“Substanca”, ekspozitë një vit pas ndarjes nga jeta të piktorit Ali Oseku

Video, fotografi dhe piktura që sjellin në vëmendje Ali Osekun në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të artistit u prezantuan në ekspozitën multimediale “Substance/In memoriam” të çelur në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.

“Substance” e artit të Ali Osekut mblodhi miq të artistit dhe familjarët për testamentin e tij artistik një vit pa piktorin.

Vizatime, portrete, autoportrete janë pjesë e kësaj ekspozite ku nuk mungoi dhe prania e vetë artistit përmes një videoje realizuar me inteligjencë artificiale.

Mjediset e universitetit janë skena ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës, duke mësuar breza artistësh e duke mos e humbur asnjëherë dimensionin e lirisë që e kishte të shenjtë.

Ekspozita “Substance” është homazh për mikun, artistin si një akt kujtese.

Një njeri dhe artist i madh, Oseku nuk mund të përmblidhet në një ekspozitë retrospektivë, por sjell për dashamirët jetën dhe veprën e tij të ndarë në dy kohë.

Në qendër të kësaj ekspozite ndodhet një vepër e hershme, puna e diplomës, gjetur rastësisht në oborrin e shkollës e vendosur në tokë si një objekt që përçon peshën e kujtesës, tejkalon subjektin e pikturuar dhe tregon të gjithë historinë e ëndrrës së artistit të thyer e përthyer në kohë të errët. Në muret përreth saj qëndrojnë disa vepra të kohës se re, ku drita dhe hapësira mbizotërojnë, ku ngjyra bëhet gjuhë, dhe heshtja-mesazh.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 maj në galerinë FAB.

‘Essence’, ekspozita 1 vit nga vdekja e Ali Osekut, foto: Agim Dobi./atsh/KultPlus.com

Nderimet e fundit për Ali Osekun, homazhe për piktorin që u shua pas një sëmundjeje të rëndë

Piktori i mirënjohur dhe personaliteti i artit shqiptar Ali Oseku u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare.

Homazhet për t’i dhënë lamtumirën e fundit u mbajtën në hollin e Universitetit të Arteve mes familjarësh, miqve dhe dashamirësve të veprës së tij.

Ali Oseku lindi në Tiranë në vitin 1944, në një familje me origjinë nga Gjakova.

Liceun artistik e mbaroi në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979. Pas viteve ’90 ai do të ishte një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase./KultPlus.com

Kryeministri Kurti shpreh ngushëllime për Ali Osekun: Artist që e mbuloi jetën e vet me ngjyra

Piktori i njohur Ali Oseku, një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar në 50 vitet e fundit, u nda sot nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Për ndarjen nga jeta të artistit Oseka, ka shprehur ngushëllimet e tij edhe kryeministri Albin Kurti.

Kurti ka thënë se Ali Oseku ishte artisti që e mbuloi jetën e vet me ngjyra dhe përkundër faktit se atij për një kohë iu ndalua ushtrimi i artit, talenti i tij nuk mund të dënohej me vdekje.  

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Sot, në orët e hershme të mëngjesit, u nda nga jeta Ali Oseku, artisti që e mbuloi jetën e vet me ngjyra.

Ali Oseku, në fillesë të karrierës punoi si skenograf. Për skenografinë e operas Aida të Verdit u dënua dhe u dërgua të pësonte për disa vite vuajtjet në burgun e Spaçit. Në vijim atij iu ndalua ushtrimi i artit, por natyrisht talenti nuk mund të dënohet me vdekje.

Baca Ali, kështu njihej prej miqve të Tiranës, të cilët ndjenin se prekja dhe guximi i tij në art vinin prej origjinës së pashlyeshme gjakovare, lindi në Tiranë dhe që aty u dashurua me historinë e artistëve të njerëzimit, ndaj ngjante se çdo tablo ia kushtonte romaneve dhe qyteteve të botës. Ngjante se çdo artist në mendjen e tij ishte një flijues i madh i talentit të vet për bukurinë. Kjo shpjegonte pse baca Ali ishte më së pari profesori i entuziazmit dhe motivues i madh për studentët e tij.

Ngushëllimet e mia familjes, kolegëve të tij artistë, studentëve të tij në breza. Kujtim i paharruar për artin e tij! / KultPlus.com