Osmani: Komunat e zhvilluara e bëjnë shtetin e zhvilluar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, derisa njoftoi se nga sot do të fillojë seria e vizitave nëpër komunat e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Një ditë intensive me përplot takime në Gjilan”, ishte përshkrimi i Osmanit në statusin e saj të fundit në “Facebook”.

“E nisa nga këtu serinë e vizitave nëpër komunat e Kosovës, në një takim me kryetarin energjik, z. Alban Hyseni. Shqetësimet, preokupimet dhe problemet do t`i adresojmë bashkërisht. Në shkollën “Nazmi Hoxha”, prej sot nxënësit me nevoja të veçanta do ta kenë më të lehtë qasjen falë një projekti të UNICEF-it, të cilin e përuruam sot”, shkruan tutje presidentja.

Ajo gjithashtu njoftoi se është takuar me përfaqësues të strehimores dhe të shoqërisë civile, me ç’ rast diskutuan për pozitën e grave, eliminimin e dhunës mbi baza gjinore, fuqizimin e grave dhe përfshirjen në vendimmarrje.

“Kurse te bizneset, pashë përkushtimin e tyre që të punojnë parreshtur edhe në këtë kohë kur përballemi me kriza. Do të vazhdojmë me vizitë në Dobërçan të Gjilanit ku pritemi nga familja e dëshmorit Nusret Hajdari. Komunat e zhvilluara e bëjnë shtetin e zhvilluar.Shihemi në komunën e radhës!”, shkruhet në fund të postimit. /KultPlus.com

Parregullësi në thirrjen e subvencioneve në Gjilan, kryetari Hyseni anulon konkursin dhe shkarkon komisionin

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur për parregullsitë e mjaftueshme në mënyrë që të anulohet procesi i thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Shkarkojmë komisionin vlerësues dhe rihapim thirrjen nga fillimi për të cilën do të themelojmë komision të ri dhe do të sigurojmë monitorim të procesit”, ka shkruar Hyseni.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Ne jemi zotuar për komisione të pavarura nga politika, profesionale dhe të pandikuara, gjithmonë duke siguruar vlerësim të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Përveç zotimit ky është edhe obligim i yni.

Nga vlerësimi i bërë procesit ne konstatojmë për parregullsi, të mjaftueshme për ta kontestuar dhe për të vendosur për anulim të gjithë procesit të thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Shkarkojmë komisionin vlerësues dhe rihapim thirrjen nga fillimi për të cilën do të themelojmë komision të ri dhe do të sigurojmë monitorim të procesit.

Gjithashtu dua të përcjell porosinë për secilin dhe kudo që synon parregullsinë se ne nuk do të kemi tolerancë ndaj askujt sepse kemi marrëveshje me qytetarin për transparencë, llogaridhënie dhe korrektësi.

Ne jemi të vendosur dhe këtu nuk ka mes e as kompromis.

Ftoj qytetarët për bashkëpunim, kudo që ata identifikojnë parregullsi t’i raportojnë ato dhe të llogarisin për partner pushtetin e ri sepse vetëm bashkë mund ta bëjmë ndryshimin për të cilin jemi zotuar dhe kemi marrë besimin e tyre.

Ju faleminderit. / KultPlus.com

Kryetari Hyseni pret në takim drejtues së Federatës së Xhudos: Tashmë e kemi identifikuar vendin për ndërtimin e palestrës së xhudos

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e klubit të xhudos – Gjilani, ka pritur sot në takim një delegacion të Federatës së Xhudos së Kosovës në përbërje, Agron Kuka – kryetar, trajnerin e njohur Driton Kuka dhe kampionen olimpike dhe krenarinë e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi.

Kryetari Hyseni tha se temë kryesore në takim ka qenë mundësia e bashkëpunimit dhe ndërtimi i palestrës së xhudos në Gjilan.

