Rikthehet Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor, me koreografin e famshëm Angjelin Preljocaj

Në Tiranë rikthehet me edicionin e tij të dytë, Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor.

Aktiviteti vjen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Harabel Contemporary Art Platform dhe bashkëpunimin me D18 Paris dhe Teatrin Kombetar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor do të zhvillohet nën drejtimin artistik të koreografit të mirënjohur Angjelin Preljocaj, nga data 26 shtator deri në 22 tetor 2023.

Ky masterclass zhvillohet edhe në kuadër të programit profesional të TKOB-së “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike dhe zhanret e ndryshme të baletit.

“Shfaqje dhe mësim, emra të mëdhenj dhe teknika të reja”, shkroi ministrja Margariti në rrjetet sociale ndërsa njoftoi për këtë masterclass të rëndësishëm. Pak ditë më parë, gjithashtu në kuadër të programit “Akademia Teatrale”, TKOB hapi thirrjen për masterclass bashkëpunues me sopranon ikonike Ermonela Jaho./ atsh / KultPlus.com

Historike: Angjelin Preljocaj në Akademinë franceze të Arteve të bukura

Koreografi me famë botërore dhe me shfaqje në sallat e baletit dhe teatrot më të njohur në botë, Angjelin Preljocaj (fr. Angelin Preljocaj), me origjinë shqiptare nga veriu i Shqipërisë, dje është bërë pjesë e Akademisë së Arteve të Bukura në Paris, përcjellë KultPlus.

Seksioni i koreografisë aty ka 4 anëtarë, njëri ndër ta do jetë tash e tutje edhe Angjelini.

Akademia franceze e Arteve të Bukura është ndër më të vjetrat dhe më të njohurat në botë. Është krijuar në vitin 1816, si trashëgimtare e Akademisë Mbretërore të Pikturës dhe Skulpturës e krijuar nga Louigji XIV ne vitin 1648.

Angjelin Preljocaj ka vite që drejton baletin Preljocaj me të cilin prezantohen në mbarë botën, madje edhe në Bolshoi të Moskës.

Për këtë ka njoftuar profesori shqiptar në Paris, Nezir Kraki, i cili ka treguar gjithashtu për suksesin e Angjelinit në Francë.

“Gjatë studimeve në Paris kam pas fat të punoj në Teatrin Kombëtar Chaillot dhe aty çdo vit kishte shfaqje të Angjelinit (vallëzim modern). Aty edhe e kam taku sepse punoja në hyrjen (recepcionin) e personelit dhe të artistëve.

Lajmi më gëzoi sinqerisht. Pak shqiptarë e dinë sa çmohet Angjelin Preljocaj në Francë. Ka dhjetëra libra që i janë kushtu deri tash. Në teatrin Chaillot shfaqjet e tij zgjasnin zakonisht 30 ditë dhe biletat e sallës me 1500 vende shiteshin për të gjitha datat shumë kohë para shfaqjes.”, ka shkruar Kraki. / KultPlus.com

Filmi “Polina” i Angjelin Preljocaj, shfaqet së shpejti në Tiranë

Koreografi i njohur Angjelin Preljocaj do të vije përsëri në Tiranë, ku do të sjellë filmin e tij “Polina” në kuadër të aktiviteteve kulturore të “Pranverës Frankofone”, shkruan KultPlus.

Sipas Ambasadës Francez, Angjelin Preljocaj së bashku me bashkëshorten e tij, Valerie Muller do të vijnë në Tiranë më 23 mars.

Filmi “Polina” shënon debutimin si regjisor kinematografik të Angjelin Preljocaj, që është njëkohësisht edhe autor i skenografisë në çift me të shoqen Valérie Müller. I frymëzuar nga Polina, personazh vizatimor i Bastien Vivès, rrëfen historinë e një vajze të vogël ruse, e cila u bë balerinë e Bolshoit dhe nëpërmjet një lidhjeje dashurie të komplikuar me një kërcimtar francez, zbuloi një mënyrë tjetër të të kërcyerit.

