28 Nëntori nga ky vit do të përmbyllet me një fotografi të grave të suksesshme

Gili Hoxhaj

Në shënim të Ditës së Flamurit, dje fshati turistik “N’Mal” në Rekë të Allagës në Rugovë, ka qenë nikoqir i disa emrave të njohur të grave të cilat janë bashkuar për të kujtuar rolin e gruas në historinë shqiptare, shkruan KultPlus.

Nën moton “Të festojmë duke kujtuar”, ato përmes veshjeve të trevave të ndryshme shqiptare e këngës kanë përfaqësuar simbolikisht rolin e grave në çlirimin e vendit, një rol ky që historikisht nuk ka qenë edhe shumë i shpërfaqur.

Në një frymë festive e të nderimit të grave, në një ambient të vetëm janë mbledhur: Princesha Elia Zaharia, Anita Haradinaj, Justina Pula, Yllka Mujo, Shpresa Gashi, Dajana Berisha, Adelina Thaqi, Dijana Toska, Blerta Surroi, Vlora Dumoshi, Adriana Matoshi dhe Hana Haradinaj.

Organizatorja e kësaj iniciative Vlora Nikçi ka treguar për KultPlus se me anë të këtij manifestimi kanë kujtuar ato heroina që nuk patën vend në fotografinë e famshme të 28 Nëntorit në Vlorë.

“Përpos veshjeve tradicionale, kemi festuar me këngët tona të vjetra, me ushqimet tona tradicionale dhe duke biseduar për gratë tona heroina dhe përpjekjet e tyre për lirinë e vendit dhe ngritjen e shoqërisë dhe shtetit. E që janë të shumta”, tregoi Nikçi.

Ajo tutje tregoi se është munduar që t’i mbledhë ato gra që janë dëshmuar si të suksesshme në profesionet e tyre dhe njëkohësisht kontribuojnë në fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe në barazinë gjinore.

“Përpos këtyre grave, kanë munguar edhe shumë gra të tjera të cilat ndodhen jashtë vendit duke na prezantuar shkëlqyeshëm në nivel shtetëror”, u shpreh aktorja Vlora Nikçi.

Nikçi krejt në fund ka treguar që ky aktivitet do të jetë tashmë tradicional dhe gjithnjë do të përmbyllet me fotografinë simbolike të festës së 28 Nëntorit. / KultPlus.com