Kurti do të bëjë sot homazhe te Kompleksi ‘Adem Jashari’

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti do të bëjë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz sot me fillim nga ora 09:00, shkruan KultPlus.

Më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Albin Kurti kishte deklaruar në dhjetor të vitit të kaluar se shumë shpejt do të fillojnë punimet në këtë ndërtesë.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin./ KultPlus.com

24 vjet nga sulmi i dytë në familjen Jashari

Pikërisht më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Atë natë të trishtë Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, por rezistencë sulmit i bënë Hamza dhe Shabani, bashkë me anëtarët e tjerë.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin. /KultPlus.com

Kosova shënon sot Ditën e Veteranit – përkujtohet përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake

Dita e Veteranit në Kosovë shënohet më 30 dhjetor për të përkujtuar dëshmorët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Sipas ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së, Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor.

Pikërisht në këtë datë, më 1991 filloi edhe përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, e më 5 mars të vitit 1998 forcat serbe u rikthyen sërish për të luftuar me ç ‘rast masakruan mbi 50 anëtarë të familjes Jashari, në mesin e tyre gra dhe fëmijë.

Shtëpia në Prekaz u shndrrua në një Memorial pas luftës dhe së shpejti pritet që të fillojnë punimet për rinovimin e asaj qendre. /KultPlus.com

Kosovo Memorial to Slain Jashari Family 'Under Threat' | Balkan Insight

Çeku: Së shpejti nisin ndërhyrjet e para emergjente në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se së shpejti do të nisin ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesat e rrezikuara brenda Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Çeku ka njoftuar se përgjatë muajve të fundit kanë bërë hapa konkret.

“Kemi vlerësuar gjendjen fizike të ndërtesave brenda kompleksit, tani po nisim ndërhyrjet emergjente me karakter shpëtimi. Kemi identifikuar ekspertët më të mirë të vendit dhe nga jashtë, dje kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve. Kemi nisur vlerësimet e para për çështjet pronësore brenda kompleksit, ndërsa nga fillimi i vitit të ardhshëm fokusi ynë do të jetë projekti i madh, pra hartimi dhe zbatimi i master-planit për kompleksin memorial.”, shkruan ai mes tjerash.

Minitri tutje shpjegon se gjithashtu në mbledhjen e tretë, që u zhvillua dje, te Komitetit ndër-ministror për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, i cili kryesohet nga Kryeministri Albin Kurti, morën vendime të rëndësishme.

Gjatë prillit të këtij viti, Qeveria Kurti kishte themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. /KultPlus.com

Aty ku flet vetë historia

Mbi 400 mijë qytetarë gjatë vitit nderuan dëshmorët e familjes Jashari. Numër më i vogël i vizitorëve është parë këtë 28 nëntor në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe për këtë ciceroni Xhevat Imeri thotë se ka ndikuar edhe moti i ftohtë. Edhe këtë përvjetor, Kullat e Jasharëve mbesin në gjendje të rëndë. Qytetarët nga Kosova thonë se kjo është mjerim, ndërkohë u bëjnë thirrje institucioneve që të mos lejojnë shembjen e kullave.

Tash e 22 vjet, Xhevat Imeri është ciceron në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Ai prezanton historinë e kësaj familje para vizitorëve të të gjithë botës.

“Rreth 14 milionë vizitorë e kanë vizituar, por ky Mund të jetë numër më i madh, sepse nuk e kemi një statistikë që tregon një realitet. Por, në bazë të supozimeve, mund të them që është numër më i madh se aq që mund të themi. Ndërsa, gjatë këtij viti i kemi 400 mijë vizitorë, jo vetëm shqiptarë por edhe nga arena ndërkombëtare për të ardhur të vizituar dhe respektuar këtë vend”, thotë Imeri.

Megjithatë, për këtë përvjetor të ditëlindjes së Adem Jasharit dhe pavarësisë së Shqipërisë, pati më pak vizitorë.

“Është koha e cila e bën të vetën. Unë kam pasur fatin të jem të dielën e kaluar, mund të them se diku mbi 24 mijë persona kanë qenë. Sepse koha po e bën të vetën, kur është kohë e mirë, njerëzit marrin fëmijët dhe të moshuarit e sot ndoshta i penalizon koha”, shton ai.

Për çdo 28 nëntor dhe festë tjetër, bashkë me familjarë veshin uniformën e ushtarëve të UÇK-së. Islam Krasniqi thotë se Prekazi është vend heroik dhe shumë i rëndësishëm për historinë e Kosovës.

“Për neve është shumë domethënëse ky vend që të paktën të rinjtë tanë t’i motivojmë dhe të dimë se çka është vlera e ushtrisë, vlera e shtetit dhe të forcohemi bashkarisht”, shprehet ai.

Ai shprehet i zhgënjyer me gjendjen e kullave në Prekaz.

“Kur zbritem thash në fillim qenka dëmtuar shumë. Shpresojmë që do të ndërmarrin diçka qeveritarët dhe të vendosin diçka se kjo duhet të rregullohet mirë, sepse është vlerë e madhe”, shprehet tutje.

Ali Zija ka ardhur nga Tetova për të nderuar sakrificën e dëshmorëve të familjes Jashari.

“Prej Tetovës të vizitojmë kullën e Adem Jasharit… më e madhe nuk ka ku të shkoj, vlera më e fortë”, thotë ai.

Edhe për Xhemil Huguliqin nga Kaçaniku, ky vend është i shenjtë. Në Prekazin heroik ai thekson se është mjerim gjendja e kullave.

“Këtu ja dimë vlerën kësaj lirie. Çdo shqiptar duhet të vizitojë së paku një herë në vit këtë vend. Marrë parasysh çfarë sakrifice ka bërë kjo familje e shenjtë… është në gjendje e mjerueshme, është mjerim me pa kështu”, thekson ai për KosovaPress.

Përmes një vendimi qeveritar, në vitin 2019 ishte planifikuar konservimi i Kullave të Jasharëve.

Sot shqiptarët festojnë 109 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. 28 nëntori shënon edhe 24 vjetorin e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Adem Jasharit. / KultPlus.com

Përurohet shtatorja e komandantit Adem Jashari në Shtime

Për nder të festës së 28 nëntorit është bërë përurimi i i shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në qendër të qytetit në Shtime. Kjo shtatorë u përjetësua në këtë komunë për të shërbyer si kujtesë për brezat e ardhshëm për sakrificën e paraardhësve për çlirimin e vendit.

Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha se po promovojnë shtatoren e komandantit Adem Jashari në këtë ditë e moment të veçantë.

“Me luftën e UÇK-së u kurorzua ajo që me shekuj pritej, liria e Kosovës, prandaj në këto ditë të veçanta kur përurojmë shtatore si ky i komandantit Adem Jashari dhe ushtarëve të tij, pjesëtarëve të UÇK-së, sigurisht që na kthehet kujtesa mbrapa jo vetëm për 22 vite por edhe për dekada e shekuj. Populli jonë deri te arritja e lirisë, pati një rrugëtim të gjatë, të vështirë me plotë sakrifica, ku shumë shqiptarë e paguan, madje edhe me gjak. Prandaj të gjithë ne që frymojmë lirshëm e kemi një obligim, kujtesën për të kaluarën dhe respektin dhe gjithsesi atë që më së shumti duhet ta mbajmë mend janë vlerat e UÇK-së sepse ato janë bazamenti, themeli mbi të cilat po ngritët shteti ynë, shteti më i ri, Republika e Kosovës ”, ka thënë ai, raporton kp.

Ai shtoi se komuna e Shtimes ka pasuar transformime të rëndësishme në ndërtim e zhvillim, në emancipim dhe integrim.

