‘Nuk është diçka e njëanshme’

Shkruan: Milot Gusia, Kritik i Artit

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, u hap ekspozita me titull “Nuk është diçka e njëanshme” nga artisti Adem Dërmaku, kuruar nga Eleni Laperi. Artisti Dërmaku u prezantua me 50 punime në teknika të ndryshme të artit të grafikës.

Titulli “Nuk është diçka e njëanshme” ka të bëjë me marrëdhënien e artistit me shikuesin e tij. Dërmaku dëshiron që veprat e tij asnjëherë të mos mbesin të njëanshme. Artisti dhe audienca e tij varen nga njëri tjetri për të plotësuar rolet e veta, artisti si krijues dhe audienca si pranues. Nganjëherë ata ndërveprojnë si bashkë-krijues. Marcel Duchamp, figura lidere e lëvizjes Dada, pohonte se: “të dy artisti dhe shikuesi janë të domosdoshëm për kompletimin e veprës së artit.” Ai argumentonte se vepra e artit nis me artistin – shpesh duke punuar i izoluar në studion e tij – dhe nuk është e kompletuar derisa është e vendosur jashtë në botë dhe e shikuar nga të tjerët. “Akti i krijimit nuk është i performuar vetëm nga artisti; spektatori sjell veprën në kontakt me botën e jashtme duke deshifruar dhe interpretuar përmbajtjen e vet të brendshme dhe ashtu duke shtuar kontributin e tij në aktin kreativ” (Duchamp).

Megjithëse arti është i krijuar për audiencën, kjo nuk do të thotë se i gjithë arti i krijuar është ekspozuar për audiencën, dhe normalisht edhe arti i paekspozuar mbetet art. Veprat artistike mund të jenë të humbura, shkatërruara, apo nganjëherë të fshehura, por ato përsëri mbeten vepra arti. Madje veprat e shumë artistëve, fillimisht të konsideruara si të pavlera dhe joprofesionale, më vonë kanë fituar miratimin ndërkombëtar dhe janë bërë pjesë e muzeve të shumta bashkëkohore. Ndoshta audienca e kohës nuk kishte konsideruar krijimet e artistit si vepra arti. Nganjëherë koha duhet të kalojë për një audiencë të vlerësojë një vepër të caktuar artistike. Por, duhet pranuar idenë se audienca është ajo që kompleton veprën e artit. Një vepër arti është e krijuar për të komunikuar një ide, ndjenjë, koncept apo përvojë, dhe duhet të ekzistojë një shikues për ta përjetuar atë.

1.”Shaqiri” Foto Galeria e Ministrisë së Kulturës

Dërmaku në këtë ekspozitë tenton të përqafoj një art më shumë konceptual dhe të lirë pamor.

Ai poashtu në artin e tij tregon elemente të artit fëmijëror dhe vernakular. Arti fëmijërorë është një term i krijuar nga Franz Cizhek në vitin 1890. Sipas Cizhekut: “Arti i çdo fëmije reflekton nivelin e tij të vetëdijes për veten dhe integrimit të tij në mjedisin e vet”. Vlerësimi estetik i artit fëmijëror si një forme krijimi të pazbutur nga shoqëria ishte lartësuar nga Franz Cizheku, i cili vizatimet e fëmijëve i quajti “Mrekullia e Artit”. Zbulimi i cilësive estetike të shprehjeve të pa shkathëta vizuale të fëmijëve është e ndërlidhur me vet artin modern, dhe shumë drejtime në art, në mes tyre

dhe Secesionin Vjenez. Madje, vet Pikaso kishte thënien e tij të mrekullueshme: ”çdo fëmijë është një artist. Problemi është si të mbetemi artist pasi të rritemi”. Arti vernakular dhe fëmijërorë i Dërmakut ngjason me gjuhën e thjeshtë të lirë nga kufizimet e gjuhës dhe dialogut akademik. Ashtu si një dialekt i folur në përditshmëri, arti i tij krijon një klasifikim autodidakt, si një idiomë vizuale e mënjanuar nga ndikimi akademik.

