hoxhaj

Data 1 Tetor e vitit 1997, ishte një kthesë historike për gjendjen e Kosovës në vitet e 90’ta. Marrëveshja e nënshkruar nga Rugova dhe Millosheviqi në vitin 1996 (ndërmjetësuar nga Komuniteti i Sant’Egidio) mbi arsimin, që parashikonte kthimin e studentëve shqiptarë në ndërtesat universitare, nuk po gjente dritë të zbatimit. Barra kryesore për ta thyer këtë heshtje të gjendjes me të cilën ndodhej populli e arsimi në Kosovë, ra pikërisht mbi studentët.

“Fundi i heshtjes”, është titulluar dokumentari i autorit Arsim Lanit, që përmes rrëfimeve e pamjeve të asaj dite e kthen kujtesën e shikuesve, jo vetëm në atë ditë, por edhe në ditët e gjata të përpjekjeve të studenteve për ta jetësuar protestën e tyre. Ky dokumentar sot u prezantua në Fakultetin Filologjik, para profesorëve e studentëve, shumica e këtyre të fundit kishin lindur po në atë periudhë kur kjo protestë mbushi rrugët e Prishtinës.

Lëvizja Studentore e  vitit 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, gjeti përkrahjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci. Këta emra, me përkrahjen e shumë studentëve të tjerë, u bënë zëri i revoltuar i sistemit në të cilin ndodhej vendi. Ata kishin ndërprerë obligimet e tyre si studentë, për t’iu përkushtuar një kauzë tejet të madhe, për ta kundërshtuar regjimin serb. Pikërisht me këtë protestë zgjohet zëri i heshtur studentor, e fillon të zbehet politika paqësore e mbjellur deri në atë kohë.

Ky dokumentar për ta dhënë pasqyrën e saktë të asaj kohe, pranë profesorëve e studentëve të Fakultetit Filologjik, sot shpalosi rrëfimet e shumë emrave të përfshirë në gjendjen e asaj kohe.

Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajqi, Albin Kurti, Ahmet Geca, Hashim Thaçi, Bajram Kosumi, Adnan Merovci, Anila Statovci, Fidajete Spahiu janë këta disa nga emrat që plotësonin mozaikun e rrëfimeve të asaj ngjarje. Dokumentari i realizuar me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, solli detajet e takimeve të para të Unionit të Studentëve, ku që nga shkurti i atij viti ata kishin një vizion e qëllim të qartë deri tek mobilizimi për protestën. Ky dokumentar nxjerrë në pah edhe përpjekjet e vazhdueshme të studentëve për ta njoftuar presidentin Rugova për lëvizjen e tyre, madje nëpërmjet këtij dokumentari nxjerrë edhe emocionet e tyre kur nuk arrijnë të gjejnë përkrahjen e Presidentit Rugova.

Adnan Merovci, nëpërmjet këtij dokumentari tregon se Rugova nuk e kundërshtonte këtë organizim por kishte një qasje më të brishtë në sensin e promovimit të tyre. “Nuk e dua një pikë gjak të një studenti për diçka që konsiderohet se nuk mund të jetë efektive”, me këtë fjali e citon Naser Rugova, presidentin Rugova, lidhur me frikën e tij drejt eskalimit të situatës në gjakderdhje.

Megjithatë studentët vazhduan organizimin e tyre drejt datës së 1 Tetorit. Përmes këtij dokumentari ata shprehin emocionet e tyre deri në zbardhjen e ditës, atë ditë kur frika e vetme ishte në mos nuk do t’u bashkohen të tjerët. Lagjja Velania kishte mbledhur mijëra studentë, e me ngjyrat e paqes kërkonin të drejtat e mohuara. Bluzat e bardha të tyre shpejt do të zhyteshin në ngjyrën e kuqe të gjakut kur ndeshen me forcat e policisë serbe, e përballen me dhunë.

“Këto protesta e kanë thyer mitin e policit serb”, është përkufizimi i Muhamet Mavraj në këtë dokumentar. Por Unioni i Studentëve, do të nënkuptonte më pas një urë lidhëse për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Driton Lajqi, njëri nga udhëheqësit kryesor në atë protestë, në këtë dokumentar shfaqet me bluzën e bardhë të protestes, të cilën më pas do ta ndryshonte me rrobat e një ushtari të UÇK-së. Ai shfaqet në rrobat e paqes dhe të luftës, ndërsa në dokumentar ai shihet teksa flet para një grumbulli ushtaresh një ditë para përfundimit të luftës. Po i njëjti u prezantua me këtë rrëfim sot në një diskutim me studentët, tashmë dy dekada pas asaj kohe, e një dekade të pavarësisë së këtij shteti. Ai sot në këtë diskutim tha se edhe nga ngjarjet e mëparshme, ata veçse kanë qenë të përgatitur që studentët gjithashtu duhet ta thonë fjalën e tyre. Ai thotë së përkrahja e protestës nga rreth pesëdhjetë mijë njerëz, u ka falur lumturinë më të madhe.