“Do mbetet gjithmonë obligim i yni ku do që jemi, që kontributin tonë dhe punën tonë, duke mos harruar asnjëherë të kaluarën tonë të lavdishme me plotë sakrificë të vazhdojmë drejt synimeve tona për shtet dhe për liri dhe për të mirat e gjithë qytetarëve dhe gjithë brezave që vijnë”, ka thënë Ismajli.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i zgjedhur, Qemajl Aliu, përfaqësues të shoqatës së familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të invalidëve të luftës dhe qytetarë të shumtë. / KultPlus.com

Mbahet edicioni i 23-të i Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Adem Jashari” në Prishtinë

Sot në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve u mbajt Turneu Ndërkombëtar i Boksit “Adem Jashari” me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia.

Turneu u organizua nga Federata e Boksit e Kosovës, në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën Patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Kjo ngjarje sportive ndërkombëtare, e cila është edhe në kalendarin e Federatës Ndëkombëtare të Boksit (AIBA), në Kosovë ka filluar nga viti 1999.

Dje janë zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale, ndërsa sot ndeshjet finale. Nga afër ndeshjet i ndoqën edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sekretari i MKRS, Bislim Bislimi dhe zëvendësministrja Daulina Osmani, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, Kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi, dhe emra të mëdhenj të boksit kosovar si Aziz Salihu, Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Fatmir Makolli dhe të tjerë.

Në fjalën e tij Kryeministri Kurti tha se sporti i boksit reflekton historinë e suksesit, rezistencës dhe luftës së vendit tonë.

“Ky turne sportiv, që padyshim reprezenton suksesin e sportit vendor, tregon edhe shumë çka tjetër për vendin dhe popullin tonë. Emërimi i tij, “Adem Jashari”, shënon sakrificën dhe flijimin e familjes Jashari që sot është simbolika e Pavarësisë së popullit tonë” u shpreh kryeministri.

Gjithashtu, kryeministri Kurti vlerësoi se kjo ngjarje reprezenton punën dhe mundin e sportistëve, trajnerëve dhe punëtorëve sportiv të cilët pa ndalur, ndër-gjenerata e breza të tërë kanë zhvilluar sportin e boksit në vend, duke i vazhduar kështu sukseset e kampionëve shqiptarë të periudhës së ish-Jugosllavisë.

Boksieri më i mirë i turneut u shpall Shpëtim Bajoku, të cilit trofeun “Adem Jashari” ia ndau ministri Çeku, bashkë me kryetarin e Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi dhe kryetarin e KOK-ut, Ismet Krasniqi.

Boksieri më i mirë vendor u shpall Patriot Behrami. Tanko Villiam nga Sllovakia u shpall boksieri më i mirë i huaj. Dion Leani, nga Maqedonia e Veriut, boksieri më ‘Fair Play’, ndërkaq tekniku më i mirë u shpall Javier Diaz nga Bullgaria. Ndërkaq, çifti më luftarak u shpallën boksieri Kristian Demaj nga Shqipëria kundër Yordan Morejon nga Bullgaria. / KultPlus.com

Rekord operimesh, 130-të fluturime vetëm sot në Aeroportin ‘Adem Jashari’

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ASHNA, ka njoftuar ë që janë të planifikuara gjithsejt 130 operime të fluturakeve në ASHNA, operime këto të cilat realizohen nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, thuhet në komunikatë, transmeton KultPlus.

Përveç 8 operimeve, gjithë të tjerat janë operime komerciale.

Në këtë sezon pushimesh verore, i urojmë bashkatdhetarëve dhe gjithë pasagjerëve tjerë, pushime verore të këndshme dhe i ftojmë t’i qëndrojnë besnikë aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Kosovë.ASHNA me personelin e saj të specializuar, të prirë nga UD Drejtori i ASHNA-së z. Valmir Hylenaj, mbetet e përkushtuar që të ofrojë shërbime të sigurta dhe pa vonesa për gjithë pasagjerët që shfrytëzojnë ANP “Adem Jashari”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Nis peticioni për vendosjen e shtatores së Adem Jasharit në Prishtinë

Grupimi i tifozëve kryeqytetas, “Plisat”, kanë paralajmëruar se tashmë ka nisur peticioni për vendosjen e shtatores s komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në Prishtinë, përcjellë KultPlus.

“Plisat” përmes një statusi në rrjetin social Facebook kanë treguar se tenda për nënshkrimin e peticionit është vendosur afër shtatores së Skënderbeut dhe do të jetë e hapur nga ora 11:00 deri në 23:00.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tyre:

Peticioni nuk është vetëm për qytetarët e Prishtinës por është për të gjithë. Është edhe për ty që je pjesë e politikës, për ty që je rrit politikisht në emër të UÇK-së dhe familjes Jashari, është edhe për ty që ishe shok, bashkëluftëtar i komadantit Adem Jashari, është edhe për ty qe sje i Drenicës, që sje i Prishtinës, është edhe për ty qe je familje dëshmori, veterani e invalidi. Lufta e bacit Adem nuk ishte e ndarë por ai luftoi për Kosovën pjesë të Shqipërisë, luftoi sakrifikoi dhe u flijua me gjithë familjen e tij për të gjithë ne, pra Baca Adem e meriton të jetë në kryeqytetin e Kosovës, përkrah heronjëve të idealit të tij.

Mos prito, dil edhe ti nënshkruaje peticionin në sheshin Skendërbeu në Prishtinë.

Tenda hapet nga ora 11:00 deri 23:00. / KultPlus.com

Mësuesi Shaban Jashari, babai i heronjve Hamëz e Adem e Jashari

Shaban Murat Jashari lindi më 2 prill të vitit 1924, në Prekaz, fshat i njohur për rezistencë kundër shkelësve të trojeve të atdheut.

Ishte djali i vetëm i Murat Jasharit të cilit më vonë i lindin edhe dy bija.
Edhe babai i tij kishte qenë burri i vetëm në familje, ashtu sikurse dhe gjyshi, Fazli Jashari.

Në kohën e pushtimit të Kosovës nga Mbretëria Jugosllave, prej vitit 1918 e deri më 11 prill të vitit 1941, burrat e Prekazit ashtu sikurse edhe të shumë fshatrave të tjera të Drenicës, në vazhdimësi ndodheshin në shënjestër të Xhandarmërisë Serbe, meqë ata kurrë nuk e pranuan robërinë, as jetën e përbashkët me serbët.

Më 11 prill të vitit 1941, Gjermania sulmoi ushtarakisht Jugosllavinë, e cila pas dhjetë ditësh, nënshkroi kapitullimin.

Në atë kohë, shqiptarët kudo në Kosovë, ndiheshin më të lirë. Administrata e huaj italo-gjermane hapi shkolla në gjuhën shqipe dhe i pranoi shqiptarët në të gjitha instancat e jetës organizative civile e ushtarake.

Qeveria italo-shqiptare solli mbi 200 mësues nga Shqipëria, të cilët do të përhapnin arsimin shqip në Kosovë. Një numër i caktuar i këtyre mësuesve ishte vendosur edhe në trevën e Drenicës. Në fshatin Vitak të Skënderajt ishte emëruar mësues Vasil Vasili nga Gjirokastra, i cili u angazhua me përkushtim për t’i arsimuar jo vetëm të rinjtë, por edhe më të moshuarit të këtij fshati e të rrethinës së tij. Edhe Shaban Jashari kishte ndjekur mësimet në gjuhën amtare. Ai kishte treguar interesim të veçantë për dije.

Në moshën 20 vjeçare Shabani martohet me Zahide Gecin nga Llausha. Atyre u lindën 14 fëmijë. Nga ata u rritën dhe u trashëguan: Hava, Rifati, Hamza, Zyla, Zoja, Ademi, Qamilja dhe Halimja.

