Sarah Jessica Parker shpall fundin emocional të “And Just Like That…”, një epokë që mbyllet pas më shumë se 25 vitesh

Pas më shumë se dy dekadash histori, personazhe dhe ndjesi të paharrueshme, ekipi po i jep fund rrugëtimit të tij me përfundimin e sezonit të tretë dhe të fundit të serialit spinoff “And Just Like That…”. Lajmin e dhanë të premten aktorja kryesore Sarah Jessica Parker dhe krijuesi, skenaristi e regjisori Michael Patrick King.

“And just like that… tregimi i vazhdueshëm i universit ‘Sex And The City’ po përfundon,” shkroi King në një deklaratë të postuar në llogarinë zyrtare të serialit në Instagram. “Teksa po shkruaja episodin e fundit të sezonit të tretë të ‘And Just Like That…’, u bë e qartë për mua se ky mund të ishte një vend i mrekullueshëm për të ndalur.”

Vendimi për të mbyllur serinë, sipas King, u mor në bashkëpunim me Sarah Jessica Parker, e cila është edhe producente ekzekutive e serialit, si dhe me drejtuesit e HBO, Casey Bloys dhe Sarah Aubrey.

Parker ndau një mesazh emocional dhe poetik në rrjetet sociale për t’i dhënë lamtumirën serialit dhe personazhit të saj ikonik, Carrie Bradshaw, të cilën e portretizoi për herë të parë në vitin 1998.
“Carrie Bradshaw ka dominuar ritmin tim profesional për 27 vite. Mendoj se e kam dashur më shumë se të gjitha. E di që edhe të tjerët e kanë dashur ashtu si unë. Janë frustruar, e kanë kritikuar, por edhe e kanë mbështetur,” shkroi ajo ndër të tjera. “MPK dhe unë, siç kemi bërë edhe më parë, e pranuam së bashku: ky kapitull është i përmbyllur. “AJLT” ishte vetëm gëzim, aventurë, puna më e bukur dhe më sfiduese bashkë me një talent të jashtëzakonshëm prej 380 personash, përfshirë gjithë aktorët e shkëlqyer që u bashkuan me ne.”

“And Just Like That…” ishte kapitulli më i fundit dhe shpesh diskutues, që përfshin serialin origjinal fitues të çmimit Emmy, përfunduar në vitin 2004, dhe dy filma artistikë që pasuan më vonë.

Postimi i Parker përfshinte një përzgjedhje fotosh nga e gjithë rruga e këtij udhëtimi televiziv, nga karakteret kryesore si Miranda (Cynthia Nixon) dhe Charlotte (Kristin Davis), deri te Samantha (Kim Cattrall), që u shfaq edhe me një cameo në sezonin e dytë të “AJLT”. Pamjet përfshinin gjithashtu momentet e Carries me Stanford (Willie Garson, tashmë i ndjerë), Mr. Big (Chris Noth) dhe Aidan (John Corbett), si dhe personazhet e reja të “AJLT”, Seema (Sarita Choudhury) dhe LTW (Ari Nicole Parker), të cilat Parker i quajti “dy lidhjet më hyjnore të reja”.

Në postimin e tij, King shtoi se ata vendosën të mos e njoftojnë menjëherë lajmin për t’i lënë hapësirë argëtimit të sezonit. “Nuk donim që fjala ‘final’ të mbulonte kënaqësinë e shikimit të sezonit,” shkroi ai.

Seriali do të përfundojë gjatë dy të enjteve të ardhshme me një finale të ndarë në dy pjesë, duke shënuar përmbylljen e një epoke që ndikoi thellë në televizion, kulturë dhe breza të tërë shikuesish./CNN/KultPlus.com