‘7 arte’ bëhet pjesë e rrjetit evropian të instituteve të arteve

Organizata kulturore me seli në Mitrovicë, “7Arte” është bërë pjesë e e asociuar e rrjetit të Ligës Evropiane të Instituteve të Arteve.

“7Arte” tashmë radhitet në mesin e më shumë se 280 anëtarëve të shtrirë në 52 vende, në të gjitha disiplinat e artit.

“Njihuni me ‘7 Arte’, një organizatë kulturore me mision të mbështesë artistët e rinj, të promovojë dhe zhvillojë një kulturë të përbashkët evropiane, të ofrojë përvoja të reja profesionale për artistët kosovarë dhe të ndërtojë partneritete të vlefshme si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e ELIA-s.

Në njoftimin e kësaj organizate vendore thuhet se ky partneritet pasqyron përkushtimin e “7Arte” në fuqizimin e rinisë së Mitrovicës, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe avokimin për trashëgiminë kulturore dhe artistike./rtk/KultPlus.comlajm

“Java e Filmit Kosovar” organizohet në Mitrovicë

Pas sukseseve të kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare, organizata kulturore 7Arte organizon një javë me shfaqjen e filmave më të njohur Kosovar, shumica prej të cilëve shfaqen për herë të parë para publikut mitrovicas.

Për shtatë ditë me radhë, duke filluar nga 20 –26 qershor, nga ora 21:00, do të shfaqen 8 filma në ambient të hapur, më konkretisht në terasën e 7Arte që gjindet në qendër të qytetit.

Programi i filmave të paraparë për këtë javë: “Luaneshat e Kodrës” (83’), “Zana”(97’), “Babai” (94’), “Cirku Fluturues”(115’), “Zgjoi” (84’), “Pa Vend (15’); Në Mes (18’), si dhe “Rooftop Story”(74’).

“Java e Filmit Kosovar” në Mitrovicë fillon me shfaqjen premierë të filmit “Luaneshat e Kodrës” nën regji të Luana Bajramit, e cila bashkë me producenten Valbona Rrahmanin, do të jenë të pranishme dhe do të bashkëbisedojnë me audiencën pas shfaqjes së filmit.

Të gjitha të hyrat nga shitja e biletave do iu dedikohen kineastëve kosovar, si mbështetje e cila përkon edhe me vet qëllimin e organizatës 7Arte. Ky aktivitet realizohet në koordinim dhe mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës si dhe produksioneve filmike.

7Arte përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut./ KultPlus.com