2.”Zogu i Zi” Foto: Galeria e Ministrisë së Kulturës

Në veprën “Zogu i Zi” e gjithë sipërfaqja e kompozicionit është e mbushur me një mur, prapa të cilit është i vizatuar një zog me ngjyrë të zezë. Muri është një motiv i përhapur në veprat e Dërmakut. Muret na mbajnë të sigurt por edhe na ndajnë. A duhet ti jemi mirënjohës mureve apo ti frikësohemi?

Muret janë kufizime, por jo të gjithë muret na ndalojnë. Muret e shtëpive janë qëllimisht të kalueshëm. Megjithatë, ato mbesin mure, aty për të formuar një perde dhe barrierë pas të cilës njerëz me bindje të ndryshme mund të qëndrojnë. Muri gjithmonë ka dy anë dhe dy koncepte të ndryshme për njerëzit në secilën anë të tij. Madje edhe muret që përbëjnë shtëpitë tona na krijojnë një ndjenjë të strehimit. Ata që lejojmë të kalojnë murin në hapësirën tonë intime poashtu tregon për një dimension të besimit.

Qyteti i Berlinit ishte i ndarë në dy gjysma me ngritjen e murit në mes të lindjes dhe perëndimit, një barrierë fizike e shoqëruar me gjerësinë e tokës së askujt të njohur si “shiriti i vdekjes”, mbi të cilin kullat vrojtuese dhe ushtarët e armatosur mbanin roje. Nëse ndonjëherë muri do të kishte një rol simbolik si dhe fizik, atëherë do ishte shembulli i Murit të Berlinit. Ai ishte një simbol i perdes së hekurt që i bëri kushtet e jetesës njerëzore aq të kundërta.

Muret i hasim edhe në bisedën e përditshme, dhe konotacionet janë gjithmonë negative. Nëse dikush nuk na dëgjon, ne jemi duke hasur “një mur” metaforik. Ndoshta nganjëherë themi se dikush ka ndërtuar një mur mes nesh. Joseph Fort Newton dikur kishte thënë “Njerëzimi ka ndërtuar shumë mure dhe aq pak ura”. Muret janë gjëra të ngurta, të palëvizshme dhe të fuqishme. Ato mund të na ofrojnë siguri, por poaq shpesh ato janë simbol i ngujimit.

3.”Mbledhja” – Foto Galeria e Ministrisë së Kulturës

Në veprën “Mbledhja” kemi prezentë një grumbull karrigesh të vendosura në rreth. Shpesh përdorimi i karrigeve të zbrazëta nënkupton përfshirjen e njerëzve në hapësirë – të kaluar apo të tashme, apo, mungesën njerëzore. Karrigia simbolizon mungesën dhe shpresën e kthimit. Ajo nënkupton vetminë apo një vend të qetësisë dhe pushimit. Karriget në këtë hapësirë të papritur sigurojnë një evidencë të prezencës së afërt njerëzore apo evidencën e banuesve të harruar të një hapësire të braktisur. Ajo është poashtu një simbol i fuqisë që nga fronet mbretërore deri tek ulëset e politikanëve. Karrigia mund të bëhet një “mik” në kohëra të vetmisë, dhe miqësia me te në kuptimin metaforik është e vështirë të harrohet.

Karriget kanë personalitet. Van Gogu kishte pikturuar karrigen e verdhë me llullë në te si një autoportret. Ajo është e përulur dhe e thjeshtë krahasuar me pikturën e karriges arrogante, te dekoruar dhe autoritative së Goginit. Tek Dërmaku, poashtu një karrige është më e veçantë se të tjerat: Ajo është e kthyer me shpinë. Dërmaku në veprën “Mbledhja” ka përzgjedhur karriget për të treguar lojën politike për pushtet, ndërsa karrigia e kthyer nënkupton një lojë mashtruese dhe jo të drejtë.

4.Vizatim “Duart” Foto Galeria e Ministrisë së Kulturës

Tek vizatimet e Dërmakut na paraqiten dhe duart, si elemente që shpërfaqin vlerat kulturore të shoqërisë sonë dhe kanë një kuptim personal për artistin. Duart njerëzore kanë qenë në qendër të historisë së artit pamor jo vetëm si mjete kryesore të krijimit, por poashtu si një fokus i rëndësishëm i prezantimit, zbulimit dhe zhvillimit të shkathtësive artistike dhe trendëve kulturore në periudha të ndryshme kohore.

