Jam shpia e grave të egra, jam britma e tyne hakmarrëse

Nga Ada Halilaj

Jam shpia e grave të egra
jam britma e tyne hakmarrëse
asgja të mëndafshtë s’kam
përveç përtypjes.

Jam pyll që pret me lind kafsha e parë e dimnit
Për orën në zemër,
jam një kafshatë jetë e vdekje bashkë

vritem nga ata që s’më vrasin
vras ata që s’vriten
Deri n’gju më mbërrin qielli
zogjtë e tij në sqep më sjellin uri të largët,
uri që më josh,
uri që më banon.

sytë më rrinë në vend
por jo shikimi
teshat më veshin prapë
prapë
si një kukull të mitun
m’mësojnë me kja.

Por inç për inç
dhimbje për dhimbje
lëndinë për lëndinë
trupi jem hup copa të vjetra
kile të shterrshme andrrash.

ky trup që s’ma xen ma shpirtin
as kjo dhomë
as ky qytet
që natën e tij nuk përzin me temen.

Jam goja e grave të egra
jam korja e bukës në ujë
nuk mbytem
nuk zbutem
nuk hahem
shpërbahem.
Më duhet me e zgjanu mishin
me i tjerr eshtnat
me e zbraz gjakun në një enë të bardhë
me u liru dursh
kambsh
me u lanë me m’tretë
mandej me u shtri mbi lumin që qesh nga malli
për të palëvizshmen e gjallë.

Jam shpia e grave të marra
jam dielli i prishun në pjatë
jam cehre e frikshme
jam mur
pa micën mbi bark
pa këmishën e forcës
pa vetminë që zien mbi zjerm,
pa flokët e mi të përjetshëm

jam mur
jam shpi.

‘Unë jam një nga një milion e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë’

Ada Halilaj

Unë jam një nga një milion e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë.

Jam bijë e gjakut malësor;fëmijë i dy prindërve me arsim 8-vjeçar,njerëz të një dinjiteti madhështor,të një thjeshtësie mallëngjyese,të një krenarie imponuese,punëtorë kooperativash,vjelës duhani,shitës kavanozash,shtëpijakë e në fund nëpunës shteti.Jam vajza e një nane bujarisht të dashtun por edhe e sertë në rregulla dhe dirigjente në kërkesa dhe i një babai fjalëpaktë,mendjehapun e besimdhanës.Jam vetë mësuese e vetë nxanëse e lirisë teme,të cilën deri vonë,e kam mbrojt si kafsha këlyshin e vet.Një grua e gjykume për prejardhjen ‘joqytetare’,për tatuazhet,për udhëtimet vetëm,për pavarësinë e mendimit të ftohtë,për refuzimin e religjionit të prindërve,bindjet politike të vetëformume,për tërheqjen nga spektakli i traditave,për njeriun që dashurova,për poezitë erotike,për shkrimet feministe,për zanin e të drejtës,për vetëvendosjen,për guximin,për besimin e palëvizshëm në vedi.

Jam një nga ato gratë për të cilat flitni në pauzat e kafeve,në mbledhjet familjare,në vesh të njeni-tjetrit.Një nga ato gratë që ndeshni me bërryl,tregoni me gisht,shihni me bisht të synit,ua harroni emnin apo s’keni njoft kurrë.

Gra si nana jeme,e treta e 9 fëmijëve,e lindun dhe e rritun nën brinjë të malit;e ushqyme me racion buke;e veshun me tesha të qepuna e të shqepuna;e mësume me hap sytë pa lind dielli,me kullot bagëtitë,me mbledh shërbelë,me ec gjysëm ore për shi e borë deri në bankat e shkollës,me andrru pak e me punu shumë.Pengu i saj ma i madh asht humbja e bursës së studimit në Shkodër për vendim të të atit e privimi nga një mundësi e dytë shkollimi për vendim të vjehrrisë.

Gra si kushrina jeme,e cila tentoi disa herë vetëvrasjen për shkak të dhunës sistematike të bashkëshortit dhe pikëllimit nga turpi i pafrenueshëm me kërku ndihmë nga familja.

Gra si Meli,e fejume me zor në moshën 12 vjeçare sepse trupi i saj, krahasu me shoqet,ishte ma joshës,ma trazues e kërkesat e dorës sa vinin e shtoheshin në shtëpi.
Gra si Ida,që pranon pasivisht bashkëjetesën me një burrë pijanec,të dhunshëm dhe të papunë sepse e zgjodhi vetë,me dashni e me ngulm,kundër gjithkujt e gjithçkaje,e i vëllai nuk e merr mbrapsht motrën e ndame me dy fëmijë të “huaj” në prehën.

