Vajta në Stamboll të bëj pazar, për kujtim të ble një vazo balte: – Paqe dhe selam, usta poçar, Vazon më të mirë po e pate Paqe dhe selam, usta poçar!
Vazoja nga dora shkau e ra Dhe m’u bë njëzet e pesë copë, Më erdhi rrotull deti Marmara Dhe m’u hap dyqani turk si gropë, Më erdhi rrotull deti Marmara.
Pa më shau poçari keq turqisht, Unë e shava shqip e mend i rashë; Për çudi poçari nuk u ligsht, Veç dy lot në sytë e kuq i pashë, Për çudi poçari nuk u ligsht!
Mos u çmend ky turk, ky musliman? Unë e shaj, ai me duar në qafë! Poçe tjeter mori në dyqan Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!” Poçe tjetër mori në dyqan.
Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar, Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë, Fjala shqipe s’blihet në pazar, Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë, Fjala shqipe s’blihet në pazar!”
Ikën nga dyqani burra e gra, Unë e një poçar e tjetër s’kishte, Vazot frynte deti Marmara, Vazove poçari shqip u fliste, Vazot mbushte deti Marmara. /KultPlus.com
Dritëro Agolli lindi (13 tetor 1931- 3 shkurt 2017) ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Kritik ndaj frymës tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritëro Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e vjershërimit shqip, përcjell KultPlus.
Mësimet e para i kreu në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës , një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i ‘Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë’.
Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në perëndim e në lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e tij, Agolli e vendosi veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Si shkrimtar i madh i një ‘gjuhe të vogël’, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombës, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, ai gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij, Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë.
Vepra e tij poetike më e njohur është “Nënë Shqipëri”, ku krijohet figura e atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta me të cilat u përballen. Me vëllimet poetike “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorkat e mesnatës” autori shpall sfidën e tij të re të mjeshtërisë. Ne këto vëllime shpërfaqet poeti me ideal të tronditur, që duhet të gjejë vlerën dhe kuptimin e jetës së vet dhe të brezit që përfaqëson në kushtet e tronditjeve të mëdha të shoqërisë dhe të ndryshimeve rrënjësore të rrugës drejt së ardhmes së saj. Në prozë, bëri emër sidomos romani ‘Komisari Memo’, në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës Nacional – Çlirimtare.
Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Evropian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”. / KultPlus.com
Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia: Në oborr u tha në fillim një dardhë, U shterr dhe pusi i madh tek avllia Ku kishte koliben qeni i bardhë. Dhe vdiqën njëri pas tjetrit
Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna; Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit Tek bulevardi zvarris këpucët e ngrëna. Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë, Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë, Që thonë: “Ende ky gjallë”
Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët, Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë! Kur gripi më zë i ngrenë veshët Dhë bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?/KultPlus.com
Fragment nga letërkëmbimi mes Sadije dhe Dritëro Agollit në vitet 1964-1965:
Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh , të qeshësh . E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare fare . E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo ? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty , e humb gjakftohtësinë . Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija. / KultPlus.com
Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër. Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.
Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.
Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më polli mua kur u kthye nga arat.
Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste: -Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!… Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.
Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi.
Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit.
Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash . -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur.
Folēm për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē. Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti . -E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë. -Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. – Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij.
Ti në kanape tani dremit Ndofta gjumi ende s’të ka zënë, Abazhuri mbi qerpikë ndrit Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.
Para teje ndal mendimi im: Jemi dashuruar edhe sharë Jemi ndarë shpesh në udhëtim, Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.
Dhoma hesht e rruga larg gjëmon Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë. Të kam pasur ëndërr çast e orë, Ëndërr të trishtuar dhe të mire Po të jem vërtetë një Pitagorë Ti je teorema më e vështirë… /KultPlus.com
Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia: Në oborr u tha në fillim një dardhë, U shterr dhe pusi i madh tek avllia Ku kishte koliben qeni i bardhë. Dhe vdiqën njëri pas tjetrit
Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna; Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit Tek bulevardi zvarris këpucët e ngrëna. Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë, Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë, Që thonë: “Ende ky gjallë”
Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët, Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë! Kur gripi më zë i ngrenë veshët Dhë bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?/KultPlus.com
Poezi e Dritëro Agollit për bashkëshorten e tij, Sadijen:
E dashur Sadije Të dua si jetën time, madje edhe më shumë Dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh Unë edhe i vdekur do të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde Megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket Por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia/KultPlus.com
Gjysma e qiellit me re dhe gjysma tjetër e kaltër Këtë harmoni shkrepëtima e prish Gjysma e shpirtit e ngrirë dhe gjysma tjetër e vakët Dhe në gjoks një ankth si iriq.