Filmi “Polina, vallëzimi i jetës së saj”, zhvillohet në Moskën e viteve nëntëdhjetë, kur perdja e hekurt sapo kishte rënë. Këtu Polina, një vogëlushe tetëvjeçare, e cila vjen nga një familje e thjeshtë dhe që ka prirje të mëdha për kërcimin, zgjidhet për të ndjekur leksione baleti në shkollën e vështirë të mjeshtrit Nikita Bojinski që do ta përgatisë për në Teatrin Bolshoi, pjesë e të cilit do të bëhet në moshën 18-vjeçare. Polina takon dashurinë e saj dhe nëpërmjet saj zbulon një mënyrë të re të të kërcyerit falë balerinit francez Adrien, një bashkëmoshatar të saj që do ta çojë në Aix-en-Provence, ku balerina e re do të mësojë sekretet e kërcimit bashkëkohorë. Parabola e saj do të përmbushet në vende, si Anversa, Montpellier, Avignone, kur Polina do të jetë bërë grua./ KultPlus.com

Angjelin Preljocaj solli fuqinë e baletit modern para bashkëkombësve të tij (FOTO)

Njerëzit që ishin të shumët në hollin e teatrit shkonin një e nga një të bënin fotografi me koreografin e madh. Ndërsa KultPlus, edhe njëherë solli emocionet e Preljocajt për Kosovën, por tash pas shfaqjes që u dha të shtunën mbrëma.

Sarandë Selimi
Fotografitë: Fahredin Spahija

Gjithçka nisi me pjesën ‘Viza lidhëse’ një krijim i vitit 1989. Madhështore. Duo mashkullore me lëvizje të thella që tregonin shumë. Një koordinim jashtëzakonisht i mirë mes dy balerinëve njëri nga Franca e tjetri shqiptar. Pak muzikë e goxha shumë lojë. Një kolltuk dhe një karrige ishte krejt ajo çfarë përmbante skenografia. E gjithë kjo nën krijimin e koreografit francez me origjinë shqiptare e me përmasa botërore Angjelin Preljocaj.

Për herë të parë në Kosovë, koreografi i njohur Preljocaj, përpos që erdhi vetë, ai solli edhe gjithsej gjashtë balerinë e dy pjesë baleti që publikun kosovarë e ngritën në këmbë me plotë 5 minuta duartrokitje. Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ishte e mbushur me njerëz, ndërsa vetë koreografi me një modesti të madhe qëndronte në lozhën e skenës së madhe duke vështruar balerinët që sollën Pasionin, Jetën dhe Vdekjen përmes premierës botërore ‘Un Trait d’Union & Création 2017’ apo ‘Një tipar i Bashkimit dhe Krijimi 2017-të’.

‘Stil Life’, ishte pjesa që nisi 10 minuta pas përfundimit të pjesës së parë. Gjashtë balerinë dolën në skenë një e nga një me lëvizje të ndryshme. Katër vajza e dy djem. Një orë rëre, një glob, një kurorë e mbretit, një kafkë, një zog dhe një ananas, me plotë 12 kutia. Krejt këto kishin lidhje me njëra tjetrën, gjithçka fliste për kohën që kalon, jetën, vdekjen, pasionin por edhe kotësinë, që është një nga karakteristikat e njeriut postmodern. Një stil shumë më ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim deri tash u shpalos përmes këtyre pikave të baletit ku Preljocaj, herë kishte futur muzikë të fuqishme e herë e kishte ndaluar krejt atë.

“Ishte një balet modern ku Angjelini ishte i pari në Evropë që ka nisë ta bëjë baletin modern dhe është i pranuar në gjithë publikun e botës. Kam ardhur special për ta përcjellë këtë shfaqje sepse çdoherë i kam përcjellë shfaqjet e tij. Publiku ishte shumë i mirë, e krejt kjo duke iu falënderuar Baletit Kombëtar të Kosovës, që këtij publiku ia ka bërë traditë edhe baletin klasik dhe atë modern”, tha për KultPlus koreografi Marsel Çollaku.