Në vjeshtë të vitit 1949, Shaban Jashari emërohet mësues në Prekaz.
Duke qenë se qeveria jugosllave në vitin 1948, pas prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, i kishte përzënë nga Kosova edhe shumë mësues shqiptarë, drejtuesit e arsimit në atë kohë emëruan mësues edhe disa shkollarë që nuk e kishin kualifikimin e duhur shkollor. I tillë ishte edhe Shaban Jashari. Ai nuk e kishte kryer shkollimin e plotë, por kishte treguar përkushtim dhe vullnet të veçantë për të arsimuar brezat e rinisë shqiptare në Drenicë.

Duke vërejtur përkushtimin e tij në edukimin patriotik të nxënësve, drejtuesit e organeve arsimore, që kontrolloheshin nga komisarët e partisë, në vitin 1952, Shaban Jasharin e përjashtojnë nga procesi edukativo-arsimor.

Largimi nga puna të cilën e donte me shpirt, Shabanit i dha një goditje të rëndë, por megjithatë nuk u gjunëzua.

Nga gjyshi dhe nga kuvendarët e urtë kishte mësuar se armikut mund t’i rrihej karshi vetëm me armë, me dije dhe me pasuri. Shaban Jashari iu dha po aq me përkushtim edhe punës në ngritjen dhe forcimin ekonomik të familjes. Ai e dinte po ashtu se varfëria të detyron të bëhesh rob, andaj, me bijtë dhe bijat dhe me bashkëshorten Zahide, iu rrek punëve të bujqësisë dhe për një kohë të shkurtër arriti të përmirësojë gjendjen ekonomike. Shaban Jashari i përket brezit të shqiptarëve liridashës, brezit që mbi supe barti peshën e rëndë të robërisë dhe të represionit shtetëror serb.

Fëmijët i kishte edukuar në frymë atdhedashurie, i kishte kalitur në punë fizike e i kishte mësuar të jenë këmbëngulës në arritjen e qëllimeve të tyre fisnike në jetë.

Më 13 maj të vitit 1981, me rastin e rënies heroike të Tahir e të Nebih Mehës, Shaban Jashari me bijtë, Hamzën dhe Ademin, shkoi në varrimin e bashkëfshatarëve të tyre, edhe pse partia dhe policia kishin dhënë urdhër që varrimi të kryhej heshtas dhe në prani të një numri tejet të kufizuar të pjesëmarrësve. Ndërkohë, ai ishte në dijeni të aktivitetit ilegal të bijve të tij dhe të bashkëmendimtarëve të tyre. Ai jo vetëm që nuk do i’u bëhej pengesë në synimet e tyre patriotike, por do t’i ndihmonte, do t’i ruante dhe do t’i këshillonte, kurdo që e konsideronte të nevojshme.

Në vjeshtë të vitit 1991, Shabani ishte njoftuar edhe për faktin se djali i tij, Ademi, kishte shkuar në Shqipëri për t’u stërvitur ushtarakisht. Ai asnjëherë nuk kishte shfaqur dyshim lidhur me rrugën që kishin filluar ta trasonin bijtë, miqtë dhe bashkëmendimtarët e tyre. Ishte i ndërgjegjshëm se rruga historike e rezistencës nuk ndalej, ashtu sikurse ishte i vetëdijshëm se rruga e lirisë çahej me shpatë në dorë, me mund dhe me sakrifica të mëdha.

30 dhjetor 1991

Forca të mëdha të policisë serbe kishin vënë në rrethim Kullën e jasharëve në Prekaz, pasi paraprakisht kishin saktësuar se në Kullë ndodhej Adem Jashari me të dy vëllezërit dhe me shumë bashkëluftëtarë. Përderisa komandanti i policisë kishte kërkuar nga Shaban Jashari dhe nga bijtë e tij që të dorëzoheshin, luftëtarët e lirisë iu kishin përgjigjur me zjarr kundërsulmit duke e çarë rrethimin.

Policia serbe me forca të mëdha mbante në rrethim Kullën e Shaban Jasharit, ndërsa në shënjestër ndodhej edhe tërë lagja Jasharaj. Për t’iu shkuar në ndihmë trimave të Prekazit, drejt Kullës ishin nisur mijëra drenicarë nga fshatrat përreth.

Komanda e policisë kishte vënë në lëvizje edhe helikopterët, për të frikësuar shqiptarët liridashës dhe në rast të kundërvënies së përgjithshme, kishte për qëllim të sulmonte turmën që ishte mobilizuar spontanisht, e cila dyndej drejt Prekazit, pasi kishte dëgjuar krismat në Kullën e Jasharëve. Atë ditë, policët serbë nga helikopteri plagosen Vesel Selimin nga Açareva, i cili, me të dëgjuar për rrethimin e komandant Adem Jasharit, kishte arritur në këmbë në Prekaz.

Shaban Jashari ishte shtyllë e fortë e përkrahjes për të gjithë luftëtarët.
Ai, asnjëherë nuk shfaqi dilemë, asnjëherë nuk u demoralizua dhe asnjëherë nuk e ndërpreu punën dhe kujdesin si prind, sidomos për nipat dhe mbesat. Shqetësimet dhe brengat e tij ishin bërë një me shqetësimet e luftëtarëve të lirisë.

Vitet e rënda si tunxhi, të robërisë dhe të delirit pacifist, në vitet ’90 nuk e thyen, as e demoralizuan Shabanin. Ai i besonte fitores, i besonte forcës dhe vendosmërisë së trimave, të cilët kishin formuar bërthamën e ushtrisë së ardhshme të Kosovës. Ishte kurdoherë pranë djemve dhe shokëve të tyre.
Shabani respektohej dhe çmohej nga të gjithë.

Me rrugën e tij të drejtë dhe të ndershme jetësore ai e kishte fituar dashurinë dhe respektin e të gjithë të afërmve dhe miqve, ashtu sikurse e kishte fituar edhe mërinë dhe urrejtjen e armiqve, të cilët e përcillnin çdo lëvizje të tij.

22 janar 1998

Në orët e hershme të 22 janarit të vitit 1998, forca të shumta të njësive speciale serbe rrethojnë Kullën e Jasharëve dhe pa kurrfarë paralajmërimi fillojnë të shtiejnë me minahedhës dhe me armë të tjera automatike.
Shaban Jashari me të birin Hamzën dhe me nipat e mbesat: Besimin, Fitimin, Kushtrimin e të tjerë, nuk u gjetën në befasi. Ata rrëmbyen armët dhe iu përgjigjen kundërsulmit të forcave vrastare. Pas shkëmbimit të ashpër të zjarrit dhe qëndresës heroike, në kohën kur kishte filluar të përhapej agimi i ditës, kriminelët u larguan të turpëruar. Ata ishin tërhequr në panik, duke lënë prapa rroba, pancirë, minahedhës e helmeta, shenja këto që tregonin se armiku kishte pësuar humbje.

Në familjen e Shaban Jasharit, gjatë këtij rrethimi ishin plagosur Selvete Hamëz Jashari dhe Ilirianë Rifat Jashari.
Të nesërmen, më 23 janar, mijëra shqiptarë liridashës dhe vizitorë të tjerë shkuan te Kulla e Qëndresës në Prekaz. Ata i priste dhe i përcillte Shaban Jashari, duke treguar vendosmërinë e tij për të mbështetur fuqimisht rrugën e luftëtarëve të lirisë.

”Nuk i lëshojmë trojet”, – u thoshte vizitorëve dhe shtonte: ”Do të qëndrojmë të patundur në rrugën e lirisë!”, raporton Klan Kosova.
Shaban Jashari ishte i vetëdijshëm se armiku sërish do të rikthehej në Prekaz. Këtë e dinin të gjithë Jasharët, por asnjëri nuk ishte mëdyshur dhe luhatur.

Ai e kishte dhënë fjalën dhe atë nuk e kishte thyer kurrë në jetë.

