Në Itali gjendet anija e lashtë romake e shekullit II para Lindjes së Krishtit

Një anije e lashtë romake, që besohet se daton nga shekulli II para Lindjes së Krishtit, është zbuluar në ujërat e Detit Mesdhe, afër bregdetit të qytetit jugor italian, Palermo.

Anija është gjendur në 92 metra thellësi, afër Isola delle Femmine. Nga fotografitë e para, të bëra nga një robot nënujor, vërehet se me këtë anije po transportoheshin shishe për verë, shkruan The Guardian.

“Mesdheu vazhdimisht na jep elemente të çmueshme për rindërtimin e historisë sonë të lidhur me tregtinë detare, llojin e barkave, transportin që është kryer”, tha një zyrtare e rajonit të Palermos, Valeria Li Vigni.

Ky zbulim nga autoritetet siciliane u përshkrua si një nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike të vjetëve të fundit.

Pak javë më parë, arkeologët sicilianë zbuluan një objekt tjetër të fundosur – një anije të lashtë romake në rreth 70 metra thellësi afër ishullit Ustica. Në këtë anije kishte shishe me verë të shekullit II para Lindjes së Krishtit.

Çdo vit, qindra shishe të lashta të periudhës romake, të marra ilegalisht, gjenden nga policia italiane në shtëpitë e tregtarëve të artit.

Në qershor, autoritetet italiane gjetën qindra objekte arkeologjike, të grumbulluara ilegalisht nga një koleksionist belg. Objektet datonin që nga shekulli VI para Lindjes së Krishtit dhe kishin vlerën e 11 milionë eurove. / Gazeta Express / KultPlus.com