A të duhen luftëtarë, gjithë botës t’i vësh zjarrë, do armiku arratinë të marrë, merr nja dhjetë Kosovarë!

Sot për nder të 138 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të fuqishme të tij.

Poezi nga Fan Noli

A të duhen luftëtarë,
Gjithë botës t’i vësh zjarrë ?
Do arratinë të marrë ?

Merr nja dhjetë Kosovarë!

Njerez të zgjuar me lezet
që i gjen në ç’do anë,
të bëjnë hallv’ e salep,

keta janë mjeshtrit Dibranë.

A do njerëz për ahengje,
Për tryez’ e për kuvende ?
Burra e gra kërcejn’ në lodër ?

Keta i gjen veç në Shkodër!

A të duhen gënjeshtarë,
matrapaz’ e kokëtharë,
që rërën shesin për farë ?

Merr Krutanë dhe je i larë!

Po qefli a të duhen
që me jevga din’ e kruhen,
Zonja që pjellin çdo vit ?

Vetëm Elbasani rrit.

Do ministra Kolonjarë,
se mbahen burra me mënd,
duan kudo të jenë të parë

në mexhlis’ e në kuvend !

Do budallenjë që veç hanë,
e hajvanë me dy këmbë,
pasuri s’dinë të vënë ?

E ke gjithë Myzeqenë!

A do te rruash florinë,
katandinë e shtëpinë,
me dy qofte mbush sininë ?

Ec’ e merr Gjirokastrinë !

Do të hash e të besh qejf,
Sofra shtruar si për mbret ?
Pastërti e për hyzmet ?

Të tillë gjen në Përmet

A do male me dëborë,
Trima t’ fortë e malësorë,
fort bujar’ e burrërorë ?

I ke n’ Kukës, i ke me dorë !

Matjanët burra të zotë,
që dikur kanë ngrenë barot,
se i njeh gjith’ vendi mbarë,

Janë të gjithë për xhandarë !

A do trima e sejmenë,
kapardisur kudo venë,
pa zëre gjumi mos flenë,

Për tre Mirditor’ bëj benë !

Do dembela për Stamboll’,
Mos u loth, t’ gjezdiç dynjanë,
Më Tiranë rresht’ taborrë,

Vetëm të zgjatësh një dorë !

Do për punë një Korçar,
E ke bujk dhe ushtar,
Te gjith’ bashkë venë në arë,

Kok’ e këmbë s’kanë të sharë !

Hall i math me Skraparlinë,
ka rrezik të hash dhe dru,
Dy ministra le rrinë,

Se na duhen dhe pa tru !

A do urt’ njerzit të rrinë,
Në komandë të kesh ushtrinë ?
Me taban ta kesh njerezinë,

Merr të gjithë Labërinë !

Ore të gjorë harruam Vlorën,
se kjo punë lahet me gjak;
Dy shirita, një medalje,

Kësaj gjëje i venë kapak !

A të duhen sharlatanë,
që të lëpihen në ç’do anë,
që të përçajnë vatanë?

Ke sa të duash Tropojanë !

Fan Noli 1926. / KultPlus.com