Nuk ishte vetëm Çollaku, ai që vlerësoi lartë këtë shfaqje dhe këtë koreograf. E gjithë audienca ishte mirënjohëse ndaj Angjelin Preljocajt, që erdhi edhe në Kosovë për të prezantuar mrekullinë që ka bërë si koreograf me këto shfaqje prej të cilave pamë pak nga bagazhi i tij i madh.

“Unë jam shumë mirënjohës ndaj ambasadës franceze që e ka sjellë një koreograf me renome botërore. Ky është koreografi më i njohur i kohës së sotme, e ka një stil të veçantë dhe publiku ynë e mirëpriti. E uroj Angjelin Preljocaj, për punën që e ka bërë, duke e pas parasysh që nuk i kemi kushtet me ato që është mësuar por ia doli për mrekulli. Unë që ditën e parë, që Angjelini e ka shikuar shfaqjen tonë dhe i ka pëlqyer ajo, ia kam bërë ftesën që të vijë tek ne. Ai as nuk e mohoi e as nuk e pohoi, unë ia bëra me dije që kemi nevojë për ndihmën e tij, nëse vjen përfiton edhe ai si shqiptar por edhe ne si shqiptarë”, u shpreh drejtori i Trupës së Baletit të Kosovës Ahmet Brahimaj, për KultPlus, ku edhe balerinët që ai i drejton u shprehën pëlqimin e tyre ndaj kësaj shfaqje dhe ndaj koreografit Preljocaj.

Njerëzit që ishin të shumët në hollin e teatrit shkonin një e nga një të bënin fotografi me koreografin e madh. Ndërsa KultPlus, edhe njëherë solli emocionet e Preljocajt për Kosovën, por tash pas shfaqjes që u dha të shtunën mbrëma.

“Publiku ishte shumë i mirë, aq i mirë sa edhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, jam i gëzuar që u njoftova me ta dhe jam i lumtur për krejt këtë organizim”, pohoi për KultPlus Preljocaj, i cili në pyetjen se a duhet Ballkani ta sheh shfaqjen e cila e përshkruan jetën dhe ka ‘luftë’ brenda saj ai u përgjigj me shumë humor.
“Unë e bëjë punën artistike dhe secili duhet të pastroj para derës se tij, pra unë ua lë njerëzve të vendosin se a dojnë ta marrin apo jo, unë punën time e kryej”, tha Preljocaj.

Krejt kjo mbrëmje u organizua nga Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës. Para kësaj Angjelin Preljocaj, këtë shfaqje e dha edhe në Shqipëri ku edhe atje u mirëprit ngrohtë nga bashkëvendësit e tij./ KultPlus.com

Preljocaj: Dasmat e motrave të mia më inspiruan që të bëj shfaqje me motive shqiptare (FOTO)

Ardianë Pajaziti
Fotografitë: Fahredin Spahija

Ai picrronte sytë përderisa mundohej të parafytyronte kohën kur kishte pas kontaktin e parë me ajrin e të parëve të tij, vendin prej nga edhe i ka rrënjët . Dashuria për Shqipërinë, shihej se sa me nostalgji e bënte të kthehej deri në kohën kur kishte vizituar vendlindjen e babait të tij, fshatin Vermosh të Shkodrës.

“Kanë qenë vitet e 90-ta kur kam vizituar për herë të parë Shqipërinë, përkatësisht fshatin ku ka lindur babai im”, rrëfente Preljocaj për atë përjetim, i cili në intervistën e dhënë për KultPlus, tregonte se si imagjinata para se të takonte këtë vend dhe ata njerëz, ishte shumë më e fuqishme se sa vetë momenti kur e kishte përjetuar.

Preljocaj, tashmë 60 vjeçar rrëfente se imagjinata për Vermoshin e babait të tij ishte shumë e fuqishme, por, sipas tij edhe kontakti i tij i parë me ata njerëz kishte magjinë e vet.
“Ishte e çuditshme se kur më ofroheshin njerëzit e atij vendi, unë kisha ndjenjën se ata njerëz i kisha njohur. Gjithçka në atë vend më dukej i njohur”, rrëfente balerini dhe koreografi Angjelin Preljocaj, në damarët e të cilit rrjedh gjak shqiptari.