Gra si Ola,babai i të cilës ka vite që nuk i flet me gojë,vetëm sepse lindi një fëmijë jashtë martese.
Gra si Ohrida,që duhet të fshihet nëpër kafene të errëta apo në lokale periferike me të dashtunin e saj,duhet t’i ruhet paditjes së kureshtarëve sepse vajzat e këtij vendi nuk mund ta jetojnë lirisht njohjen me një djalë.Ua fshehin prindërve nga frika.Ua rrëfejnë shoqeve nga ngazëllimi…sepse këtu,dashnia e pashpallun,e pazyrtarizume,e papërkrahun nga familjet përkatëse,shtrëngohet në turp,në marre,në koritje.

Gra si Xhulia,që mendon se virgjëria asht garanci për një martesë plot besim dhe krenari mashkullore…se kështu i kanë thanë,se kështu e kanë bind.
Gra si Lela,të brymosuna aq fort me frymën e nënshtrimit,sa besojnë plotësisht e verbnisht që urtësia dhe heshtja shiten mirë në tregun e opinionit të masës dhe se një grua e mençun nuk kundërshton,nuk e braktis vendin që i përket.
Gra si Artemisa,që detyrohet të organizojë dasmën në kohë rekord,me ngut dhe ankth sepse pret një bebe e familja nuk ia don barkun te goja në pragun e një shtëpie që s’asht ajo e të shoqit.

Gra si Pranvera që zgjohet e para e flen e fundit,që përgatit njëherazi mëngjesin e drekën nën dritën e vakët të kuzhinës, duke tregu kujdes maksimal që të tjerëve mos t’u cënohet gjumi,që punon mekanikisht 8 orë në një fabrikë këpucësh në anën e kundërt të qytetit,që kur kthehet e rraskapitun e me rrathët e syve të ramë,duhet t’ia fillojnë nga e para avazit të pafalshëm shtëpijak.Darka,pjatat në lavaman,detyrat e fëmijëve,rrobat e pahekurosuna në raft,mendimi se ça do gatuajnë të nesërmen,pa prit asnjë shenjë ndihme nga askush përveç duarve të saj.
Gra si Linda,e cila punon sa dyfishi i të vëllait në biznesin e familjes por paguhet sa gjysma e tij sepse djali,në ngushtësinë e mendimit patriarkal,asht shtylla e shtëpisë,trashëgimtari qëndror,andaj meriton ma shumë.
Gra si Inesi që dirigjon një organizatë të njohur,udhëton shumë,jeton vetëm,fiton mjaftueshëm para sa të mos ketë nevojën e askujt por që për tagrin publik karriera e saj asht fitu në këmbim të trupit të saj.
Gra si Luçiana,e cila prej 25 vitesh jeton me dy prindërit e bashkëshortit dhe nën ligjivënien e plotë të tynen përjashtohet nga vendimet familjare.Që nga emrat e fëmijëve e deri te blerjet ushqimore,Luçiana nuk ka zà me nxjerr.
Gra si Denisa,e cila pas lindjes së katër vajzave tenton kërkimin dëshpërues të djalit në një shtatzani të pestë dhe aborton me dashje sapo ekografia nuk ua përmbush pritshmëritë.
Gra si Jonida,dikur balerinë e një talenti premtues,e sot gruaja e një burri fanatik,xheloz e prepotent që e detyroi të hiqte dorë nga baleti,të vishte fundin nga gjuri e poshtë e të izolohej nga gjithkush në kullën e “artë”të vetmisë.
Gra si Ela,që nuk mundi të triumfonte karrierën si peshëngritëse sepse i ati nuk donte vajzë me profesion burrash.
Gra si Gonxhja,e cila mbasi ka pastru gjithë ditën stallën e lopëve,e këput gjumi duke parë telenovelën e preferume,të vetmen aventurë të lejueshme nga realiteti.
Gra si Kristina,e cila ka 3 javë që nuk takon prindërit,me urdhën të të shoqit,mbas një debati të cekët të këtij të fundit me burrin e motrës së saj.
Gra si Fatimja,e deklarume e vdekun nga familjarët pse u dashurua me një djalë të një feje tjetër.