Në të vërtetë, duart e pikturuara mund të jenë forma më e vjetër e artit e njohur në historinë njerëzore.

Artet më të mrekullueshme në shpella parahistorike, si ato të gjetura në Argjentinë, në “Cueva de las Manos”, kanë kuptimin “Shpellat e duarve”. Sipas Qendrës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s, këto piktura janë të krijuara qysh para 13,000 vjetësh.

Gjatë periudhës së Renesansës, duart ishin poashtu në fokus të rëndësisë dhe vëmendjes poaq sa dhe fytyrat, sepse ato ishin e vetmja pjesë e dukshme e trupit. Prandaj, prezantimi i pozitës së duarve u bë një element artistik që ishte poaq i rëndësishëm sa dhe fytyra. Kështu, duke marrë parasysh dukjen e tyre të theksuar, gjestet e duarve në portrete dhe piktura ishin njëri nga mënyrat më efektive të përcjelljes së sekreteve, kodeve dhe mesazheve. Nga këndvështrimi historik dhe religjioz, shenjat e duarve në artet pamore siguronin të dhëna rreth simboleve latente ikonografike.

Tek Dërmaku, duart poashtu kanë simbolet e veta dhe sjellin ndërmend fëmijërinë e artistit dhe rrethin e tij familjar, ku të vjetrit ne mbledhi të ndryshme tregonin storie dhe fjalë të urta të cilat i shoqëronin me plot gjeste, por gjithashtu nganjëherë nuk mund të fshihnin frikën e tyre dhe nervozizmin.

5. Qielli

Ndër veprat e shumta, shquhen edhe disa punime abstrakte, të cilave Dërmaku i kthehet akoma kohëpaskohe si një pasioni të vjetër të tij. Dërmaku vazhdon të eksperimentojë, dhe natyrisht abstrakcioni është gjithmonë një medium tërheqës për eksperimentime. Por, edhe në veprat abstrakte artisti nuk mund ti shmanget shprehjes së nënvetëdijshme të gjendjes shpirtërore të tij./ KultPlus.com

Çeku: Ekspozitat ‘GrandArt’ dhe ‘Nuk është diçka e njëanshme’, dy rrugëtime magjepsëse

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka shpalosur përshtypjet e tij rreth dy ekspozitave si: ‘GrandArt’ dhe ‘Nuk është diçka e njëanshme’, ekspozita këto tejet të veçanta e të cilat në vete ngërthejnë në vete rrugëtime krejtësisht të ndryshme por shumë të bukura, përcjellë KultPlus.

“Dy ekspozita të veçanta, dy rrugëtime magjepsëse”, ka shkruar Çeku.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Dy ekspozita të veçanta, dy rrugëtime magjepsëse
Sot vizituam dy ndër qendrat tona të artit pamor, Galerinë Kombëtare dhe Galerinë e Ministrisë së Kulturës.
Bashkë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, deputetët Fitim Uka dhe Ardian Gola dhe këshilltarin politik Liburn Jupolli patëm rastin të zbulojmë botën e harruar dhe “të fshehur” të një epoke të tërë nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar e deri tek vitet e pasluftës me ekspozitën e veprave të Hotel Grand, të cilat u bënë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare në vitin 2020. Aty u pritëm nga Kryetarja e Këshillit Drejtues të GKK-së Zake Prelvukaj dhe u.d. Drejtori i GKK-së Naim Spahiu.
Ekspozita “GrandArt” jo rastësisht është ndër më të vizituarat, ajo përfshinë veprat e emrave kulmorë të artit, si Shyqri Nimani, Agim Çavdarbasha, Fatmir Krypa, Gjelosh Gjokaj, Mikel Gjokaj, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri e Simon Shiroka ndër të tjerë.
Vizitën e dytë e realizuam në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, te Qafa. Aty zbuluam botën e veçantë të Adem Dërmakut, një zë me shumë karakter dhe një gjuhë shprehëse pamore që përshkon tregime nga personale deri tek ato shoqërore të një personaliteti që vepron jashtë Kosovës, përplot me tregime për Kosovën. Ekspozita “Nuk është diçka e njëanshme” është kuruar nga Eleni Laperi, ndërsa sot në Galeri u pritëm nga koordinatorja Dhurata Ramosaj. / KultPlus.com

“Nuk është diçka e njëanshme”, hapet nesër ekspozita nga Adem Dërmaku

“Nuk është diçka e njëanshme” është ekspozita që do të hapet nesër në Galerinë e Ministrisë së  Kulturës nga artisti Adem Dërmaku.