Vizita e tij e parë në Shqipëri mbante edhe një peshë tjetër, pasi që, përpos Preljocajt që vizitonte vendin e të parëve, kjo vizitë shënonte edhe rikthimin e parë të prindërvë të tij, pas një periudhe shumë të gjatë.

I rritur nga dy prindër shqiptarë, por që asnjëri duke mos e sforcuar këtë ide me rrëfime të fuqishme, Preljocaj thotë se rrëfimet për Shqipërinë, për këngën, për vallen kanë ardhë shumë natyrshëm nga prindërit e tij. “Ndoshta edhe pse ishin rrethana të tjera, Shqipëria ishte e bllokuar dhe pikërisht për këtë fakt, prindërit e kanë sjellë Shqipërinë deri tek unë shumë natyrshëm”, thoshte ai, por duke kujtuar se prindërit e tij gjithmonë kanë qenë krenarë që janë shqiptarë.
Pikërisht duke udhëtuar nëpër rrënjët e tij, atij nuk i kujtohet të ketë zënë veten ndonjëherë duke kënduar ndonjë këngë shqipe, të cilën ia kanë treguar prindërit. Por, nëse jo me këngën, Preljocaj ka një fushë tjetër të kulturës shqiptare me të cilën patjetër të jetë puthitur, atë të vallëzimit.

Preljocaj, i cili në karrierën e tij ka mbi 50 shfaqje, të cilat kanë prekë të katër anët e botës tregon për KultPlus se si vallëzimi shqiptar ka pasë tek ai ndikim edhe në realizim të shfaqjeve. Se nëse kishte guxuar që ndonjëherë të fuste elemente të vallëzimit shqiptar në shfaqjet e tij të baletit, Preljocaj me një përgjigje të shpejtë e konfirmon me një Po.

“Kam vendosë elemente të vallëzimit shqiptar në shfaqjet e mia. Në një shfaqje, unë kam vendosë vallëzim shqiptar, elemente këto që janë vërejtë shumë edhe nga audienca. Dhe për një realizim të tillë kanë qenë inspirim dasmat e motrave të mia, të cilat janë martuar me traditë shqiptare”, ka thënë Preljocaj.

Por jo vetëm shfaqja e inspiruar nga dasmat e motrave të tij ka pasë motive shqiptare, pasi që Preljocaj ka thënë për KultPlus se motive të tilla vendosë herë pas herë në shfaqjet e tij,por që janë më të thella, dhe për tu vërejtur duhet të jetë një vëmendje më e madhe.

Vitet e 90-ta ishin vitet që shpeshtuan të rrahurat e zemrës për Angjelin Preljocajn,duke shënuar kështu njohjen e parë me Shqipërinë, kurse viti 2017 po shënon një emocion tjetër për artistin shqiptar, prekjen e Kosovës. Preljocaj për herë të parë ka shkelur tokën e Kosovës, ditën e enjte, qëndrim ky që do të mbyllet brenda pak ditësh.

Se pse u desh të priste kaq shumë për një vizitë të tillë, Preljocaj ka thënë se tek tashti ishte momenti dhe ftesa, pasi që, Preljocaj në mbrëmjen e së shtunës, do të prezantojë shfaqjen “Un Trait d’Union & Création 2017” , shfaqje kjo e cila për herë të parë do të puqë shpirtin artistik të Preljocajt me audiencën kosovare.