Gra si Emanuela,që një pallat i tanë mezi pret ta fejojnë pas “turpit” të dështimit të fejesës së parë.
Gra si Nora,me shkollë,me profesion,me rrogë të mirë,me një burrë të pashëm që shihet me keqardhje dhe dyshim kur pyetjes se kur do bahet nanë,i përgjigjet:Jemi mirë kështu siç jemi!
Gra si Drita,e urtë,e butë,e sjellshme,punëtore,shembullore por “fatkeqësisht” e pabukur,e si e tillë e mëshirume kolektivisht.

Gra të palumtuna,të papërmbushuna,të paragjykume e të dhunume egërsisht.Gra me emën po pa identitet.Gra pamjaftueshmërisht të bukura,të mira,punëtore,nikoqire,pjellore…pamjaftueshmërisht të qeshuna,të dashtuna,të binduna…pamjaftueshmërisht bashkëshorte,nana,bija,nuse.
Gra të keqpagume,të keqtrajtume,të keqkuptume.

Për to,për nanen teme,për vedin…shkruej,luftoj,protestoj,qëndroj.
Festa mund të presin.Rruga drejt saj nuk shtrohet me lule!

Për gratë që do ta pshtojnë këtë vend

Shkruan: Ada Halilaj

Asht Shkodër.

Ora 7 pa 10.

-Takohna te Bar Flo-më shkrun-Te truma e Dugajve të Reja,sa hyn në pedonale,majtas-më shpjegon kur i kërkoj me ma rifresku pak memorien e lokaleve në qytet.

Pres disa minuta.Humbas majtas e djathtas me sy e pendohem që s’kam marrë me vedi gjyslykt e miopisë.Sa turbullt shoh!Ma në fund vjen nga e djathta jeme.Me flokët deri në klavikul,me mollëzat e guximshme,me fustanin e paqtë.Duket sikur ka dalë nga krahnori i një stine bardh e zi.

Flasim pa pauza të ndërmjetshme.Unë xhestikuloj shumë.Ajo pin cigare mbas cigareje.Artikulon saktë,ftoftë,me vetëdije metalike.Nuk ma ndërpret fjalen asnjëgerë.Ka një durim të përsosun dialogu.Qesh rrallë,por nuk asht e trishtume.Asht e zemërume,ndoshta pak shtegtare!Ka luftë,zjerm e stuhi në çdo inç të sajin.Nuk përmbahet po as nuk zgidhet.I vjen era liri edhe pse çdo natë struket të i njejti kafaz,prej të cilit i asht mbledh nyje një dëshirë e shfrenume ikjeje.Një prerje Cezariane perfekte rrin midis saj dhe turmes.E prapë mbi atë tokë i lëshon kambët si dy kuaj të etun për vrap.E unë mendoj:Vajza si kjo do ta pshtojnë këtë vend.Pse?Sepse thotë të vërtetën pa iu dridh as zàni e as qërpiku,mbron të vërtetën pavarësisht se prej cilës gojë del.

Mendoj,ndërkohë që ajo porosit një lang frutash, që arti,poezia,e bukura nuk e pshtojnë botën.Ato e rindërtojnë nga thërrimja ma e imtë por kjo botë ka nevojë të dëshpërume për të vërtetën,sidomos atë që dhemb me çdo dhimbje që gjen përpara.Prandaj na duhet vajza si Brigela Demaj.

Prandaj asaj dhe plot vajzave dhe grave si Rreze Abdullahu,Oli Pero,Gresa Hasa,Elona Culiq,Adela Radovani,Sibel Halimi,Entela Tabaku Sorman,Eli Krasniqi,Arjola Zadrima,Valbona Quku Lishi,Vlora Kanushevci,Silvi Bakiri,Mirela Kapaj,Nina Cara,Egla Harxhi e shumë të tjera plot pasion,ironi,talent,shpirt e vizion, u jam mirënjohëse dhe u them falemnders,falemnders që s’pushoni udhëtimin shpresëdhanës të mendimit të lirë në një Shqipni e Kosovë të mbledhun grusht.

Këto gra janë gratë e zemërume,gratë me zà,me tamth,me qëllime dhe ideale,gratë e egra,gratë e protestave,rezistencës dhe anti-konformizmit,gratë që s’e kanë ndërmend me vdekë nën diktaturen e burrave apo nën hijen e modelit të gruas tradicionale shqiptare,i cili vazhdon ende me përfaqësu modelin e parë reference për vajzat e reja.Gruaja sot,edhe pse punon dhe kontribuon financiarisht në familje,ka makinë personale dhe del darkave me kolektivin e punës,vazhdon të mbahet fort për jaken e burrit,vazhdon ende ti mësojë vajzes si bahet byreku dhe djalit si luhet me shpatë,vazhdon me mbyll një sy kur e vret ajo që sheh dhe me ba nje vesh shurdh kur e indinjon ajo që ndigjon,vazhdon me çu përpara një mendësi të ç’armatosun nga dinjiteti dhe një trup që ka frikë t’i ngjitet malit.