5, 6 dhe 7 mars, 1998

Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998, forcat e motorizuara të njësive elite speciale serbe kishin filluar sulmin me armë të rënda të artilerisë në drejtim të Kullës së Jasharëve. Rreth orës 6 ishte zbrazur breshëri paralajmërues i fillimit të betejës, që do t’ua ndërronte rrejdhën ngjarjeve jo vetëm në Kosovë, por madje edhe në tërë Ballkanin.

Brenda në Kullë ishin: Shaban Jashari, Hamëz Jashari, Adem Jashari, Osman Geci, Bashkim Rifat Jashari, Fitim Adem Jashari, Kushtrim Adem Jashari, Besim Hamëz Jashari, Zahidja me rejat Adilen, Feriden dhe Zarifen, si dhe nipat e mbesat: Selvetja, Afetja, Liria, Blerimi, Fatimja, Blerina, Igballja, Igballi, Valdetja, Hidajetja e Besarta.

Breshëria e armëve të armikut kishte vazhduar gjatë tërë ditës. Në intervale të shkurtra të ndërprerjes së zjarrit, vrastarët serbë përmes megafonave kërkonin dorëzimin e Jasharëve, në rast të kundërt ata paralajmëronin shfarosjen totale të krejt familjes.

Lufta vazhdonte. Të gjithë i mbanin pozicionet nga ku pritej të afrohej këmbësoria e armikut. Komandant Ademi i kontrollonte pozicionet. I këshillonte luftëtarët që të mos e harxhonin kot municionin, por të prisnin derisa të afrohej këmbësoria.

Me urdhrin e Komandantit dhe me pëlqimin e Shaban Jasharit, nga Kulla ishte larguar, duke çarë rrethimin, Bashkim Rifat Jashari. Luftimet e pandërprera kishin vazhduar edhe ditën e dytë e të tretë, derisa predha e topave të armikut e kishte goditur bunkerin ku strehoheshin fëmijët e gratë, 13 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit.

Goditja kishte qenë fatale. Nga vendstrehimi, në të cilin kishte rënë ploja mizore, kishte shpëtuar vetëm Besarta Jashari, dëshmitarja e vetme e ndeshjes më të përgjakshme të historisë sonë më të re. Ditën e tretë, forcat serbe kishin vënë në shënjestër edhe disa shtëpi të tjera të lagjes së Jasharëve. Këtë ditë, në Kullën e Qëndresës, në mesin e 20 anëtarëve të familjes së tij, kishte rënë edhe vetë kryefamiljari, Shaban Jashari. Ndër ta kishte rënë edhe komandanti legjendar, anteu i kohës sonë, Adem Shaban Jashari.

Rënia heroike e Jasharëve i kishte dhënë impulse vendimtare luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas këtij heroizmi të Jasharëve, mijëra liridashës shqiptarë, që gjendeshin në emigracion në shtete të ndryshme të Evropës dhe të botës, iu bashkun Luftës Çlirimtare.

Jasharët u bënë familje nderi e qytetrimit dhe familja më meritore e kombit shqiptar. /reporteri/ KultPlus.com

Ambasada e Italisë kujton veprën e familjes Jashari përmes një videoje të veçantë (VIDEO)

Në Kosovë po shënohet sot dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, në nderim të veprës së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij të cilët u vranë nga forcat serbe 23 vjet më parë.

Përmes një videoje, veprën e familjes Jashari dhe rolin e tyre në lirinë e vendit e ka kujtuar edhe ambasada italiane.

“59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë fëmijë ranë për lirinë e Kosovës. Rezistenca e tyre inspiroi popullin e Kosovës për t’iu konfrontuar agresionit serb”, thuhet në video. / KultPlus.com

Kurti: Askush s’është gjykuar për krimin ndaj familjes Jashari

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë nderime para varrezave të familjes Jashari në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së. Në një deklaratë për media ai ka thënë se për krimin në familjen Jashari nuk është gjykuar askush.

Kurti shton se drejtësia është vonuar sepse s’ka filluar akoma.

“Për këtë sulm të Serbisë ndaj familjes Jashari askush nuk është gjykuar dhe s’ka pasur gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë. Drejtësia është vonuar sepse s’ka filluar. Ata u flijuan për hir të pasardhësve”.

“Me nderim të përjetshëm përulemi para jetës, veprës dhe rënies së Jasharëve, kryekomandantit Adem Jashari që e deshën pakrahasimisht më shumë vendin tonë sesa veten e tyre. Dashuria, kujdesi dhe përgjegjësia institucionale janë mënyra më e sigurt që edhe ne ta duam vendin tonë”.

Bashkë me Kurtin ishte edhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, si dhe Bekim Jashari, kryetari i Skenderajt./ KultPlus.com

Dita e dytë e Epopesë së UÇK-së

Në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që njihet si Dita e Dëshmorëve, sot bëhen homazhe dhe mbahet akademi në shënimin e Epopesë së UÇK-së.

Në të gjithë Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare do të bëhen homazhe pranë varreve të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut.

Ceremonia e homazheve fillon në orët e mëngjesit me nderime te varri i komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz dhe te Memoriali i dëshmorëve në Marinë.

Një ekspozitë me fotografi të fotografit Sefer Aliqkaj do të hapet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa një turnir në volejboll do të mbahet në Skenderaj.

Ekspozita me 59 fotografi do të hapet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në Pallatin e Rinisë do të mbahet një akademi përkujtimore.

Në ditën e fundit të Epopesë së UÇK-së, mbahet Nata e zjarreve në Prekaz./ KultPlus.com

Publikohet një fotografi e rrallë e varrit të Adem Jasharit në vitin 2000

Sot bëhen 23 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jasharit dhe gjithë familjes së Jasharëve.

Kjo familje heroike sot u kujtua nga shumë shokë, bashkëluftëtarë të Adem Jasharit e edhe nga shumë qytetarë të vendit.

Një foto e rrallë e varrit të Adem Jasharit u publikua sot nga ish drejtoresha e Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit, Drita Kadriu në llogarinë e saj në Facebook.

Aty shihet varri i Adem Jasharit në vitin 2000 kur ishin bërë homazhe nga një grup i grave të Mitrovicës.

“Homazhet e grave të Mitrovicës, te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari, në vitin 2000. Nëna ime me shoqe”, ka shkruar Kadriu. / KultPlus.com

Gruaja e Adem Jasharit e cila në kohë lufte barte municione dhe luftonte

Për figurën e Adem Jasharit kemi dëgjuar shumë, ai ka qenë dhe vazhdon të mbetet heroi i luftës së fundit në Kosovë, mirëpo pak kanë dëgjuar për gruan e tij, Adilen, shkruan KultPlus.

“Të gjithë e njohin Adem Jasharin, por askush nuk e njeh gruan e tij, Adilen, e cila në kohën kur po luftonte Ademi, ajo barte municion dhe luftonte gjithashtu. – Ana Di Lellio(sociologe italiane)

Adile Jashari lindi më 10 maj të vitit 1957, në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë. Shkollën tetëvejeçare, Adilja e kreu në fshatin e lindjes, në Akrashticë. Rreth moshës 20-vjeçare martohet me Adem Shaban Jasharin e Prekazit.

Më 22 janar të vitit 1998, sapo kishte ngrënë syfyr me familjarët, kur papritmas breshëria e armëve të forcave serbe kishte goditur kullën. Në ditët më vendimtare të historisë sonë më të re, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Adilja, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes ndodhet në Kullën e Qendresës.

Përveç burrave, të cilët kishin zënë pozicione dhe luftonin, ajo, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, ndodhej në bodrumin e fortifikuar, ku ndihmonte dhe i furnizonte me municion luftëtarët e familjes. / KultPlus.com

“Çohu Adem, çohu se ty të kërkon e tanë Kosova”

“Mora fjalë” është kushtim për legjendarin Adem Jashari që ngjanë në këngët antike që u këndoheshin heronjve me përmasa hyjnore. Është një thirrje që qëllimshëm s’i përfill kufizimet e realitetit as dimensionet kohore.

