“Dera e Pritjes” si simbol i agonisë dhe trishtimit për 1616 personat e zhdukur

Më shumë se 24 vjet kanë kaluar që nga përfundimi i luftës në Kosovë (1998-1999), por fatkeqësisht fati i 1616 personave të pagjetur vazhdon ende të mbetet plagë e hapur për të gjithë ata që humbën më të dashurit e tyre në rrethana misterioze.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukura me Dhunë, në sheshin Skënderbeu, Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), mbajti aksionin rrugor “Dera e Pritjes” për të ndjerë peshën e 1616 personave të zhdukur.

“Sot ishte një ditë solidarizimi me të gjithë familjarët, po aq sa ishte një ditë që thirri për kritikë, llogaridhënie dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet tona”, shprehen nga YIHR.

Në aksionin rrugor ‘Dera e Pritjes,’ u vendos një derë të zezë që simbolizoi agoninë, trishtimin dhe pikëllimin; që mishëroi pritjen e stërzgjatur për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.

“Ne vazhdojmë të u bëjmë thirrje institucioneve tona të e prioritizojnë këtë çështje si faktor kyç në procesin e ballafaqimit me të kaluarën.

Së bashku, qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me të gjithë familjarët e viktimave të zhdukura me dhunë, dhe dërgojmë një mesazh kumbues: ne nuk do të pushojmë derisa të vendoset drejtësia, derisa e vërteta të zbulohet dhe derisa fati i 1616 individëve të zhdukur të zbardhet”, thuhet në njoftim.

Ky aktivitet u mbështet nga NED dhe USAID. / KultPlus.com

“Dera e Pritjes”, aksion rrugor në Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme

Fati i 1616 personave të zhdukur mbetet nën hije edhe këtë përvjetor.

Në Ditën Ndërkombëtare e Zhdukjeve të Dhunshme, YIHR KS solidarizohet me dhimbjen dhe revoltën e familjarëve dhe shoqërisë më gjerë për zbardhjen e së vërtetës dhe gjetjen e drejtësisë.

Pritjen e stërzgjatur dhe shqetësimin për moszgjidhjen e kësaj çështje tashmë e sa vite, YIHR ka vendosur ta shfaqë përmes aksionit rrugor “Dera e Pritjes.”

Aksioni rrugor  do të mbahet më 30 gusht, në Sheshi Skënderbeu duke filluar nga ora 16:00. / KultPlus.com

“Kur bohet mirë?!”, aksion rrugor në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë

Nesër shënohet Dita Ndërkombëtare e Rinisë andaj YIHR KS ka organizuar një aksion rrugor me slloganin “Kur bohet mirë?!”. 

“Rinia dita ditës janë të gatshëm me u largu prej Kosovës për të drejta bazë, andaj së bashku me qytetare/aktiviste kësaj here po i kushtojmë vëmendje dukurisë së migrimit të rinisë së Kosovës. Duke vendosur valixhet tona në sheshin “Nëna Terezë” po i shfaqim arsyet dhe storjet e të rinjve për tendencë migrimi jashtë Kosovës. Me këtë aksion simbolik po i rezistojmë së bashku padrejtësitë e po i kërkojmë të drejtat që na takojnë”, thuhet në njoftim.

Aksioni mbahet në sheshin ‘Nëna Terezë’, më 12 gusht në 12:00. / KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve, publikohen storje të shumta të refugjatëve

Sot shënohet Ditën Ndërkombëtare e Refugjatëve dhe në Prishtinë kjo ditë shënohet përmes një aksioni rrugor “Unë isha refugjat” në sheshin Zahir Pajaziti, përcjell KultPlus.

Rreth 1 milion njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe secili/a prej tyre ka një storje. Storjet e njerëzve vazhdojnë të qëndrojnë të heshtura në mungesë të hapësirës për t’u dëgjuar.

YIHR KS është e përkushtuar ndaj procesit të ballafaqimit me të kaluarën në rajon duke krijuar hapësira të tilla për të gjithë. Përmes iniciativave të memorializimit, dhe aksioneve simbolike YIHR KS mundohet të njoh vuajtjet e civilëve nga të gjitha grupet etnike gjatë luftës në Kosovë.

Për të promovuar një debat publik gjithëpërfshirës për të kaluarën dhe për të rritur empatinë sociale, kanë publikuar storje të shumta të refugjatëve përmes platformës ‘Muzeu Virtual i Refugjatëve’

Lexoni/dëgjoni storjet e tyre: (https://museumofrefugees-ks.org/). / KultPlus.com

Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur do të shënohet me aksion rrugor

Për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, YIHR KS do të organizojë një aksion rrugor në Sheshin “Skënderbeu” më datë 27 prill, duke filluar nga ora 12:00, përcjellë KultPlus.

Ky aksion rrugor do realizohet së bashku me qytetarët dhe aktivistë duke rikujtuar në mënyrë simbolike numrin e 1620 personave të pagjetur që ende na mungojnë.

“Institucionet e Kosovës janë përgjegjëse për përpjekjet e mangëta dhe sipërfaqësore ndaj çështjeve të ballafaqimit me të kaluarën e sidomos ndaj zbardhjes së fatit dhe vendodhjes së personave të pagjetur. 22 vite pas, ne ende jemi shumë larg paqes së qëndrueshme pasi e vërteta dhe drejtësia për të gjitha viktimat e të mbijetuarit/at e luftës së fundit në Kosovë nuk është vendosur në vend. Duke u përfshirë secili/a nga ne në këtë aksion rrugor do solidarizohemi me familjarët/et e personave të pagjetur që ende ju mohohet e drejta e vërtetës dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com