“Jemi ndjerë njerëzit më të lumtur në botë kur kemi parë gjysmë milion njerëz, nga të gjitha vendet e Kosovës, po ashtu jemi frikësuar por edhe e kemi trimëruar njeri- tjetrin, nuk jemi frikësuar për shkak se kemi pasur shumë njerëz prapa vetes”, tha Lajqi sot, duke shtuar se të jesh në ballë të një lëvizje të tillë është fat.

“Ne kemi bërë pak por ka qenë momenti i duhur, ka qenë goditja vdekjeprurëse. Njerëzit e duhur në kohën e duhur, neve nuk na ka mësuar askush, na ka mësuar koha dhe momenti”, tha mes të tjerash Driton Lajqi.

“Më duhet ta përsëris pasi që gjenerata e re sot nuk e ka krejtësisht kujtesën historike standard, këtë problem e kanë edhe vendet e BE-së, edhe ata e thonë se është mirë që jemi ne nga gjenerata e vjetra që i dimë rrethanat shoqërore historike. Që të shkohet më tutje duhet ta njohim të kaluarën tonë, nga kemi ecur se si kemi ardhur këtu, sepse jo rrallë popujt që nuk i njohin gabimet historike rrezikojnë t’i përsërisin ato”, tha ndër të tjera Driton Lajqi.

Lajqi, pohoi se secila kohë i ka pasur heronjtë dhe veprimtarët e vet dhe nga këndvështrimi dhe pozicionet e tyre janë përpjekur ta bëjnë më të mirën e mundshme. Gjatë asaj kohe, ai shtoi se janë përballur me pyetje të shumta me veten e tyre. “Kush jemi ne, kush është pas nesh, a mund ta bëjmë ne?”, ishin disa nga pyetjet e asaj kohe që vërviteshin përreth këtyre studentëve të rinj që kishin marrë mbi supe një barrë të madhe. Ai tha se jo gjithmonë vullneti ishte i mjaftueshëm dhe në ato raste duke dashur të bësh mirë, ka mundur të kthehet bumerang për të keq, kjo ka qenë një e para por pastaj ka qenë edhe konflikt gjeneratash.

“Edhe sot ju mund të keni konflikt gjeneratash por gjenerata juaj duhet ta ketë një idealizëm të kohës sepse idealizimi është civilizim është edukatë, kulturë dhe identitet”, është shprehur Lajqi.

Ai theksoi se ne kemi qenë viktima dhe se si njerëzit sot nuk ndihen fitues, e që faktikisht do duhej të ndiheshin të tillë sepse kanë arritur ta mposhtin regjimin më të keq, atë të Millosheviqit.

Lidhur me dokumentarin, autori i tij Arsim Lani tha se gjatë realizimit të tij, ai gjithnjë e më shumë është bindur për rëndësinë e protestave si ngjarje të asaj kohe.

“Unë në atë kohë kam qenë rreth pesëmbëdhjetë vjeçare mirëpo gjatë kohës kur e kam realizuar dokumentarin, e kam kuptuar se shumë pak kam ditur për atë kohë dhe duke shfletuar për dokumentarin, e kam kuptuar se sa e rëndësishme është të bëhet një dokumentar për këtë protestë dhe sa pak ne si gazetarë bëjmë dokumentare dhe emisione të tilla për ngjarje të rëndësishme historike” është shprehur Lani sot para transmetimit të dokumentarit, duke vazhduar të thotë se edhe duke mos qenë pjesëmarrës të atyre protestave, si gazetarë sot mund ta luajmë rolin tonë në këtë aspekt, duke dokumentar atë se çfarë ka ndodhur në një periudhe të caktuar, sot që për shkak të zhvillimeve shumë të mëdha,ngjarje të rëndësishme zbehen në harresë.

Krejt në fund, ai tha se këtë përvojë e ka hasur edhe gjatë realizimit të dokumentarit, kur edhe vet protagonistët e kanë pasur të vështirë t’i kujtojnë në detaje të gjitha momentet. / KultPlus.com