Alvaro Vitali, aktori dhe komediani italian shumë i dashur për rolin e tij si Pierino dhe personazhet e tij të shumtë në filmat e zhanrit komedi vdiq sot pasdite në Romë në moshën 75-vjeçare, sipas “ilsole24ore”.
I lindur më 3 shkurt 1950, Vitali ishte shtruar në spital dy javë më parë për bronkopneumoni të përsëritur.
Alvaro Vitali lindi në një familje të klasës së mesme, babai i tij ishte pronar i një kompanie të vogël ndërtimi ndërsa nëna e tij drejtonte një fabrikë të vogël “Titanus”.
Pasi mbaroi klasën e tetë, ai la shkollën dhe pasi punoi për një periudhë si elektricist, talenti i tij si komedian u zbulua nga Federico Fellini gjatë një audicioni.
Në vitin 1969, Vitali bëri debutimin e tij në kinema me një rol të vogël në filmin “Fellini Satyricon”.
Më pas ai u shfaq në “I clowns” (1971), në filmin “Roma” (1972), në të cilin ai luan rolin e një balerini, një rol që ai e luajti edhe në vitin pasardhës në filmin “Polvere di stelle”, me regji dhe protagonist Alberto Sordi, dhe në filmin “Amarcord” (1973), me Ciccio Ingrassia.
Fama e Vitali është e lidhur ngushtë me komedinë italiane. Pasi luajti në filmin “La poliziotta” (1974), me regji të Stefano Vanzina, Vitali tërhoqi vemendjen e producentit Luciano Martino. Që nga ai moment, Vitali filloi të punojë me kompaninë e prodhimit të filmave “Dania-Film”.
Alvaro Vitali ka luajtur në mbi 150 filma. Në vitet 2004-2005, ai u rikthye në “Striscia la Notizia” në rolin e Jean Todt, atëherë drejtor i Scuderia Ferrari.
Në vitin 2006, ai mori pjesë në edicionin e tretë të reality show-t “La Fattoria”, por iu desh ta braktiste për shkak të problemeve me astmën./KultPlus.com