Se kosovarët janë duke e konsideruar një dhuratë këtë shfaqje të Preljocajt, edhe vetë ai është shprehur se është duke e ndjerë. Dhe pikërisht nga pritja e njerëzve për këtë shfaqje, Preljocaj, edhe pse me gjithë këtë karrierë mbi supe, është shprehur të jetë i rezervuar se nëse do ti plotësojë pritjet e publikut. Me një modesti të njëjtë flet edhe për punëtorinë që do të mbajë me balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, duke e quajtur edhe këtë mision si zhvillim të punës së tij.
Angjelin Preljocaj, i cili fillimisht është prezantuar me këtë shfaqje në Tiranë, tash në Prishtinë e më pas do të prezantohet edhe në Beograd, ka treguar për KultPlus se është në përgatitje të një shfaqjeje në Tiranë, shfaqje kjo që fillet e përgatitjes i ka tash e pesë vite. Kurse sa i përket Kosovës, edhe pse tashmë i është bërë një ftesë nga udhëheqësia e këtij institucioni, Preljocaj nuk e ka mohuar se ka një dëshirë të realizojë një shfaqje edhe këtu, por duke pas parasysh agjendën e tij të ngjeshur, ai ka thënë se nuk është në gjendje të konfirmojë një bashkëpunim të mundshëm.

Preljocaj, i cili gjithnjë e ka potencuar se është një fëmijë shqiptar, është ndalë edhe për lëvizjet e shumta që po i bën kohëve të fundit drejt Shqipërisë, dhe në atë se nëse shfaqjet apo rrënjët po e tërheqin. Ai ka thënë se vallëzimi është ai që e udhëheqë në të gjitha anët, por pa anshkaluar edhe rrënjët. “Unë më herët nuk kam ardhur në Shqipëri për shkak të rrethanave, Shqipëria ishte e mbyllur, kurse tashti është ndryshe”, ka thënë ai. Dhe krejt në fund, se nëse ndihej i lodhur pas një dite të gjatë, ai në gjuhën shqipe është përgjigjur me “pak’./KultPlus.com

Angjelin Preljocaj mahnit publikun shqiptar me “Un trait d’Union”

Mes emocionesh dhe duartrokitjesh pafund, Pallati i Koncerteve priti mbrëmjen e kaluar premierën botërore të koreografit të famshëm, Angjelin Preljocaj, me idenë e jetës së njeriut brenda universit.

Premiera ndërkombëtare e krijimtarisë së tij të re që deri dje mbahej “sekret”, shoqërohet nga rimarrja e duo-s mashkullore të vitit 1989 “Un trait d’Union”, një kërcim trup me trup “poetik dhe pasionant” i shkruar mbi muzikën koncertore të J.S. Bach dhe i interpretuar nga Glenn Gloud.

Në shfaqjen e Preljocaj ishin të pranishëm perfaqësues të lartë të politikës shqiptare si, kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ambasadorja e Francës në Shqipëri etj

Pjesa e parë e programit solli në skenë dy kërcimtarë, një balet të krijuar në vitin 1989. Krejt e kundërta e ‘Dasmës’ e pranishme në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe duke ardhur në këtë mënyrë me një krijim të ri. Po ashtu, duke e shfaqur këtë të fundit jashtë pavionit të zi,
vendit të krijimit të Preljocaj, sikurse është shprehur ky i fundit.

Me një karrierë të çmuar ndërkombëtare, koreografi me origjinë shqiptare e nisi nga kryeqyteti shqiptar udhëtimin e premierës së veprës së tij më të fundit me titull “Still-life” (“Natyrë e qetë”).

Baleti i titulluar ‘Stil life’ zgjati 50 min dhe erdhi si një tablo e natyrës së vdekur, natyrës së qetë. Përmes lëvizjeve dhe jetës në skenë, koreografi foli për kohën që kalon, jetën, vdekjen dhe pasionin, por edhe për kotësinë, një nga karakteristikat e njeriut postmodern.

Mjeshtri i baletit bashkëkohor, franko-shqiptari Angjelin Preljocaj foli më herët për premierën e tij botërore, duke nisur turin nga Tirana: “Trait d’Union & Création”.

“Sa herë vij këtu jam si në shtëpi, por si Shqipëria si Franca më kanë dhuruar shumë. Për këtë ndjehem sikur të kisha dy burime brenda shpirtit, secili kërkon dhe gjen rrugën për t’u shprehur brenda meje. Kur kthehem këtu jam shumë i gëzuar, sepse është diçka e rrënjosur, edhe është shumë e vërtetë. Jo më kot e kam zgjedhur këtë pjesë. Baleti flet për kohën që kalon, për jetën vdekjen dhe pasionin”.