Kjo këngë duke i kënduar pavdekësisë historike ka fituar pavdekësinë artistike.

Ashtu sikurse dedikimi i kësaj kënge, edhe tingujt e saj do të mbeten përherë një thesar kombëtar që na sjellin emocione të shumta.

Vargjet e magjishme dhe muzikën e kësaj kënge i ka thurur kompozitori Naim Gjoshi.

Më poshtë po ju sjellim tekstin e plotë të këngë:

Mora fjalë

Mora fjalë, mora fjalë e mora vargun
Mora qarkun me i thur kangë
Me i thur kangë bashlegjendarit, ti këndoj
Ti këndoj Adem Jasharit, ti këndoj
Tash sa vjet
Tash sa vjet s’e sheh Prekazin dhe Reçakun, tash sa vjet
Tash sa vjet s’e sheh Drenicën, tash sa vjet
Tash sa vjet dhe Mitrovicën, tash sa vjet

Çohu Adem
Çohu po të thonë zogjtë e malit dhe bilbilat
Çohu Adem
Po thonë lulet trëndafilat, çohu Adem
Po thonë kangët, thonë dhe trimat, çohu Adem
Çohu shpejt, çohu shpejt mos rri tek varri
Thotë nanë lokja, çohu se mjaft
Ta flladiti ballin toka, çohu se ty
Të kërkon e tanë Kosova ty Adem

Mora fjalë, mora fjalë e mora vargun
Mora qarkun me i thur kangë
Me i thur kangë bashklegjendarit, ti këndoj
Ti këndoj Adem Jasharit, ti këndoj

E t’i them
E t’i them se gjaku i tij është vetë liria që ka ardh
Në Kosovë e brigjev’ të Drinit kjo liri
Ia flladiti ballin trimit, ia flladit

E t’i them
E t’i them se gjaku i tij është vetë liria që ka ardh
Në Kosovë e brigjev’ të Drinit kjo liri
Ia flladiti ballin trimit, ia flladit. / KultPlus.com

Fotografi i FAZ-it që dokumentoi shkatërrimin e Prekazit pas vrasjes së Adem Jasharit

Fotoreporteri i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Wolfgang Eilmes, ka publikuar disa fotografi të shkrepura gjatë luftës në Kosovë.

Fotografitë e tij përfshijnë periudhën e luftës, vrasjet, kufomat e gjetura nën gërmadha nga shtëpitë e djegura gjithandej Kosovës, si dhe refugjatët e vendosur në Shqipëri e Maqedoni.

Ai ka rrëfyer për kushtet e vështira të punës në atë kohë, duke thënë se i është dashur ndoshta gjysmë nate që t’i dërgojë fotografitë nga Prishtina në Frankfurt për lidhjeve të dobëta të internetit asokohe, transmeton Koha.net.

Por, thotë se mbi të gjitha, komunikimi me personat që ka takuar ka qenë i kuptueshëm, pasi, siç thotë ai, “këto ngjarje nuk kërkojnë njohuri të gjuhës lokale”.

Eilmes thotë se ka hasur në shumë raste që në njërën anë kanë qenë policia, ushtarët dhe militantët serbë, dhe në anën tjetër vullnetarët shqiptarë të Kosovës apo familje të mëdha të dëbuara nga fshatrat e tyre të djegura.

Ai ka kapur në objektivin e tij shumë ngjarje, nga forcat serb, ushtarët e UÇK-së e deri tek dhimbja e atypëratyshme e viktimave.

E më vonë, pas hyrjes së forcave të NATO-s, Wolfgang ka vëzhguar ushtarët gjermanë të vendosur në Kosovë.

“Njëzet vjet më parë, NATO-ja vendosi të intervenonte në luftën e Kosovës. Ushtarët e Bundeswehrit luftuan përgjatë ushtarët britanikë dhe amerikanë kundër ushtrisë së Serbisë në kuadër të misionit të KFOR-it. Fotografitë e para i shkrepa në fshatin e shkatërruar, Prekaz, pas vrasjes së Adem Jasharit dhe 60 anëtarëve të familjes së tij nga një njësit special i ushtrisë së Serbisë. Bashkë me Tyler Hicks, fotograf i ‘The New York Times’, dokumentova shkatërrimin e fshatit Prekaz. Me lejen e ushtrisë serbe, neve na u lejua të kalonim përmes rrugëve të shkatërrua. Njerëzit veçse ishin varrosur, ndërsa kafshë të vrara kishte gjithandej. Po udhëtonim bashkë me rrezikun për neve, kësaj radhe nga ndonjë snajperist i UÇK-së shqiptare, pasi mund të na mendonin si pjesëtarë të ushtrisë serbe. Rregullisht raportoja mbi situatën e refugjatëve shqiptarë nga Kosova në Shqipëri, Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë e Gjermani”, ka thënë Wolfgang Eilmes për FAZ. / KultPlus.com

Flet shoku i klasës së Hamëz Jasharit, tregon takimin e fundit me të

Haradin Meha i afërt i Tahir Mehës, ka folur sot nga Prekazi në një lidhje direkte për emisionin e mëngjesit #gjesi.

Meha që ka qenë edhe në një klasë me heroin Hamëz Jasharin ka thënë se me Hamzën e Ademin zakonisht bashkë rrinin në odën e Fadil Kodrës.

Ai ka folur për takimin e fundit që ka pasur me Adem dhe Hamëz Jasharin, tre ditë para se ata të vriteshin.

“Kam qenë te shtëpia, janë ndi krismat, unë i kam marrë armët. Kemi gjujt që mos me ardhë anena policia, kemi gju sa kemi mujtë, ka qenë prej kodre Ahmet Kodra. Më kujtohet si sot ajo ditë. Po ka qenë e pamundur”, ka thënë ai.

“Në vitin 81 Hamëza më ka ndihmu kur është vra Tahir Meha u ardhë Hamza aty edhe unë jam shku i pari e kemi gjet Tahirin të vramë.  Tahiri  i ka pas 8 plumba në brezë. Është ardhë Hamza më ka ndihmu me kufoma. I kemi rujtë kufomat, në 2 të natës ka ardhë policia.

Jemi kanë në shkollë bashkë, unë nuk e pata vazhdu, Hamza pat vazhdu me shku në shkollë. U kanë i zgjut nuk ka pas njeri më i mirë, ka qenë patriot. Kur është vra Tahiri ka thënë që rrugën e Tahir Mehës kemi me vazhdu deri në çlirimin e Kosovës. Kurrë nuk e harroj Hamzën”, thotë Meha./GazetaExpress/ KultPlus.com

29 vjet nga sulmi i parë i forcave serbe ndaj familjes Jashari

Sot mbushen 29 vjet nga sulmi i parë i forcave të armikut kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

29 vjet më parë, forca të shumta serbe fillojnë një sulm të armatosur ndaj familjes Jashari në Prekaz, por pas një rezistence të fuqishme të kësaj familje, ato u detyruan të tërhiqen.

Adem Jashari lindi në rajonin e Prekazit të Drenicës në Kosovë, më 28 nëntor 1955. Ai ishte një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke qenë gjithashtu edhe kryekomandanti i saj.

Së bashku me të vëllain e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe.

Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tre ditë dhe dy netë.

Forcat policore filluan sulmin pa asnje paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjerë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.

Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi Besarta Jashari (asokohe 11 vjeç).

Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëronte për 69 pjesëtarë të vrarë të policisë dhe ushtrisë. / KultPlus.com

Shtatoret e vendosura në Prizren, Haskuka: S’jam autoriteti që vendos për vlerat artistike

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një postim të bërë në Facebook ka shkruar për shtatoret e Gjergj Kastriotit dhe Adem Jasharit që u vendosën për festën e flamurit në këtë qytet, por që morën kritika të shumta për shkak se kishin një pamje të deformuar.