Ekspozita  e kuruar nga Eleni Laperi do të hapet me datën 5 gusht ku do të prezantohen 50 punime të artistit, i cili përdor ngjyra dhe teknika të ndryshme të artit të grafikës dhe luan me vijat dhe pikat mbi sfondet e pikturuara për të krijuar narrativen e tij pamore, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më datën 5 tetor.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u ka bërë thirrje pjesmarrësve që t’i respoktojnë masat e rekomanduara nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e COVID-19./KultPlus.com

Adem Dërmaku vjen me ekspozitën ‘Nuk është diçka e njëanshme’, prezanton 50-të punime

Galeria e Ministrisë së Kulturës ka njoftuar për ekspozitën “Nuk është diçka e njëanshme” të artistit Adem Dërmaku të kuruar nga Eleni Laperi e cila do të hapet më 5 Gusht 2021, përcjell KultPlus.

Ekspozita do të prezantojë 50-të punime të Dërmakut, i cili përdor ngjyra dhe teknika të ndryshme të artit të grafikës dhe luan me vijat dhe pikat mbi sfondet e pikturuara për të krijuar narativën e tij pamore.

Në krijimtarinë e tij Dërmaku i është larguar rregullave klasike të vizatimit, për t’u ndjerë më i lirë në shprehjen e ideve pamore. Krahas optimizmit dhe lojës së gëzuar e të sinqertë me vijat, pikat dhe ngjyrat, në punimet e tij ka edhe ironi, ka edhe sarkazmë, po një sarkazmë gjithmonë elegante.

Krijimet e Dërmakut e tërheqin vëmendjen e shikuesit, duke e bërë të kujtojë dhe të kuptojë cilët jemi. Sepse marrëdhënia e artistit me shikuesin është një marrëdhënie e ndërsjellë. Ajo nuk është diçka e njëanshme.

Ndërkaq Galeria e Ministrisë së Kulturës ka njoftuar se për shkak të situatës me pandeminë, ekspozita nuk do të shoqërohet nga një ceremoni inaugurimi, mirëpo do të hapet për publikun të Enjtën, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 Tetor 2021. / KultPlus.com

‘Gjurmë dhe strukturë’, ekspozita e Adem Dërmakut shpërfaqë problemet reale përmes absurditetit të artit

Medina Pasoma

Vijat, format dhe ngjyrat e ndryshme u takuan me pikturën në pëlhurë, grafikën dhe vizatimet në ekspozitën “Gjurmë dhe strukturë” të artistit Adem Dërmaku në Zvicër, shkruan KultPlus.

Për Dërmakun ‘’Gjurmë dhe strukturë’’ është ekspozita e 13-të personale, ndërkaq në mënyrë kolektive ai ka prezantuar brendinë e tij nëpërmjet artit për 40 herë radhazi, duke kaluar kufinjtë shqiptarë me stacionime nëpër shumë vende të botës si Gjermani, Austri, Francë, Japoni, Amerikë.

Punën dhe frymëzimet dy vjeçare ai i kurorëzoi duke hapur këtë ekspozitë për syrin e publikut zviceran në Galerinë ‘’Hunziker Areal’’, e cila do të jetë e hapur deri më 14 nëntor. Mirëpo, Dërmaku nuk zgjodhi vetëm një formë të artit pamor por, duke i gërshetuar disa nga to arriti të krijoj një kompozicion të bukur që ka mesazhe të mëdha përbrenda vetes.

Piktura, grafika dhe vizatimi u bënë nikoqire të normales dhe absurditetit jetësor nëpërmjet kësaj ekspozite, duke ardhur me një titull simbolik ‘’Gjurmë dhe strukturë’’.

Artisti Dërmaku duke besuar se arti është gjuha shprehëse e çdo problemi, e veçmas atyre sociale e politike prezantoi 12 veprat e tij artistike.

