“Dashuria e thjeshtë” me koreografi të Roberta Ferrara sonte në teatrin AAB “Faruk Begolli”

Sonte teatri AAB “Faruk Begolli” në kuadër të festivalit “Albania Dance” do të sjellë shfaqjen “Dashuria e thjeshtë”. Kjo shfaqje vjen me koreografi dhe koncept të Roberta Ferrara, me këshilltar muzikor Vito CAusarano, ndërsa në skenë shfaqja do të vije përmes Silvia Sisto & Nicola de Pascale, shkruan KultPlus.

“Dashuri e Thjeshtë” është një rrëfim i thjeshtë ku strukturat e fjalës dhe strukturat joverbale nuk janë te nevojshme. Gjesti i treguar në formë të shenjtë e të deshifruar do ta zërë vendin e foljes, përmes trupave të cilët lëshohen dhe ngërthehen me njëri tjetrin dhe heshtazi vështrojnë se si Dashuria dhe Arti të ngërthyera janë të brishta e delikate. Është një pasqyrim i pastër i ndjenjave: një vorbull, një nxitje e balancit dhe kompromisit që duhet gjetur vizualisht bashkë me trupin, kurse konceptualisht me zemrën dhe mendjen

Sinqeriteti është prapaskena e kësaj vepre që nxit momente të qetësisë, kujtimeve, aromave; një nevojë për të gjetur paqen e brendshme, një moment kur koha dhe hapësira nuk ekzistojnë dhe japin një dashuri të thjeshtë e të çiltër.
“Dashuri e thjeshtë”, shfaqet sonte me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com

Nëpërmjet rebelizmit të Medeas, shfaqja iraniane solli historinë e grave të vuajtura

Nata e katërt e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″ (PITF 2017), solli ekipin iranian me shfaqjen “Speak Medea” në AAB Teatrin ‘Faruk Begolli” , shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila synon njërin nga çmimet e festivalit erdhi nën regji të Mehdi Sheikhvand dhe në lojën e aktorëve: Clara Corona, Darya Nazari, Fatemeh Abrishami Movahed dhe Vida Gharagozlou.
Medea, është personazhi kryesor e cila mbi vete barte historinë e grave të vuajtura, por që nuk i reshtin përpjekjet për të mos u nënshtruar. Brenda skenës, e varur rrinte një kurorë mbretërish e cila i nxirrte në pah idealizimin e ndjenjës për të udhëhequr, e pak më larg saj rrinte i varur një litër i cili shfaqej si ngushëllim i ikjes nga frika e tërbimi.

Historia e personazhit Medea flet fuqishëm për zërin e munguar të grave, e shpresën e shuar për të fluturuar drejt ëndrrave të veta. Rruga e saj mbahet në një litar të hollë, i cili s’i mban gjallë asnjë shpresë. Ajo derisa përshkohet nga ndjenja e nënçmimit që i vjen, e sheh hakmarrjen si të vetmen rrugë ndaj burrit të saj Jason, për të cilën kishte bërë gjithçka gjatë jetës se saj.

Jason kur paraqitet në skenë e sheh vetën si një burrë dhe baba ideal, mirëpo dëshira për pushtet e mban larg këtyre tipareve derisa dhe vetë shfaq frikë për t’i mbrojtur gratë. Medea, e kapluar nga dhimbja e tërbimi dëshmon se asgjë nuk i përket asaj, madje thotë se as gjaku, e as trupi s’është i imi. Në martesë gratë janë pronë e bashkëshortëve të tyre, ato duhet të durojnë dhimbjet e lindjes e kur braktisen nga shtëpia, mbesin pa asgjë, ishin fjalët vajtuese pas të cilave fshehte mllefin.
Përmes fjalimeve të saj ajo kërkon që dhimbjen e saj ta bart në hakmarrje për Jasonin. Pas këtyre fjalëve sundimtari i vendit, Creoni një burrë hijerëndë vjen me urdhëresën për ta larguar nga vendi pasi që ai e ndjenë rrezikun se ajo mund të përdorë zgjuarsinë e saj për t’u hakmarrë ndaj tij, Jasonit dhe vajzës së tij Galuce, dorën e të cilit Jason e kishte kërkuar për martesë. Ndërsa në anën tjetër Medea lutet vetëm edhe për një ditë qëndrimi, për hir të fëmijëve të saj. Mbi të gjitha Medea nuk i rresht përpjekjet për të sjellë hakmarrjen në botën e burrave, në një shoqëri ku gratë mbesin të nënshtruara dhe larg pjesëmarrjes në jetën publike.

