Përkujtohet aktorja e njohur Besa Imami, në 7-vjetorin e vdekjes

Aktorja e njohur e skenës shqiptare Besa Imami si sot më 21 shtator 2014 u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Imami lindi në Gjakovë, e pas vdekjes së të atit familja shpërngulet në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe pse në moshë të re aktivizohet pranë strukturave të organizatës komuniste (Debatik).

Më vitin 1946, fillon karriera e saj si aktore, që nuk do të kishte shkëputje deri më 1988 falë edhe përkrahjes së Artistit të Popullit Pandi Stillo i cili e pikasi atë. Karriera e saj do të lente gjurmë me pjesëmarrjen në shumë role dhe karaktere të ndryshme si në teatër në veprat “Komploti i të dënuarve”, “Mbi gërmadha”, “Lulet e shegës”, “Cuca e maleve”, “Streha e të harruarve” dhe në kinematografi ku roli më i dashur për shikuesit shqiptar do të ishte ai i Donika Kastriotit në filmin “Skënderbeu”.

Imami do të lente gjurmë në karrierën artistike shqiptare dhe si vlerësim ajo do të nderohej me titullin “Artiste e Merituar”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri përkujton Besa Imamin duke publikuar dokumentet e  mëposhtme, të cilat tregojnë se aktorja Besa Imami është përzgjedhur për të qenë pjesë e trupës së aktorëve në filmin “Skënderbeu”. / KultPlus.com

Përurohet busti i aktores Hajrie Rondo në vendlindjen e saj (FOTO)

U përurua sot në Delvinë, në sheshin qendror, para kinoteatrit, busti i aktores së mirënjohur, bijës delvinjote Hajrie Veizi Rondo, vepër e skulptorit të talentuar Kreshnik Xhiku.

Pas përurimit të bustit që e sjell aktoren në rolin e Tanës në filmin “Përrallë nga e kaluara”, u zhvillua edhe një aktivitet përkujtimor në sallën e kinoteatrit, me pjesëmarrjen e bashkëqytetarëve, të afërmve, kolegëve të aktores dhe deputetes së zonës Anila Denaj.

Artistja Hajrie Rondo lindi më 1 mars të vitit 1951 në Delvinë ku edhe mori formimin bazë. Largohet në qytetin e Fierit ku pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve për aktore ajo do të emërohej pranë teatrit të këtij qyteti ku edhe do të zhvillonte karrierën e saj të gjatë.

Në karrierën e saj shumëvjeçare, artistja për shkak të talentit të saj të rrallë, arriti të lëvronte të gjitha zhanret e artit skenik. Gjithashtu artistja njihet edhe për një numër të konsiderueshëm të roleve të saj që i arriti në kinematografi. Edhe sot e kësaj dite artistja identifikohet me rolin e saj brilant që ka realizuar në filmin artistik “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, që tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare.

Përveçse një aktore brilante, artistja ka mbajtur edhe funksionin e drejtoreshës së Teatrit të Fierit, që në periudhën kur ajo shërbeu u zhvilluan shumë aktivitete dhe festivale të rëndësishme.

Disa nga rolet e saj më të rëndësishëm janë:

Mara, “Vëllezër dhe shokë” 1980

Xifja, “Agimet e stinës së madhe” 1981

Lima, “Nëntori i dytë” 1982

Tana, “Përrallë nga e kaluara” 1987

“Pesha e kohës”, 1988

“Ne dhe Lenini” 2009

Semihaja, Ballkan Pazar 2011 dhe shumë e shumë role të tjerë.

Në maj 2015 Hajrie Rondo u rikthye sërish në skenë me shfaqjen “Seks vetëm për festa” dhe me filmin “Buka” interpretime të cilat i realizoi pas një pauze disavjeçare që ajo bëri, për shkak të një beteje me një sëmundje të rëndë. Ajo u nda nga jeta më 9 shtator 2017. /atsh/ KultPlus.com

Aktorja Drane Xhaj me monodramën “Vajza me kukull” sonte në Pejë

Aktorja Drane Xhaj, pasi përloti publikun në teatrin “Migjeni” në Shkodër me lojën e saj në monodramën “Vajza me kukull”, shkruar nga Fadil Kraja dhe vënë në skenë nga Agron Dizdari, ajo vjen në Pejë për të sjellë të njëjtat emocione, shkruan KultPlus.

Aksidentet tragjike në jetën e një vajze, që në adoleshencë përjeton ndarjen e prindërve, martesën e nënës, zhdukjen e babait dhe prezencën e njerkut në shtëpi, i cili më vonë do të ishte edhe shkatërruesi i jetës së saj, është tema e kësaj shfaqje e cila do të vijë nga loja e mrekullueshme e aktores Drane Xhaj.

Monodrama “Vajza me kukull” vjen sonte në Pejë në teatrin “Istref Begolli” nga ora 20:00.

Kjo shfaqja njëkohësisht hapë sezonin për pjesën e dytë të vitit në teatrin “Istref Begolli” në Pejë. / KultPlus.com