Ndaj sot nuk do shkojmë kurrkund, As në koncert, as në park, as në varre; Ti shko në dhomën tjeter dhe mbesën përkund Dhe unë po ndez një cigare.
Mbase kujtohet im bir arratisur në botë Dhe prish heshtjen e dhjamur mbi telefon! Ah, kjo cigare që pi është e fortë, E ndiej kur në gjoks më shtrëngon./KultPlus.com
Turizmi ishte tema e videomesazhit të javës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Duke sjellë në vëmendje faktin se industria e turizmit në Tiranë sot po kalon ditët më të mira, Veliaj tha se shifra e mbi 4 milionë turistëve që vizituan vitin e shkuar Kryeqytetin, erdhi falë investimeve të 8 viteve të fundit dhe qasjes për të pasur një qytet të pastër, mikpritës dhe me kushtet e nevojshme të hotelerisë.
“Pavarësisht bindjeve, shumica prej nesh biem dakord se, vitet e fundit, Tirana është kthyer realisht në një qytet që gëlon nga turistët, thuajse në çdo muaj të vitit kalendarik, nga festat e dhjetorit, gjatë verës, e deri në fund të vitit, me Festat e Pavarësisë. Unë ju ftoj të zgjidhni një orë të ditës, kaloni në Sheshin Skënderbej dhe grupet e turistëve në gjuhë të ndryshme do t’ju vërtetojnë se këto janë ditët më të mira edhe për turizmin në Tiranë,” tha ai, duke theksuar se ky është një lajm fantastik, jo vetëm për ekonominë e qytetit, por edhe për ekonominë e Shqipërisë.
“Pyetja është, si kemi arritur deri këtu dhe si kemi bërë të mundur që nga viti 2015-2016, kur Tirana regjistronte jo më shumë se 100 mijë turistë në vit, 8 vjet më pas shifra e tyre të shkojë në 4.5 milion? Përqasja jonë për të zhvilluar turizmin ka qenë e trefishtë: të ruajmë identitetin historik, duke konservuar ndërtesa dhe hapësira të rëndësishme që realisht janë shpallur monumente të kulturës, t’i japim jetë ndërtesave dhe hapësirave historike dhe e treta të investojmë për shekullin e dytë të Tiranës kryeqytet,” shpjegoi Veliaj.
Ai përmendi disa nga projektet e mëdha që e kthyen Tiranën në kryeqendër të rajonit dhe një pol turistik, por që shpesh janë anatemuar dhe janë bllokuar nga një pjesë e politikës.
“Sheshi Skënderbej nuk është më një rrethrrotullim, por një hapësirë fantastike për turistët dhe për aktivitetet. Pazari i Ri, Kalaja, Sarajet e Toptanasve, që Bashkia i ka blerë, Shtëpia Kadare, Shtëpia Dritëro Agolli, që gjithashtu janë blerë nga Bashkia, Bunk’Art, Shtëpia me Gjethe, stadiumi Arena Kombëtare, janë histori suksesesh, të cilat nuk i kemi pasur, por janë bërë falë punës në këto 8 vitet e fundit. Kanë sjellë më shumë punë dhe zhvillim për qytetin, për gjithë Tiranën tonë dhe kanë ndikuar që qyteti ynë të vizitohet nga këta miliona turistë,” u shpreh Veliaj.
Ai u ndal edhe te kullat e Tiranës, të cilat janë sulmuar shpesh nga politika. “Kullat e Tiranës, sidomos të qendrës, janë mundësia e artë për të sjellë investime të klasit botëror në fushën e turizmit. Fatkeqësisht, ndërtimi i tyre është sulmuar shumë nga njerëz që nuk e kuptojnë potencialin që ato kanë për turizmin. Histeria se këto ndërtime po bëhen në prona publike është po ashtu e rreme. Janë në pronat e tyre private. Kush investon në sektorin e turizmit është guximtar, duhet t’i jemi mirënjohës, t’i themi bravo të qoftë, sepse janë përfaqësuesit e parë të Tiranës dhe Shqipërisë me turistin e huaj, me atë që na viziton,” deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se ndërtimi i kullave ka sjellë në Kryeqytet disa nga brandet më të njohura ndërkombëtare të hotelerisë dhe turizmit. “8 vjet më parë nuk kishim asnjë brand ndërkombëtar hotelerie në Tiranë. Asokohe, gjithollogët thoshin se Tirana s’ka turizëm, se nuk ka mundësi për turizëm. Ndoshta, me të drejtë, sepse si mund të ketë turizëm kur nuk kemi ku t’i strehojmë turistët? Turizëm në shtëpi qerpiçi nuk mund të ketë. Sot kemi hotelet me emrat më të mëdhenj të botës, që po instalohen ose janë instaluar në Tiranë: Hilton, Hayat, Melia, Marriot, Maritim Plaza, InterContinental, që jo vetëm e kanë plotësuar mungesën e shtretërve të Tiranës, por kanë sjellë punësim, kanë sjellë edhe dije për sektorin vendas,” u shpreh ai.
