Agjencia e Kosovës për Akreditim bëhet anëtare e asocuar e ENQA-s

Kosova ka pranuar statusin e kandidatit në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nga e cila ishte përjashtuar katër vjet më parë për shkak të ndërhyrjeve politike në Agjencinë Kosovare të Akreditimit.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim me këtë vendim është vetëm edhe një hap larg për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA.

“Kam kënaqësinë t’ju informoj se në mbledhjen e 20 shtatorit 2022, Bordi i ENQA-s shqyrtoi aplikacionin tuaj për anëtarësim në ENQA dhe vendosi t’i japë AKA statusin e ‘affiliate’ në ENQA”, shkruan në letrën e drejtoreshës së ENQA, drejtuar drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Sipas Nagavcit kjo është një arritje e jashtëzakonshme nga e cila do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti i Kosovës në përgjithësi.

“Vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane. Po ashtu, ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë.

Me vullnet, politika cilësore e që mundësojnë pavarësi institucionale, me bashkëpunim profesional, hap pas hapi po përmirësojmë dëmet e shkaktuara nga ndërhyrjet partiake të qeverive të kaluara. Tre vite më parë, për shkak të ndërhyrjeve politike të qeverisë PAN, Kosova ishte përjashtuar nga ENQA, tani tri vite pas po ecim para edhe në këtë drejtim.

Falënderoj për bashkëpunim, punë profesionale e të palodhur, Agjencinë e Akreditimit, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, institucionet qeveritare dhe komunitetin e donatorëve, për këtë të arritur të përbashkët.

Me vendimin e sotëm Agjencia e Kosovës për Akreditim është vetëm edhe një hap larg për tu bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA”, shkruan Nagavci. / KultPlus.com