Koreografi i “Preljocaj Balet”, kompanisë së krijuar nga ai dhe e njohur ndërkombëtarisht, tashmë në trupën e tij ka edhe një shqiptar tjetër, Redi Shtyllën, që performoi mbrëmjen e kaluar. Shfaqja u realizua me ndihmën e ambasadës së Francës dhe ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Angjelin Preljocaj: Rikthehem në tokën e të parëve me të njëjtin emocion (VIDEO)

Koreografi francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj rikthehet në Tiranë me premierën botërore “Natyrë e qetë” Spektakli përmban dy pjesë “Viza lidhëse” një krijim i vitit ’89, një duo mashkullore ku për herë të parë do të interpretojë edhe një balerin shqiptar, Redi Shtylla si dhe premiera absolute “Krijimi” që do të interpretohet nga 6 balerinë francezë.

Kryeveprat botërore “Trait d`union” dhe “Creation” rikthejnë në Tiranë koreografin francez me origjinë shqiptare Angjelin Preljocaj. Një balet për jetën, pasionin e vdekjen interpretohet për publikun shqiptar më 4 tetor në Pallatin e Kongreseve. Lidhjet e ngushta me vendin e origjinës nuk nguron t`i shpreh teksa thotë se rikthehet në tokën e të parëve me të njëjtin emocion.

“Është sikur kthehem gjithmonë në shtëpi. Edhe kur kthehem në lagje sepse edhe Franca është shtëpia ime, më ka dhënë shumë. Por kur kthehem këtu ka diçka të rrënjosur thellë që është shumë shumë e vërtetë. Është sikur kam dy burime brenda shpirtit tim dhe mendjes time”, tha Angjelin Preljocaj.

Spektakli do të përmbajë dy pjesë “Traktati i Bashkimit” një krijim i vitit ’89, një duo mashkullore ku për herë të parë do të interpretojë edhe një balerin shqiptar, Redi Shtylla si dhe premiera absolute “Krijimi” që do të interpretohet nga 6 balerinë francezë.

“Mund të japim jetën që duam një baleti, varet nga dëshira dhe vullneti jonë për tia dhënë këtë jetë, është një balet që na ka pëlqyer dhe prekur shumë. Kam dashur që ky balet të vazhdojë të jetoj dhe tju përcjell gjeneratave të reja, të ketë emocionin që ndjej unë nëpërmjet këtij baleti. Prandaj e kam marrë dhe rishfaqur disa herë. Pra është një balet që e kam vënë në kundra peshë me baletin Dasma. Çfarë kam dashur të përcjell përmes lëvizjes dhe jetës në skenë, është sesa të vegjël jemi ne në këtë univers. Sa e vogël është jeta jonë brenda jetës të së madhe. Është një balet që flet për kohën që kalon. Për jetën për vdekjen, për pasionin”, pohoi tutje Preljocaj.

Preljocaj çel edhe Festivalin e 12 të Dancit Kontemporan në Shqipëri, një zhanër që e cilëson të vështirë dhe impenjativ për tu realizuar.

“Ideja mbi teknikën dhe virtuozitetin e kërcimit konteporan është një ide më shumë në kokat e njerëzve sepse duhet një punë e madhe dhe e vështirë që të arrish virtuozitetin në kërcimin konteporan”, përfundoi Preljocaj.

Pas Shqipërisë, me 5 tetor koreografi Preljocaj do ta shfaqë krijimin e tij në Kosovë, Serbi e më pas në Evropë. Preljocaj ka një krijimtari të njohur për publikun shqiptar, në vitin 2014 dhe 2015 ai bashkëpunoi me teatrin Kombëtar të Operas dhe Baleti t me veprat “Ekstravaganca” dhe “Dasma”, shkruan oraneës./ KultPlus.com