“Unë e njoftova kryetarin e Federatës për gatishmërinë e Komunës për bashkëpunim, ndërkaq ne veç e kemi identifikuar vendin ku mund të bëhet ndërtimi i palestrës së xhudos. Na mbetet që bashkë me MKRS-në të dakordohemi edhe për pjesën e ndërtimit dhe finalizimit të projektit. Me vullnetin që e kemi për ta përfunduar këtë punë, besojmë që Gjilani do të jetë njëra prej komunave ku do të bëhet ndërtimi i kësaj palestre e shpresojmë që do të nxjerrim edhe ne kampionë olimpikë”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.

Në emër të Federatës së Xhudës ka folur kryetari i saj, Agron Kuka, i cili e ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen dhe për lajmin e mirë për gjetjen e parcelës për ndërtimin e palestrës së xhudos.

“Duke e ditur faktin që jemi për një qëllim të mirë, për promovimin dhe zhvillimin e sportit të xhudos, e falënderojmë kryetarin për gatishmërinë e tij dhe të Komunës së Gjilanit për ndarjen e një parcele për ndërtimin e një palestre specifike për sportin e xhudos. Uroj që ky projekt të realizohet sa më shpejt dhe klubi i xhudos Gjilani të ketë një hapësirë adekuate për zhvillimin dhe avancimin e sportit të xhudos”, ka thënë Kuka. / KultPlus.com

Sot në Gjilan nis manifestimi kulturor ‘Flaka e Janarit 2022’

Sot në Gjilan nis manifestimi kulturor ‘Flaka e Janarit 2022’, që organizohet prej 31 vitesh, në nderim të heronjve dhe dëshmorëve të kombit, të rënë përgjatë janarëve të acartë të historisë së Kosovës, në përpjekje të parreshtura për mbrojtje të identitetit dhe mëvetësisë, për pavarësi dhe sovranitet të trojeve etnike.

Aktivitetet e ditës së parë, më 11 janar, fillojnë me Homazhe për Dëshmorët (ora 10:00), për të vazhduar me vizitën në kazermën e Ushtrisë së Kosovës (10:30) dhe ndezjen e Flakadanit të Flakës, para Teatrit të qytetit (17:00).

‘Flaka e Janarit’ vijon tutje me një varg programesh përkushtuese, akademi, tryeza letrare, ekspozita, ‘Festivali i Dramës Origjinale Shqipe’, ‘Xixat e Flakës’ dhe të tjera, deri më 31 janar, kur pëmrbyllet me pjesët letrare dhe muzikore ‘Pena e Flakës’ dhe ‘Fest Flaka’, dy shtylla këto tjera të këtij manifestimi më unik në trojet shqiptare, i cili për tri javë rresht e bënë Gjilanin kryeqendër të kulturës kombëtare.

Manifestimi mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni. /KultPlus.com

No photo description available.

Flakadani i ‘Flakës së Janarit’ do të vazhdojë të ndizet, Gjilani në bashkëpunim me MKRS

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe sekretari i përhershëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancimin e manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022”.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka falënderuar MKRS-në për mbështetjen e këtij Manifestimi, i cili nëpërmjet vlerave kulturore, nderon dëshmorët e heronjtë e kombit.

“Sot kam nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Sekretarin e MKRS-së për bashkëfinancim të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”. Në këtë edicion shënohet 40-vjetori i “Flakës së Janarit” si dhe i rënies së Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Rëndësia e kësaj ngjarje tejkalon qytetin e Gjilanit e shtetin e Kosovës. Ai është mbarëkombëtar. Flakadani i Flakës së Janarit, i Kadriut, Jusufit e Bardhoshit sikur tash e 40 vite, do vazhdojë prapë të ndizet!”, ka thënë kryetari Hyseni.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2022” i cili mbështetet në katër shtylla, artin pamor, artin letrar, artin skenik dhe artin muzikor, nis më 11 janar me ndezjen e flakadanëve, ndërkaq përfundon më 31 janar me festivalin e muzikës popullore “Fest Flaka”.

Manifestimi mbarkombëtar i kulturës “Flaka e Janarit” u themelua më 18.01.1992, në 10-vjetorin e shënimit të rënies së heronjve Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, ndërkaq konsiderohet si Manifestimi më unik dhe i vetmi i këtij lloji në trevat e Ballkanit. /KultPlus.com