Ai ka thënë shqetësimet e qytetarëve, janë shenjë e dashurisë, derisa thotë se Skënderbeu dhe Adem Jashari tashmë kanë zënë vend në Prizren, dhe ata do të jenë aty përgjithmonë, pavarësisht nëse forma e paraqitjes do të mund t’ i nënshtrohet përmirësimeve, për të arritur nivelin e duhur artistik dhe historik.

Ndërsa ai ka shtuar se sa i përket shtatores së Adem Jasharit, ajo nuk është vendosur në pronë publike e as nuk është realizuar si projekt publik.

Ky është postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Prizrenit, të dashur bashkëkombas shqiptarë kudo që jeni,

I kam lexuar me kujdes shqetësimet që keni ngritur në rrjetet sociale për statujat e vendosura në Prizren.

Më vjen mirë që shqiptarët e duan Prizrenin dhe i duan heronjtë tanë kombëtarë, sepse shqetësimet tuaja janë shenjë e dashurisë. Është më mirë kritika për shkak të dashurisë, se sa heshtja për shkak të moskokëçarjes.

Së pari më lejoni të pohoj: Skënderbeu dhe Adem Jashari tashmë kanë zënë vend në Prizren, dhe ata do të jenë aty përgjithmonë, pavarësisht nëse forma e paraqitjes do të mund t’ i nënshtrohet përmirësimeve, për të arritur nivelin e duhur artistik dhe historik. Është fakt dhe arritje, që në kryeqytetin historik e shpirtëror të projektit kombëtar shqiptar, të shkelin Gjergj Kastrioti dhe Baca Adem.

Së dyti, dëshiroj të sqaroj diçka, sepse kam parë që qarkullojnë informata të gabuara. Sa i përket shtatores së Gjergj Kastriotit, ajo nuk është realizuar me tender e as me para të komunës, prandaj nuk ka asnjë të vërtetë te insinuatat për vjedhje apo për përzgjedhje të artistit realizues. Ajo shtatore është bërë prej shoqatës së diasporës “Trojet e Arbrit”, të cilët kanë përzgjedhur artistin dhe kanë realizuar me mjetet e tyre monumentin. Komuna, sipas marrëveshjes, ka ofruar vendin dhe realizimin e piedestalit, dhe në projekt kemi realizimin e një sheshi, përreth monumentit.

Unë si kryetar i Komunës nuk jam autoriteti që vendos për vlerat artistike e as për ato historike. Por, dëshiroj t’ ju tregoj qytetarëve se ne do të themelojmë një komision për këtë çështje, të përbërë nga profesorë të artit, urbanistikës dhe të historisë, nga Kosova apo nga trojet shqiptare, i cili komision do të ketë për detyrë të sjellë një raport këshillues, se si duhet vepruar me shtatoren, dhe çka duhet të bëjmë me të. Në bazë të atij raporti këshillimor, do të diskutojmë në asamblenë komunale, dhe do të marrim vendim për të vepruar, me transparencë të plotë dhe në përputhje me interesin e treguar prej gjithë publikut mbarëkombëtar. Gjithsesi, po e përsëris, Skënderbeu është në Prizren, dhe do të jetë gjithmonë.

Sa i përket shtatores së Adem Jasharit, ajo nuk është vendosur në pronë publike e as nuk është realizuar si projekt publik. Ajo është vendosur brenda një qendre tregtare dhe është realizuar prej asaj qendre, me miratimin e disa përfaqësuesve të familjes Jashari. Ne jemi njoftuar me veprën vetëm pasi që ajo është vendosur aty, njësoj si gjithë publiku tjetër. Është e vërtetë se në pronë private nuk i takon Komunës që të ndërhyjë, megjithatë, simbolet kombëtare, siç është edhe Adem Jashari, duhet të mbrohen nga shteti edhe për mënyrën e përdorimit në mjediset private. Siç kemi marrë vesh më vonë, ajo statujë do të tërhiqet, me vendim të vetë operatorit privat, dhe shpresojmë që do të zëvendësohet me një statujë më të mirë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, më lejoni të lajmëroj publikun e gjerë se Komuna e Prizrenit tashmë i ka ndarë fondet dhe e ka filluar projektin, për të ndërtuar një monument publik, në një hapësirë publike, për komandantin legjendar Adem Jasharin.

Kjo është e vërteta. I falënderoj shumë kritikët, sepse pa kritika nuk ecet përpara. Shpresoj që me këto informacione, të kem kontribuar sadopak në sqarimin e opinionit publik në lidhje me këtë çështje të rëndësishme./ KultPlus.com

Merret vendimi për rimodelimin e shtatores së Adem Jasharit në Prizren

Shtatorja e Adem Jasharit, e cila është vendsur në Prizren më 28 Nëntor, e që u cilësua si karikaturë, do të rimodelohet

Këtë e kanë konfirmuar nga menaxhmeti i “Abi Çarshia” në Prizren, pranë së cilës është vendosur shtatorja e Adem Jasharit.

“Do të largohet përmendorja e Adem Jasharit për rikonstruktim dhe rimodelim të saj për shkak të kritikave të marra. Besoj se me shumë gjasë nesër ose më së largu gjatë kësaj jave do të largohet”, kanë thënë ata.

Nga menaxhmenti kanë theksuar se e njëjta skulpturë do të rimodelohet dhe se kjo do të bëhet nga një skulptor tjetër.

“Ky është vendim i përbashkët me skulptorin e kësaj vepre. Nuk dihet se për sa kohë do të përfundojë rimodelimi””, kanë deklaruar për klankosova.

Shtatorja e Adem Jasharit e vendosur më 28 Nëntor në Prizren u cilësua si karikaturë, pasi nuk ngjason me pamjen reale të komandantit.

Kritika të shumta u drejtuan për skulptorin që e ka punuar shtatoren, por edhe për Komunën e Prizrenit që lejoi vendosjen e një shtatoreje të tillë./klankosova/KultPlus.com

Gjergji dhe Ademi vazhdojnë të jenë në shërbimin tonë për të na treguar se ku jemi katandisur!

Shkruan: Arbër Sadiki, arkitekt

Të gjitha artefaktet e gjetura të civilizimeve më të hershme, tregojnë se njeriu paralel me plotësimin e nevojave të tij thelbësore, pandërprerë kultivoi dhe zhvilloi ndjenjën e tij ndaj së bukurës duke e konsideruar atë shpesh edhe hyjnore. Qysh në Paleolit, shpella e Altamiras në Spanjë, përpos që u përdor për strehim, ajo u zbukurua me figura të ndryshme të ngjyrosua me ngjyra të përfituara nga toka dhe yndyra e kafshëve. Të gjithë tempujtë në Mesabotami dhe Egjipt, përpos mureve, dyshemeve dhe tavaneve të zbukuruara me piktura dhe mozaiqe, ato përcilleshin edhe me skulptura të dimensioneve dhe motiveve të ndryshme. Për të ardhur tek Greqia Antike, ku skulpturat që i dedikoheshin Zotërave të ndryshëm, duheshin patjetër të ishin të përkryera në dimensionin artistik sepse vetëm si të tilla mund të gëzonin besimin e qytetarëve grek.

Por, pavarsisht se interesi i njeriut për të bukurën u zhvillua pandërprerje, pyetje të mëdha rreth definimit të saj, ishin çështje të diskutueshme në mes të filozofëve, intelektualëve, kritikëve dhe historianëve të artit, në të gjitha epokat e qytetërimit botëror. Çka është arti? Çka është e bukur dhe çka e shëmtuar? Cilat janë kriteret në bazë të cilit vihet deri tek një gjykim mbi estetikën? Cili është thelbi i artit?