Dërmaku rrëfeu për KultPlus udhëtimin e këtij rrugëtimi deri te finalizimi i tij, i cili përveç krijues, është edhe kurator i kësaj ekspozite. Ai tregoi se e gjithë krijimtaria e tij është e fokusuar në vizatim, pikturë dhe grafikë dhe se këto i bën prej shumë vitesh.

‘’Këto janë tre teknika ku unë ndjehem mirë t’i realizoj. Punoj në kohë të ndryshme me to, gjysmë viti merrem me vizatim, pastaj diçka nga to transferoj në grafikë e kështu me radhë’’, theksoi artisti Dërmaku.

Për të e rëndësishme mbetet thellimi në gërshetime të ndryshme arti, të cilat nëpërmjet eksperimenteve sjellin fryte të bukura artistike. Kjo është edhe arsyeja pse ai përdor elemente të ndryshme në krijimtarinë e tij.

‘’Prej kohës së studimeve kanë qenë disa rregulla strikte të mësohet vija, forma të ndryshme dhe të dihet vendi se ku duhet të përdoren. Në kohën e fundit mendoj se jam më i liruar në to por, gërshetimi bëhet spontan dhe çdo formë,  çdo vijë ose çka do asocion me një ngjarje’’, shpjegon artisti i ekspozitës ‘’Gjurmë dhe strukturë’’.

Tematikës së mesazheve të tij ai ia kanë vënë emrin ‘’Gjurmë dhe strukturë’’, duke e cilësuar se asgjë nuk humb mirëpo, mbetet përherë diku si dëshmi për të na kujtuar diçka të caktuar.

‘’Simbolika e emërtimit është e thjeshtë ku çdo gjurmë që ndodh në shoqëri e në individ, mbetet e strukturuar apo e vulosur’’, shprehet Dërmaku.

Ademi ka vendosur të dal nga kornizat e frymëzimeve personale dhe subjektiven ta shndërroj në përqendrim të kolektives.

‘’Mua më preokupojnë problemet e shoqërisë sonë, e sidomos ato të cilat i kalojmë vit pas viti, ndryshimet në shoqëri. Në ekspozitë këto thjeshtëzohen dhe shkojnë në një mënyrë pak abstrakte, që nuk janë shumë të definuara, por që ka edhe politikë në ato tema’’, thekson Dërmaku.

Në anën tjetër ai ka ruajtur me kujdes e mallëngjim edhe punimet që nga fëmijëria, kështu duke i cilësuar si vlerë në vete nga ajo periudhë e jetës.

‘’Disa punime skicohen me një stil fëmijëror, i ruaj edhe punimet e shkollës fillore ku gërshetohet një lidhje e punës së mëhershme si fëmijë edhe tash’’, shprehet Adem Dërmaku.

Nëpërmjet vizitës së kësaj ekspozite, artdashësit do të kenë rastin të shohin vepra unikale dhe me mesazhe aktuale./KultPlus.com

Adem Dermaku me ekspozitë në Shkup, tema politiko-sociale gërshetohet me fëmijërinë e autorit

Xhemile Hysenaj

”Kujtimet e mia, janë dhe tuat” është ekspozita e piktorit Adem Dermakut e cila ka zënë vend në Galerinë Kombëtare “Çifte Hamam” në Shkup.

Tema e kësaj ekspozitë ka ardhur si pasojë e ngjarjeve politike e sociale që zënë vend në Evropë, kryesisht në trojet shqiptare, me fokus më të madh në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Temë kjo që, e gërshetuar edhe me fëmijërinë e autorit ka ardhur si një kombinimin mjaft mirë i realizuar, duke ndërlidhur ngushtë përvojën personale të fëmijërisë së autorit dhe ndikimin që politika dhe shoqëria ka në formimin individual e më vonë edhe në atë kolektiv, shkruan KultPlus.

 Ekspozita e hapur më 8 gusht do të zgjasë deri më 15 të po këtij muaji, duke vazhduar më pas në Zvicër në shtator të këtij viti.

Të shfaqura nëpër muret e Galerisë Kombëtare,35 punimet e kësaj ekspozite përmbajnë tri lloje të teknikave të ndryshme të letrës, duke filluar nga litografia, monotopia dhe vizatimi, me një kombinim në mes të këtyre tre teknikave të shtypit të rrafshët.

