‘Gjurmë’, ekspozita më e re e Adrian Devollit në FAB

Adrian Devolli çel ekspozitën “Gjurmë”, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, (FAB) e cila përmbledh një pjesë të punëve më të mira të artistit, në pikturë, grafika, skulpturë dhe qeramikë.

Artisti Devolli e konsideron domosdoshmëri ekspozitën e cila shërben për të si një refleksion mbi gjendjen në të cilën gjendet dhe atë drejt së cilës shkon.

Titulli “Gjurmë” ka lidhje me gjurmën që le çdo artist në art, një “guralec” në strukturën e madhe të artit. Emocionet e Adrian Devollit gjejnë një teknikë të veçantë për t’u shpalosur në kuadër apo skulpturë.

“Gjurmë” do të qëndrojë e hapur për publikun e FAB-it deri më 23 shtator.

Ardian Devolli ka studiuar në Akademinë e Arteve, ku u diplomua në vitin 1979. Ai është njëkohësisht studiues i Artit Bizantin dhe themelues i grupit artistik “Mur”./atsh/KultaPlus.com

Diplo në harmoni të përsosur me turmën, mbylli magjishëm natën finale të “Sunny Hill”

Uranik Emini

Të performosh përpara një numri të madh njerëzish është gjithnjë e vështirë, sidomos kur ju jeni njeriu kryesor dhe gjithë sytë e publikut janë te ju. Gjatë gjithë kohës duhet të keni prezicitet në matjen e nivelit të energjisë në pistën e kërcimit në mënyrë që të krijoni tranzicionin e duhur. Përkufizimi më i thjeshtë i një “DJ” është se ai luan muzikë. Megjithatë, gjërat janë më komplekse kur je përballë një turme dhe duhet të kontrollosh të gjithë njerëzit. DJ-të duhet të kujdesen deri në pikën e fundit që të përziejnë këngët dhe kështu të krijojnë edhe tranzicione muzikore për të rritur energjinë e audiencës. DJ duhet të ketë aftësinë për të bërë që muzika të rrjedhë natyrshëm dhe pa probleme në veshët e dëgjuesve, shkruan KultPlus.

Me të dalur në skenë, Diplo nuk humbi kohë duke e ngritur volumin, duke filluar një shfaqje të lehtë të tijën dhe duke i ngritur të gjithë në këmbë duke kërcyer. Interaktiviteti me audiencën ishte mjaft i ulët në fillim, por ishte e qartë se njerëzit erdhën për të kërcyer dhe dëgjuar muzikë – dhe Diplo po u jepte atyre atë që dëshironin.

Në mesin e shumë linjave që ai po thoshte gjatë mbrëmjes, Diplo u sigurua që të shfaqte dashurinë për Kosovën, duke bërtitur disa herë “të dua Kosovë”, gjë që ndikoi absolutisht në entuziazmin e publikut. Dukej sikur audienca kishte pritur kaq gjatë për t’u futur në frymën e vallëzimit dhe muzikës së mirë të Sunny Hill Festival- dhe Diplo sigurisht ia doli.

Diplo bëri të gjithë të pranishmit në natën përmbyllëse të Festivalit Sunny Hill të lulëzojnë me energjinë elektrizuese që solli në skenë, si një profesionist i vërtetë.

Ky ishte rikthimi i Sunny Hill pas tre vitesh për shkak të mbylljeve nga COVID-19, i cili ndryshoi tërësisht proceset e jetës, për një kohë relativisht të gjatë. Në këto katër ditë, sa zgjati festivali, të rinjtë e Kosovës përjetuan diçka shumë më ndryshe nga ajo që ishin mësuar.

Gjithashtu, për gjatë gjithë këtyre ditëve, Sunny Hill Festival, në krye me Dua Lipën, u munduan që gjithnjë të shtyjnë përpara kauzën e liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi ata e shohin si një diskriminim i madh që po ju bëhet shqiptarëve. “Set Me Free” ishte një ndër thirrjet më të përsëritura në festival.

Ndërkaq, së bashku me kryesorin e natës, aty performuan edhe: Adrian, Rrrron, Bookie, Caboo, Vertigeux, Art Haliti, Jimpong, Labi Ramaj, Romeo Blanco, Burak Yeter dhe Regard. /KultPlus.com