Kanë mbetur edhe dy netë për të përfunduar edicioni i parë Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, ndërsa nesër pritet që në skenën e teatrit të vijnë edhe ekipi maqedonas me shfaqjen “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia dhe “Armiku i Popullit” nga Kosova./KultPlus.com

Teatri i Sofjes zbriti sonte në PITF ku shpalosi përpjekjet dhe koston e lirisë njerëzore

“Shërbëtoret” është shfaqja nga ekipa bullgare që erdhi në natën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, i cili po mbahet në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje ishte e realizuar nga produksioni National Theatre, me autor Jean Genet dhe me regji të Diana Dobrevo. Aktorët të cilët performuan në këtë shfaqje janë: Joreta Nikolova, Aleksandra Vasilevo, Diana Dobrevo, Muja Shishkova, Niya Shiskovo. Shfaqja është në garë për njërin nga çmimet e këtij festivali, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol kryesor, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë.

Në fokus të kësaj shfaqje paraqiten në rolet e dy shërbëtoreve, Sollanzh dhe Klara duke trajtuar kështu përmes tyre jetën dhe lirinë njerëzore. Ato të rritura në një shtëpi duke ushtruar gjithnjë rolin e shërbëtoreve, tërë jetën e tyre shërbehen me synimin për të ikur nga thundra e zonjës së shtëpisë. Të uritura për jetën dhe pushtin e Madam, në momentet kur ajo nuk gjendet në shtëpi ato mbulohen në petkun e saj të kuq, ulen në karrigen e saj dhe hidhen pas planeve për ta vrarë atë. Planet e tyre vazhdimisht të dështuara dhe pamundësia për të vrarë zonjën e tyre, bën që këto përpjekje ato t’i kthejnë për të vrarë njëra- tjetrën dhe vetën e tyre.

Drejtoresha artistike e festivalit, Burbuqe Berisha këtë shfaqje e cilësoi si një homazh për lirinë e të pafuqishmëve për me qenë të fuqishëm, ndërsa ardhjen e kësaj shfaqje nga Teatri Kombëtar i Sofjes e cilësoi si nder të madh për këtë festival dhe për publikun duke theksuar punën e aktorëve dhe veçanërisht të regjisores, të cilën e vlerësoi si njërën nga regjisorët më të mira në rajon.

Regjisorja e kësaj shfaqje, Diana Dobrevo tha për KultPlus se ndihet e lumtur që është pjesë e fillimit të këtij festivali, dhe tha se ndihet mjaft e lumtur që para publikut kosovar solli sonte këtë shfaqje në fokus të cilës ishte përpjekur që përmes dy personazheve kryesore të sjellë koston dhe përpjekjet për liri njerëzore.

Përveç kësaj shfaqje, në programin garues, nata e dytë e festivalit u pasua dhe nga shfaqja e dytë musafire “Shenjëtorja e errësirës”, një biografi teatrale kushtuar jetës dhe veprës së shenjtores shqiptare, Nënë Terezës. Kjo shfaqje është luajtur qindra herë në teatrot e Kroacisë e Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa sonte solli emocione të veçanta për publikun kosovar.

Ky festival do të vazhdoi të jetë i hapur deri më datë 21 tetor. Netët në vijim edicioni i parë i këtij festivali do të mirëpres edhe këto katër shfaqje garuese : “Vdes siç vdes një vend” nga Shqipëria, “SPEAK MEDEA” nga Irani, “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia, “Armiku i Popullit” nga Kosova. / KultPlus.com

Sonte nis ‘Prishtina International Theater Festival’

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, i cili është themeluar në hapësirat e Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në qershor të vitit 2017, ka shpalosur programin për këtë edicion, shkruan KultPlus.

Në skenën e këtij teatri, do të shfaqin punën e tyre artistike trupa teatrore të vendeve e të rajonit.

Festivali fillon sonte më datë 16 tetor dhe zgjatë deri më datë 21 tetor. Këto data janë rezervuar për gjashtë shfaqje të mrekullueshme nga vendi dhe rajoni.

“Dhe jetuan të lumtura…?” – Kroaci, “Shërbëtoret” – Bullgari, “Vdes siç vdes një vend” – Shqipëri, “SPEAK MEDEA” – Iran, Darka e Thërrimeve – Maqedoni, Armiku i Popullit – Kosovë, janë shfaqjet që do të mirëpriten përgjatë këtij edicioni të parë të festivalit. / KultPlus.com