‘Ekspozita asnjëherë nuk është e njëjtë, herë pas herë ajo merr formë tjetër por koncepti kryesisht do të jetë i njëjti, tema politike-sociale do të shfaqet çdoherë”, deklaroi Dermaku për KultPlus.

 Realizmi i projektit ka marrë tre vite kohë, pasiqë sipas autorit të veprave, pikturat janë një punë që ka kërkuar përkushtim.

 Adem Dermaku lindi në 31 korrik 1978 në Kamenicë të Kosovës. Jeton dhe punon në studion e njohur të litografisë J.E Wolfensberger në Zvicër. / KultPlus.com

Adem Dermaku paraqiti punimet e tij me titull “Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner” në Cyrih

Mbrëmë në Kunst Salon Wolfensberger në Cyrih, është hapur ekspozita kolektive me titull “Lajmet nga vitet e fundit 1902-2018”, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë përpos artistëve të tjetër të huaj, është paraqitur edhe artisti kosovar Adem Dermaku, me tri punime. Ai për KultPlus, shpalosi punimet e tij me titull “Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner”.

“Punimet e zgjedhura në këtë ekspozitë janë prej vitit 1902-2018, në mediume të ndryshme të grafikës. Unë jam prezantuar me tri punime me titull “Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner”, ku në një mënyrë të thjeshtë simbolike, ironike kam paraqitur emocionet të cilat na i kanë dhuruar këta futbollistë në ndeshjen Zvicër – Serbi”, ka thënë Dermaku për KultPlus.

Secili nga punimet e artistit Adem Dermaku, ka numrin e lojtarit që mbanë në fanellë ndërsa janë punime unikate.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 30 gusht në Kunst Salon Wolfensberger të Cyrih-ut./ KultPlus.com

Adem Dërmaku me tetë punime me motive nga Kosova në ekspozitë në Zvicër

Artisti kosovar Adem Dërmaku me tetë punime të tij është pjesë e ekspozitës kolektive në grafikë, që është hapur të premten “Dimension Druck”, në Brugg të Zvicrës, shkruan KultPlus.

Ai në këtë ekspozitë ka prezantuar tetë grafika në teknikën e shtypit të rrashtë (monothepi në gur të litografisë). Të gjitha këto punime kanë tematik dhe burim nga Kosova, ka thënë për KultPlus, Dërmaku.

Punimet janë “Shtëpia dhe këmba e një femre”, “Muret”, “Nesër në pushim”, “Lulja”, “Vetura” dhe “Pa titull” që vjen në tri cikle.

Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 10 qershor./ KultPlus.com

Krahu i këmishës së personit të zhdukur prezantohet përmes veprës së artistit kosovar në Cyrih

Artisti kosovar i artit pamor, është prezantuar me punën e tij në një ekspozitë kolektive në Cyrih, shkruan KultPlus.

Ekspozita ku është zgjedhur të marrë pjesë artisti Adem Dermaku, është koleksioni i Kantonit të Cyrihut 1944 – 2017.

Kjo ekspozitë kolektive e cila është hapur mbrëmë në Museum Haus Konstruktiv Zürich, ekziston qysh nga vitet 1900 dhe posedon vepra të artit nga artistët e gjithë botës. Në vitin 2016 Adem Dermaku u bë pjesë e këtij Fondacioni me 3 vepra.

Organizatore e kësaj ekspozite është Susann Kulli, kuratore AnnaVetsch – historiane e artit në bashkëpunim me kuratoren e fondacionit Kathrin Frauenfelder Konceepti.

Kuratorja thotë se kjo ekspozitë është nxjerrë nga një udhëzues kronologjik dhe mediativ. Koleksioni prej vitit 1944- 2017 ka zgjedhë 61 artistë me nga një punë.

“Për mua si artistë ka një rëndësi të madhe ky prezantim. Unë paraqitem me një punim të titulluar “Pa titull”, ku shihet një copë e krahut të këmishës të një personi të zhdukur”, ka thënë artisti për KultPlus.

Ekspozita e cila është hapur mbrëmë, do të qëndrojë e hapur deri më datë 23 tetor në Museum Haus Konstruktiv Zürich. / KultPlus.com