Nuk na mungojnë gratë e forta në këtë vend,por gratë që ndihen krenare për forcën që kanë dhe nuk kanë turp të rrëfehen si të tilla.

Nuk na mungojnë gratë shembullore,po gratë që i ngjajnë andrrave që kanë dhe jo shembujve të trashëgum.

Nuk na mungojnë gratë e shkathta,por gratë që shkathtësinë individuale nuk ngurrojnë ta derdhin në kauza universale.

Nuk na mungojnë gratë inteligjente,por gratë që nuk ndihen superiore,të privilegjume apo ma të bukura se të tjerat.Na mungojnë gratë që nuk i vejnë kambën grave.

Nuk na mungojnë gratë e suksesshme por gratë që ndihmojnë në suksesin e të tjerave.

Nuk na mungojnë gratë luftarake,por gratë që mbasi kanë luftu trimnisht për lirinë e vedit,përkrahin edhe betejat e shoqeve.

Na mungojnë gra që flasin sidomos kur komandohen me besu që heshtja asht gjithmonë mike e mendjeve të urta.

Gra që reagojnë,sidomos kur urdhnohen me u mënjanu e me pa punën e tyne.

Gra që kur shohin gratë e tjera duke shku drejt humnerave,bashkohen me i ndërtu një urë.

Gra që nuk paragjykojnë gratë e tjera por ua ndigjojnë historitë deri në fund.

Na mungojnë gra që mbasi provojnë mëshirë,keqardhje dhe dhimbje,shpërvjelin mangët dhe në të voglën e tyne, pagzojnë ndryshime themelore.

Këto janë gratë që du.

Këto janë gratë që do ta pshtojnë të ardhmen..

Gra që nuk i xen vendi vend,që nuk rrinë gjatë me duart kryq në gjoks e që nuk ulen me fjetë pa i ba vedit dy pyetje e dy premtime.

Gra që dojnë fort gratë e tjera,duke e ditë se sa thika na ngulen në shpindë sapo shohim pak drejtë,duke e njoft mirë tokën e minume në të cilën shkelim përditë,duke dëshmu se shumica na e dojnë trupin,flokët,sytë,buzët e barkun por jo shpirtin.Shpirtin na e dhunojnë,na e ndryjnë,na e fshehin nën shtatë lëkura.

Gra që dhimbjet nuk i vejnë në gjumë por ua kërkojnë ilaçin.

Gra që s’më ngjajnë aspak,s’më dojnë aspak,s’më vlerësojnë aspak por që nuk tentojnë asnjëherë me m’i vra andrrat e me ma djeg lirinë.

I du gratë që besojnë në Zot po aq sa ato që n’Zot s’betohen kurrë…i du gratë që punojnë tokën e ata që punojnë në kulla vrojtimi,i du gratë-nana po aq sa gratë-gra,du gratë racionale dhe irracionale,gratë e vetmive dhe gratë që vetminë e trembin me gurë.I du gratë që zgjedhin vetë por nuk bajnë moral mbi zgjedhjet e të tjerave.

I du gratë që edhe kur nuk arrijnë me vu vetë dorë mbi ballin e jetës,e pranojnë përçmimin për shtypjen dhe nënshtrimin e nuk tregojnë përralla mbretnore tek të cilat nuk besojnë as fëmitë.

I du gratë që bajnë sa munden,por të paktën bajnë diçka.

I du gratë që shkaktojnë vorbull sociale (patriarkale),që bajnë zhurmë dhe që nuk i ngjajnë pritshmërive ekstreme:të shenjtes dhe përfeksionit.

I du gratë e vërteta,gratë e sinqerta,në të mirë e në të keq.gratë që flasin troç,të shohin në dritë të syve dhe nuk kanë frikë as nga kush je ti,as nga sa lekë ke në xhep,as nga sa njerëz të njohin atje jashtë.

I du pafundsisht këto gra,duke fillu nga gruaja që po shkrun,nga vedi.

Ada Halilaj : https://woman-being.com/2017/08/19/per-grate-qe-do-ta-pshtojne-kete-vend/