Filozofia si disciplinë e cila përpiqet të kuptojë dhe sqarojë thelbin e ekzistencës dhe së vërtetës, gjithmonë ka tentuar që të përgjigjet në këto pyetje si pjesë të rëndësishme të të kuptuarut të natyrës së brendëshme njerëzore. Estetika, si disciplinë e veçant filozofike e cila merret me krijimin artistik dhe përjetimin e veprave të artit, për herë të parë u përmend nga filozofi Gjerman Aleksander Baumgarten, në vitin 1735, i cili me të lidhte ndjenjën e fituar gjatë përceptimit. Pak vite pas, bashkëkombasi i tij, Imanuel Kant, duke u marrur me të bukurën dhe të madhërishmen, konkludonte “se shija është fuqia e të gjykuarit të një objekti ose lëndëje me ndihmën e të pëlqyerit dhe të mos përlqyerit pa kurrfar interesi. Objekti i pëlqyer si rezultat i këtij procesi, quhet i bukur”.

Kthesën më të madhe në të gjykuarit mbi estetikën, e solli skulptori francez Marcel Duchamp në fillim të shekullit XX kur ekspozoi veprën e tij artistike pjesë përbërëse të së cilës ishin rrota e biçikletës dhe pisuari. Simbas të gjitha rregullave të deriatëherëshme të të gjykuarit estetik, kjo nuk mund të klasifikohej si vepër arti. Në të vërtetë, pikërisht këtu fillon kthesa e madhe e të gjykuarit estetik, ku Dishan duke na sjellur element të rëndomt të përdorimit të përditshëm si mjete për realizimin e veprave të artit, na bënë me dije se vepra artistike nuk varet vetëm nga format fizike që e përbëjnë, por nga konteksti në të cilin ato vendosen. Ky qëndrim, paraqet moment të rëndësishëm për filozofinë bashkohore sepse ART nuk nënkupton më gjykim mbi vlerat fizike, por mbi statusin.

Gjithë këtë elaborim kronologjik, i cili është fare i njohur për gjithkë që ka një formim mesatar intelektual jo domosdoshmërisht nga fusha e artit, e bëra me të vetmin qëllim që të mundohem të gjykoj mbi vlerat estetike që manifestojnë shtatoret e vendosura gjithandej qyteteve tona këto 20 vitet e fundit.

Normalisht, teksti vjen si reflektim marr shkas nga debati që ngjallën dy shtatoret e vendosura rishtas në Prizren, shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Adem Jasharit. Por, asesi duke u fokusuar vetëm tek to, sepse këto dy shtatore asgjë nuk dallojnë nga ato që ne kemi prodhuar tah e njëzet vite. Pothuajse të gjitha veprat e artit publik të prodhuara pas luftës së fundit, e që zakonisht i dedikohen protagonistëve të kësaj lufte, varijojnë nga ato me defekte të theksuara proporcionale, deri tek ato të realizuara korrekt brenda principeve të realizmit socialist të pas Luftës së Dytë Botërore. Këto të dytat, përgjithësisht të realizuara nga skulptorë eminent nga Republika e Shqipërisë, ku kjo rrymë ishte shumë e zhvilluar, arrijnë shpesh edhe përkryeshmërinë brenda kësaj fryme por ja që nuk mjafton nga që shpërfillin komponentën VEPËR – KOHË, e domosdoshme për një vepër arti.

Pra, nëse kategoria e parë, janë krejtësisht fyese për kontributin dhe sakrificën e personaliteteve të cilave u dedikohen, këto të dytat janë një keqpërdorim i qartë i tyre për axhenda ditore politike. Përmes modelimit të tyre domosdoshmërisht në frymën soc-realiste, është ndërtuar një narrativ i qartë për ti imponuar qytetarit të lirë se kush u a solli lirinë. Tek këto skulptura, i gjithë impenjimi i autorëve të tyre, normalisht kërkesë eksplicite e porositësve të veprës, është tek modelimi në detaje i arsenalit ushtarak që ata posedojnë, dhe fare pak në psikologjinë dhe intelektin e protagonistëve, ndërsa aspak në idealin e tyre sublim – LIRINË. Pra, tek ta gjejmë armë të madhësive dhe tipologjive të ndryshme (pistoleta, kallash, minahedhëz, mitraloz, …), por asnjëherë lule, pemë, gjelbërim, gurë, ujë, synonime këto shumë më të përafërta me lirinë, dashurinë, tolerancën – ideale këto për të cilat ata ranë. Pra, prurësi i lirisë asesi nuk guxon që të shpreh asnjëlloj atributi intelektual sepse duhet treguar qartas se kush e solli lirinë – PUSHKA. Ska rëndësi se heroi Shaban Jashari, para se të ishte luftëtar – ishte mësues, Agim Ramadani – poet dhe piktor, Edmond Hoxha – student, dhe se lufta ishte vetëm një imponim i vrazhgët ndaj këtyre angazhimeve të përditshme të tyre kaq fisnike.

Nëse nga ky realitet që na shpërfaqet gjithandej, tentojmë ti përgjigjemi pyetjeve qindravjeçare të përmendura sipër: Çka është arti? Cili është thelbi i artit? Në këtë rast është fare e qartë – Arti në shërbim të ideologjisë, politikës, përfitimit ditor. Kjo do të ishte fare normale për një shoqëri totalitare, diktatoriale, por nëse duam ti japim një përgjigje brenda një konteksti liberal demokratik, atëherë përgjigja vështirësohet. Si ta përkufizojmë atë si njeri i lirë, çka na pëlqen neve pa kurrfar interesi, ashtu siç insiston Kanti? Si ta kontekstualizojmë atë dhe ta nxjerrim nga të qenurit objekt, në subjekt të vazhdueshëm marrëdhënijesh me njeriun dhe kontekstin – siç pretendon Dishan.

Të pamurit në këtë prizëm, na shpërfaqen defekte më të mëdha shoqërore të cilat shkojnë përtej keqpërdorimit ideologjik të porositësve të këtyre veprave nga një grup njerëzish. Shtrohen pyetje, si: Po institucionet e pavarura, Akademi Shkencash e Artesh, Institute, Universitete, Shoqata artistësh e intelektualësh, intelektual të pavarur, artistë të lirë, cili ka qenë qëndrimi i tyre ndaj kësaj dukurie? Jemi të gjithë dëshmitar, se me përjashtime të vogla, 20 vitet e fundit këto kategori kanë qenë krejtësisht të pa zë. Të qenurit pa qëndrim për çështje që të përkasin, është kontribut direkt në mbështetjen e së keqes. Skulpturat e Prizrenit nuk bënë asgjë të jashtëzakonshme, pos vetëm një shërbim që bënë arti, për çudi, edhe kur nuk përmban kurrnjëfarë vlere tjetër brenda – shpërfaqë një realitet. Arti është kaq i sinqertë sa që edhe kur tentohet të keqpërdoret ai përsëri thotë të vërtetën. Këto skulptura, vetëm shpërfaqin realitetin tonë shoqëror në të gjitha fushat. Dy figura kaq të mëdha të kombit, nuk pranojnë të na gënjejnë. Gjergji dhe Ademi nuk bëjnë asgjë tjetër veçse vazhdojnë të jenë në shërbimin tonë për të na treguar se ku jemi katandisur! Niveli artistik i shtatorëve të tyre nuk është as më i keq e as më i mirë se arkitektura jonë, shëndetësia, ekonomia, drejtësia, muzika, filmi, rrespekti dhe dashuria që ne realisht kemi për figurat qendrore tonat.

