OKB: Akullnajat mund të zhduken deri në fund të shekullit 21

Shkrirja e shpejtë e akullnajave mund të çojë në zhdukjen e tyre deri në fund të shekullit të 21-të, duke rrezikuar burimet e ujit, bujqësinë dhe biodiversitetin për miliona njerëz, ka theksuar një raport i ri i UNESCO-s.

Në pesë nga gjashtë vitet e fundit është parë tërheqja më e shpejtë të akullnajave, me periudhën 2022-2024 që shënon humbjen më të madhe trevjeçare të masës së akullnajave të regjistruar ndonjëherë.

Me ritmet aktuale të shkrirjes, shumë akullnaja në rajone si Kanadaja Perëndimore, SHBA-ja, Skandinavia, Evropa Qendrore, Kaukazi, Zelanda e Re dhe Tropikët pritet të zhduken deri në fund të shekullit të 21-të.

Sipas vëzhgimeve globale, akullnajat – duke përjashtuar shtresat e akullit kontinental të Grenlandës dhe Antarktikut – kanë humbur mbi 9.000 miliardë tonë akull që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1975.

“Kjo është e barabartë me një bllok të madh akulli të përmasave të Gjermanisë me një trashësi prej 25 metrash”, ka thënë Michael Zemp, drejtor i Shërbimit Botëror të Monitorimit të Akullnajave.

Ulja e akullnajave dhe reduktimi i reshjeve të borës në rajonet malore, të nxitura nga kriza klimatike, pritet të prekin dy të tretat e bujqësisë globale të ujitur.

Ndërsa rajonet e larta malore, të njohura si kullat e ujit të botës, ruajnë ujin në akullnajat që mbështesin qindra miliona nëpërmjet rrjedhave, shterimi i akullnajave kërcënon furnizimin me ujë dhe rrit rreziqet natyrore si përmbytjet, veçanërisht gjatë periudhave më të nxehta dhe më të thata.

Raporti thekson nevojën për financim të përshtatjes klimatike dhe përfshirjen e sektorit privat për të mbrojtur infrastrukturën e ujit, bujqësisë dhe energjisë në rajonet malore.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së caktoi vitin 2025 Viti Ndërkombëtar i Ruajtjes së Akullnajave dhe të premten, 21 Marsin, Ditën Botërore të Akullnajave, për të theksuar rolin kritik të akullnajave, borës dhe akullit në sistemin klimatik dhe ekonomitë globale.    

Akullnajat zvicerane do të përgjysmohen deri në 2050-n

Nëse ngrohja globale vazhdon me një ritëm të ngjashëm me atë të vërejtur në 20 vitet e fundit, akullnajat e Alpeve zviceriane janë të destinuara të përgjysmohen deri në vitin 2050, duke humbur rreth 46% të vëllimit të tyre, një përqindje që mund të rritet në 65 nëse marrim parasysh trendin e 10 viteve të fundit.

Parashikimi vjen nga studimi i publikuar në revistën ”Geophysical Research Letters” dhe i udhëhequr nga Universiteti Zviceran i Lozanës, i cili zhvilloi simulime shumë të sakta falë algoritmeve të bazuara në Inteligjencën Artificiale.

Në të njëjtën kohë, tërheqja e akullnajave do të lërë të ekspozuara zona gjithnjë e më të mëdha të faqeve shkëmbore, një fenomen që do të rrisë rrezikun e rrëshqitjeve të tokës në afat të shkurtër, megjithëse shkalla e erozionit të maleve alpine është shumë më e ulët se sa ishte 10 000 vjet më parë.

Ndryshe nga simulimet e tjera, të cilat prodhojnë vlerësime që arrijnë në fund të shekullit, studiuesit e udhëhequr nga Samuel Cook i Universitetit të Lozanës u përqendruan në një periudhë më të kufizuar, për të kuptuar më mirë rëndësinë e këtyre fenomeneve tashmë në afat të shkurtër.

Sipas rezultateve të marra, edhe nëse ngrohja globale do të ndalonte plotësisht tani, Alpet do të humbasin të paktën një të tretën e akullnajave të tyre (34%) deri në vitin 2050.

”Të dhënat e përdorura për të ndërtuar skenarët ndalojnë në vitin 2022, i cili u pasua nga një vit jashtëzakonisht i nxehtë. Prandaj ka të ngjarë që situata të jetë shumë më e keqe”, shpjegon Cook./atsh/KultPlus.com