2 gushti, Dita e Holokaustit ndaj romëve

Në shumë vende europianë përkujtohet Holokausti i nazistëve ndaj më shumë se 500.000 sintive e romëve në Europën e pushtuar. Parlamenti Europian e ka shpallur 2 gushtin Ditën Përkujtimore të Romëve e Sinti.

77 vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Holokaustit dhe çlirimit të kampeve të përqëndrimit dhe shfarosjes përkujtohen 500.000 viktimat sinti dhe romët që u vranë në Europën e pushtuar nga nazistët, në ditën përkujtimore të sinti dhe romëve, të shpallur nga Parlamenti Europian, 2 Gusht. Kjo datë kujton 4.300 sintit dhe romët e fundit që u vranë këtë natë në dhomat e gazit në Aushvitc-Birkenau. / KultPlus.com

Përkujtesë historike: Kryengritja e ‘Ilindenit’, 2 gusht 1903

Nga Jusuf Buxhovi

“ILINDENI” MBROJTI INTERESAT BULLGARE DHE ASSESI SHQIPTARE!

Kryengritja e “Ilindenit” e 2 gushtit 1903, u iniciua dhe u përkrah nga Bullgaria. Sofja, si dhe Beogradi, kishte interesat që çështja e Maqedonisë të humbte tretmanin e çështjes shqiptare, për t’u kthyer në një çështje që duhej të gjente zgjidhje në copëtimin e saj midis Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë. Jo rastësisht u zgjodh Krusheva (në vilajetin e Manastirit) në mënyrë që ky projekt të fitonte edhe “legjitimitet” etnik të “popullatës së përzier”, shqiptarët e besimit orotodoks ishin shumicë.

Në këtë lëvizje u përfshinë edhe shqiptarët ortodoksë të fshatrave përreth, në njërën anë, si “vullnetarë” të mobilizuar nga Ekzarkati (kisha bullgare). Dhe në tjetrën anë, nga militantët e VMRO-së, që po ashtu, u vunë në veprim për djegien e katundeve shqiptare të besimit mysliman në pjesën e Manastirit dhe përreth, me çka u krijua mundësia për një vëllavrasje shqiptare për intresa të huaja, siç ndodhi në të vërtetë me kundërpërgjigjen që i erdhi nga Myteserifi i Shkupit, i cili mobilizoi redifet nga radhët e shqiptarëve myslimna për ta shuar kryengritjen.

Pra, si e tillë, kjo lëvizje e projektuar nga interesat ruso-sllave dhe të disa faktorëve të tjerë europian, nuk ishte as projekt as interes i lëvizjes kombëtare shqiptare në përputhje me kërkesat e dala në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” ose ato që dolën nga “Lidhja e Pejës” për autonominë shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, që do të kishte fizionominë e një Shqipërie Osmane si urë kalimtare tek Shqipëria Europiane.

Historia ideologjike shqiptare nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi duhet të rishqyrtojë qëndrimet e saj antishkencore rreth kësaj ngjarje! / KultPlus.com