Të kthehemi edhe një herë tek mënyra se si përgjithësisht i kemi bërë këto shtatore, duke u munduar për të dhënë edhe një zgjidhje. Duke u nisur nga fakti se asnjëri prej këtyre personaliteteve të nderuara nuk kanë sakrifuar jetën e tyre për ti u ndërtuar një shtatore, porse sakrifica që atë bënë është shumëfish më e madhe se sa që mund ti kompenzohej me një të tillë, aq më tepër duke u nisur edhe nga cilësia e realizimit të tyre, mendoj se më e mira do të ishte që ato të mblidhen gjithandej Kosovës dhe të shkrihen ashtu siç u shkrinë ata vetë për një ideal të vetëm dhe me masën e fituar të ndërtohet një memorial i vetëm dinjitoz në qendër të kryeqytetit ose kodrat për rreth tij si mbrojtës i qytetit, memorial i cili do ti manifestonte vlerat më sublime për të cilën ata ranë. Ata dhanë jetën për të dhuruar jetë. Mu për këtë, memoriali për ta duhet të jetë plotë jetë. Masa e bronzit në të cilën do të brumoseshin shpirtrat dhe idealet e tyre, e modeluar dhe rrethuar natyrshëm me lulet, pemët, ujin, njerëzit që e rrethojnë, të gjitha të shkrira në një, do na bënin të ndjejmë praninë dhe idealin e tyre në erën e luleve kur çelin, shushurimën e gjetheve kur fryen, në vesën e barit të njomë, në gurgullimat e ujit, në cicërrimat e zogjëve, në të qeshurat e fëmijëve duke lozur rreth e rrotull monumentit. / KultPlus.com

Alban Muja liston kriteret për shtatore: Shumica të punuara pas luftës duhet me u largu

Artisti Alban Muja nëpërmjet një postimi ka shprehur mendimin e tij për dy shtatoret që u zbuluan dje në Prizren, shkruan KultPlus.

Muja është shprehur se të tilla nuk na duhen dhe se shumica e shtatoreve nga periudha e pas luftës duhet të largohen e zëvendësohen bashkë me narracionet e tyre.

Në të njëjtën kohë, ai ka listuar edhe kriteret të cilat nevojiten të përmbushen para se të ngritet një shtatore.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Alban Mujës:

Nuk na duhen shtatoret te tilla, por edhe nese i bejm, ti bejm siç duhet. Shumica e shtatoreve te punuara pas luftes duhet me u largu dhe me u zevendesu, jo vetem shtatoret por edhe narracioni per to.

Keto jane vetem disa nga kriteret per ngritjen e nje shtatore/permendore :

1. Per zgjedhjen e nje shtatore/monumenti ne hapsire publike, duhet te kemi konkurs te hapur, transparent.

2. Nje komision apo juri vlersues. Per vendet e vogla si ne, mundesisht nderkombetare.

3. Se paku tre propozime nga ata autore qe njohin punen/anatomine.

4. Nese nuk kemi propozime te mira dhe te pershtateshme, hapet prap konkursi, kete rast nderkombetare patjeter, deri sa te jete se paku nje propozim i mire.

5. Propozimet duhet te jene anonim, pa emer, me nje xx shiher.

6. Propozimet behen me makete, skice dhe koncepte ide.

7. Propozimet duhet ti permbahet kushteve qe parapakisht shtrohen nga punedhenesi (komuna, qeveria, institucioni etj)

8. Pas zgjedhjes jep arsya se pse ka fitu propozimi nr.xx nga juria, komisioni.

9. Juria apo komisioni duhet te perfshij ne vete, artiste vizuel, arkitekte, historian, dizajner i ambientit, antropolog ect.

10. Mos te kete ndikmime poltike ne perzgjedhje, dhe asesi poltikan ne juri apo komision.

11. Duhet te behet studimi i hapsires/sheshit para vendosjes se nje permendorje.

12. Perzgjedhja duhet te jete ne pajtim me familjen e heroit dhe sidomos me banoret ku vendoset shtatorja/permendorja.

Jam i sigurt qe mund te kete edhe kushte apo kritere tjera, varsisht nga konkursi, por NUK kemi nevoj me zbulu asgje, vetem me marre shembull si veprohet ne vendet normale, pasi shtatoret apo permendoret ne hapsire publike, jane reflektim i shoqerise dhe i udheheqesve te saj. Mjaft qeshem, duhet intervenim i shpejt. / KultPlus.com

Edhe dy shtatore të shëmtuara në Kosovë

Kritikë për shtatoren e Skënderbeut dhe Adem Jasharit që u ngritën dje në Prizren nga kritiku i artit, Ilir Muharremi

Skulptura është art tredimensional, art që i sfidon kohës, që varet nga koha, përkufizohet nga koha, vlersohet nga koha. Është art publik, veçanërisht kur bëhet fjalë për shtatoret të cilat monumentojnë një figurë të shquar, ngjarje historike, hero të kombit, për të cilën opinioni i sotëm, dhe ai në ardhje duhet të jap konkluzion estetik përfaqësues të biografisë dhe meritave të dhëna nga ajo figurë, pra duhet ta rikoujtoj sakt mbas anatomisë, gjestit, karakterit origjinal, pavarësisht se është art, por është art publik shtatorja. Pastaj, shtatorja kur punohet mendohet qëndrueshmëria e saj ndaj mëngjesit, përplasja e rrezeve të diellit, shfaqja e hijeve që shpesh herë mjegullon gjymtyrët dhe vijat e krijuara nga skulptorit, pastaj pasditja, kohët me shi, muzgu dhe mbrëmja.

Vëzhgimi optik, me të cilin lidhet ngushtë hapësira se ku vendoset shtatorja, distanca e të vëzhguarit, bazamenti, lartësia, arkitektura përreth e të gjitha këto ndikojnë në origjinalitetin estetik dhe te shfaqjes së karakterit mbas udhëzimeve të fotografive ose gojëdhanave. Duke e modeluar dhe strukturuar me kujdes dhe saktësi formën, dukë i dhënë jetë, frymë skulpturës. Pra, skulptorët të cilët krijuan dy shtatore atë të legjendarit Adem Jasharit dhe heroit tonë më të madh Gjergj Kastriotit- Skënderbeut që u zbuluan dje në qytetin e Prizrenit nuk ofruan as minimumin e artit të saktë të skulpturës, por dhanë paqartësi, deformime anatomike, i fyen figurat tona të shquara sepse pamja e jashtme e skulpturës jep shumë rëndësi, janë të turpshme vizualisht dhe të shëmtuara artistikisht.

Shtatorja e Skënderbeut, tregon një pasaktësi propocionale anatomike me deformime serioze. Koka është shumë e gjatë, gjatësia e qafes e tejkalon çdo matje proporcionale të trupit dhe hollësia e saj. Pastaj, skulptori fokusohet te mjekra e cila aspak nuk është e natyrshme dhe nuk i ngjanë mjekrës së Skënderbeut. Trupi i tij hollak më shumë nxjer atë anën komike se sa luftarake dhe nuk e di se ku qe qëllimi i skulptorit. Në portale del emri i autorit të kësaj skupture që është Sinan Alija.

Ndërsa, shtatorja e komandatit legjendar Adem Jashari që po ashtu u zbulua në Prizren, emri i skulptorit nuk dihet, është krijuar nga një fotografi e Jasharit. Përmasat devijojnë, sidomos krahërori shumë i gjërë, duart e shkurtërat të holla me shuplaka të vogla. Si duket skulptori mendon qe veç mjekra dhe një pal dylbi e identifikojnë imazhin real të Jasharit. Ndonëse, dhe karakteri devijonë plotësisht, prapa syve nuk mund të vërejme shpirtin e Ademit. As një gjest, as një lëvizje nuk është e Ademit. Figura ngjanë më shumë me ato lodra të Llegos.

Deri kur më të fyhen heronjtë shqiptar me shtatore të dobëta. Nuk e dijë a është e qëllimshme kjo fyerje apo përse duhet të bëhet? Duhet sa më parë të rrënohen këto shtatore, të ngritën ato siç i ka hije heronjve shqiptar. Njëherë e masakruan serbët, tash po e masakrojmë vet ne me anë të artit. / KultPlus.com