Tirana sot shkëlqen, shtoi kryebashkiaku, dhe është shumë herë më e pastër, më e gjelbër, por edhe më mikpritëse./ KultPlus.com
Në ballkonin përbri shoh gjithnjë të njejtin burrë Ai nuk punon kurrë dhe ka gjithë jetën me kollë një tingull i padurueshëm si modeli flokëve
Në ballkonin përbri sa herë dëgjoj kollën e çuditshme burrit që gruan ia shoh rrallë unë pi tre cigare rrjesht Sot, lëvizjeve të përsëritura i’u shtua një mizë Po, pashë një mizë ndërsa i afrohej
Ti nuk mundesh të kuptosh këngën e një mize As nga kati katërt As kur bie shi, doja t’i thoja Këngën e një mize e kupton veç miza brenda gojës gojës tënde Aty, në katin e katërt ndërsa gruaja bën dush Çudi e madhe, Askush nuk e kupton orgazmën e një mize Si një dashnore ajo po hyn vjedhurazi në shtëinë e këtij burri në mesin e bajameve të tij në atë vend të ngrohtë ku vërshojnë sekrecionet dhe përplasen dhëmballëve si deti shkëmbinjëve
Ti nuk mund të kuptosh këngën e një mize në mesin e një burimi ku pështyma është kryengritëse si kënaqësia dhe vuajtja përmbysëse si dhëmballët që të mungojnë
Oh, sa bukur këndon miza në fytin e fqinjit tim të shkretë që i fryhen sytë papritur dhe më pas bota ndalet Por… ja po e shoh, ai as që e ndjen këtë çast sublim Është kaq i gjorë saqë nuk i pushon kurrë kolla Edhe pasi vdes
Ç’trishtim të vërtitesh vetëm në shtëpi dhe mos kuptosh asgjë Ja, ai po mbyll dritaren e besdisi prania ime që e vëreu Iku, u fsheh pas murit dhe unë mendova ç’fatkeqësi të mos jesh mizë
“I rilindur pas vitesh të tëra degradimi deri në pikën që nuk njihej më, gjimnazi “Asim Zeneli”, ku mësuan edhe Ismail Kadareja e Dritëro Agolli, do të presë nxënësit në kushte optimale falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe bashkëfinancimit të Bashkisë Gjirokastër”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përcolli pamje nga kushtet e reja ku do të mësojnë gjimnazistët e “Asim Zenelit” në Gjirokastër, në prag të nisjes së vitit të ri akademik.
Po ashtu, kryeministri tha se gati janë edhe të tjera shkolla të reja në Kukës, Malësi e Madhe, Kavajë, Pogradec, Mallakastër, falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe bashkëfinancimit të bashkive përkatëse. /KultPlus.com
Shkrimtari i njohur amerikan Egdar L. Doctorow shkruan diku për një emision në radio, me titull “Jeta me shkrimtarin”, ku në një bisedë me bashkëshortet e shkrimtarëve ishte edhe gruaja e tij. “Moderatorja e filloi emisionin me fjalët: Ne shpesh dëgjojmë se shkrimtarët janë egoistë, arrogantë, interesohen vetëm për kokën e tyre, ua vështirësojnë jetën njerëzve që kanë pranë – ah, sa të tmerrshëm janë. Dhe në këtë çast, gruaja ime, të cilën ajo ende nuk e kishte prezantuar, e ndërpret: Zonjë, nuk e dija që e njihnit burrin tim!”
M’u kujtua kjo bisedë kur mora vesh për lajmin e trishtuar të ikjes nga jeta të bashkëshortes së shkrimtarit Dritëro Agolli. Për një botues që merret me letërsinë shqipe, sidomos me majat e saj, kjo është situatë krejt e kuptueshme. Ndryshe nga publiku i gjerë, i cili komunikon me shkrimtarin nëpërmjet krijimeve të tij, gëzohet, lumturohet, trishtohet me personazhet e tij, shkrimtari i duket pak a shumë si një qenie që s’është e kësaj bote, sepse nuk ka rast ta shohë si fle, si zgjohet, si vishet, si ushqehet, si i pi ilaçet apo kur grindet, kur bërtet, kur është i padrejtë dhe ngulmon pamëshirshëm në të tijën. Dhe bëhet tjetër njeri, që kur bie celulari dhe fjala e parë, gjithë seriozitet, është: Alo. Një mobilizim i atypëratyshëm për njerëzit jashtë rrethit të tij.
E ndjeva këtë vuajtje të bukur të grave të shkrimtarëve te portreti dhe fjala e Sadijes në një rast kur po xhirohej një film nga TCH për Kadarenë. Ishte parashikuar që të dy shkrimtarët të takoheshin vetëm për vetëm, si dy miq të hershëm, te Bar Juvenilja. Ishte një ditë tetori, por ngaqë kishte rënë shi, bënte ca ftohtë. Po shfletonim shtypin e ditës, kur pamë të afrohej Dritëroi, i mbajtur për krahu nga Sadija. U ndjeva në siklet sepse duhej të ishte edhe Helena, nuk ishte menduar se do të vinin si çift. Dritëroi ende s’i kishte mbushur të tetëdhjetat dhe Sadija nuk i ndahej asnjëherë, në asnjë rast. Kur u afruan, vura re që të dy ishin të emocionuar dhe i ftohti sikur ua shtonte më shumë këtë ndjesi. Madje Kadareja, në vend të përshëndetjes, e pyeti Sadijen: “Pse je kaq e mallëngjyer?” Dhe përgjigjja e saj: “Ti më ke njohur me kët’ burrë. Jemi takuar në shtëpinë tande. Faleminers.” Dhe Kadareja që ia ktheu menjëherë: “Ohu sa gjëra kemi bërë ne me Dritëroin.
E kishte harruar vërtet Kadareja këtë fakt? Me siguri, po. Sepse për ata vetëm letërsia e tyre ekziston, vetëm ajo është më e rëndësishme dhe gjithçka tjetër, s’ka të bëjë me ta. Sepse shkrimtarët, qëkurse kanë lindur dhe janë në këtë botë, kanë vetëm një dashuri të padyshimtë, të përjetshme, pas së cilës vijnë dashuritë e tjera. Kjo është dashuria e shkrimtarit për letërsinë, një dashuri gati hyjnore. “Për veten dhe artin (që ish pjesë e vetes së tij) ai do të sakrifikonte, në fund të fundit, Emën”, – thotë Bardhyli te romani i parë i Kadaresë “Mjegullat e Tiranës”. Bardhyli është alter egoja e autorit dhe ky pohim duket tepër i sinqertë për moshën kur është shkruar. Por ata mbeten po të njëjtët, rreth tyre rrotullohet bota.
Po si e kanë përballuar gratë e shkrimtarëve gjithë jetën këtë rivalitet në dashuri, si e kanë përjetuar ato dashurinë që mijërat e lexuesve kanë pasur në faza të ndryshme të jetës për bashkëshortët e tyre? Sepse edhe ato janë shpërblyer me një lumturi, pothuaj hyjnore: kanë pasur fatin e bukur dhe të rrallë në botë, që të përjetojnë të parat gëzimin e leximit të krijimit të sapolindur!
Apartamentet e Kadaresë dhe Agollit, dy shkrim-tarëve që kanë sunduar gjysmën e shekullit XX në lehtësinë shqipe, tashmë janë destinuar të bëhen muze. Por asgjë nuk mund të krahasohet me bashkëshortet e tyre, të cilat ruajnë në kujtesën, mendjen dhe shpirtin e tyre gjithçka që ka të bëjë me jetën e shkrimtarit. Ndaj, ikja e Sadije Agollit është humbja e një ure që na lidhte me shpirtin e Dritëroit. Pjesa tjetër, kryesorja, sigurisht, sikundër thotë vetë poeti, me fjalët e tij: “Do të më gjeni në raftin e librave.” /BujarHudhri/ KultPlus.com