Anri Sala, me ‘Take Over’ në Klubin e Boksit në Prishtinë

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina ka kënaqësinë të prezentoj “Take Over” nga Anri Sala, pjesë e Shkolla Verore si Shkollë 2018 të Programit Publik.

Sala vjen me datë 17 korrik në Klubin e Boksit, me fillim prej orës 20:00.

Take Over (2017) është një instalacion-video dhe zë i përbërë nga dy filma, i cili trajton tematikat kryesore në veprën e Anri Salës, duke eksploruar marrëdhëniet midis muzikës dhe rrëfimit, arkitekturës e filmit dhe cilësitë e ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës.

Pikënisja konceptuale e Take Over janë dy vepra muzikore të njohura, të lidhura me kompleksitetin e historisë politike dhe kulturore, La Marseillaise dhe Internationale. Kompozuar në vitin 1792, Marseillaise ishte e lidhur ngushtë me Revolucionin Francez, por shpejt u përhap në vende të tjera ku u bë simbol i përmbysjes së regjimeve shtypëse. Kështu, teksti i shkruar në 1871-in për Internationale fillimisht u përcaktua në vijën melodike të Marseillaise-s, deri në vitin 1888 kur muzika e saj origjinale u kompozua dhe kënga u bë himni standard i lëvizjes socialiste. Të dyja himnet kanë pësuar ndryshime të mëdha në kuptimet e tyre politike: nga revolucioni, restaurimi, socializmi, rezistenca dhe patriotizmi, në shoqatat lidhur me kolonizimin dhe shtypjen në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë (si himne kombëtare përkatësisht të Francës dhe Bashkimit Sovjetik). Take Over e bën të dëgjueshme marrëdhënien e ngushtë të këtyre dy himneve dhe gërmon lidhjen muzikore në gjurmët e këtij ndryshimi simbolik. Është vetë tingulli ai që e përcakton filmin: ndryshimi i fokusit në film është i lidhur me tonalitetet muzikore dhe lëvizjen e çelësave që e prodhojnë muzikën – edhe nëse sfondi i këtij sistemi mbetet i pakapshëm.

Të dy filmat janë konceptuar fillimisht për t’u shfaqur njëkohësisht, me qëllim konkurrimin e njëkohshëm të tingujve të tyre përkatëse. Për këtë prezantim, filmat do të shfaqen njëri pas tjetrit.

Anri Sala, artist që punon në Berlin, lindi më 1974 në Tiranë, Shqipëri. Ekspozitat e tij të fundit përfshijnë Anri Sala, Marian Goodman Gallery, New York (2018), Anri Sala, Museo Tamayo, Mexico City, Mexico (2017), The Last Resort, Kaldor Public Art Projects, Sydney, Australia (2017) Anri Sala: Answer Me, New Museum, New York, NY (2016), Anri Sala, Galleria Alfonso Artiaco, Naples, Italy (2015), “The Present Moment (in D)”, Haus der Kunst, Mynih, Gjermani (2014); “Anri Sala: Two Films”, Museum of Contemporary Art, Detroit, Michigan (2012); Louisiana Museum of Modern Art, Humlebaek, Danimarkë (2012); Centre Pompidou, Paris, Francë (2012); “1395 Days Without Red”, Irish Museum of Modern Art, Dublin, Irlandë (2012); National Museum of Art, Osaka, Japoni (2011); Serpentine Gallery, Londër, Angli (2011) dhe Musée d’Art Contemporain, Montreal, Quebec (2011).

Sala fitoi çmimin Gilles Dusein në vitin 2000; Çmimin Artist i Ri në Bienalen e Venedikut më 2001, dhe Absolut Art Award, Stokholm, Suedi, më 2011. Në vitin 2013 u zgjodh të përfaqësoj Francës në Bienalen e 55-të të Venedikut me “Ravel Ravel Unravel” dhe së fundi Sala pranoi çmimin Vincent, Hagë, Holandë (2014).

Artistët shqiptarë i bashkohen problemeve të përbashkëta në ekspozitën në Shkup

Një numër artistësh shqiptarë do të jenë pjesë e një ekspozite në Shkup.

Alban Muja, Anri Sala, Flaka Haliti do tu bashkohen artistëve të tjerë në “All That We Have in Common”.

Ekspozita do të hapet të mërkurën e 18 prillit.

Ekspozita adreson paqartësitë në kontekstin e zhvillimeve kulturore, politike e sociale që lidhen me dobësinë dhe paparashikueshmërinë e jetës.

18 artistë kanë sjellë punët e tyre në Shkup, në ekspozitën që synon të na bëjë të reflektojmë mbi të tashmën, mbi sjerlljet tona dhe përvojat tona. Problemet që këta artistë i fokusojnë në veprat e tyre janë tragjike: mjerimi shoqëror, përjashtimi, manipulimi politik dhe faktorët tjerë që ndikojnë në shqetësimin tonë të ditëpërditëshëm.

Ekspozita do të hapet në ora 20:00 në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, shkruan KultPlus.

Në ekspozitë marrin pjesë edhe Maja Bajevic, Ibro Hasanović, Gjorgje Jovanovik, Šejla Kamerić, Žaneta Vangeli dhe artistë të tjerë nga Serbia, Bosnja, Maqedonia, Slovenia, Turqia, Greqia dhe Franca.
Mira Gacina dhe Jovanka Popova janë dy kuratoret e ekspozitës. / KultPlus.com

“The Last Resort” e Anri Salës është vepër shembullore e artit publik

Historianët asnjëherë nuk mund të pajtohen me të ashtuquajturën “Epokë të iluminizmit”. Përkufizimi i ngushtë i ka fillet te vdekja e Luigjit XIV në vitin 1715 dhe te fundi me Revolucionin Francez në vitin 1789. Versioni i gjatë nis diku në fundin e viteve 1600 dhe dështon më 1815 me mundjen e Napoleonit në Waterloo.

Ashtu sikurse datat, kontestohen po ashtu edhe arritjet e asaj epoke kur shkenca dhe filozofia avancuan goxha. Jemi mësuar të mendojmë për iluminizmin si pikë referimi në historinë e civilizimit, por vazhdimisht po shikohet si lëvizje eurocentrike që frymëzoi sjelljet imperialiste karshi pjesës tjetër të botës. Natyra e dyfishtë e iluminizmit është eksploruar në projektin artistik në “33rd Kaldor Public Art Poject”, “The Last Resort” të Anri Salës. Kombinimi i lokacionit spektakular (në “Observatory Hill) dhe instalacioni i konceptuar në mënyrë brilante, e bën këtë një prej projekteve më të paharrueshme të Kaldor, shkruan The Sydney Morning Herald, transmeton “Koha Ditore”.

Sala u lind në Shqipëri në vitin 1974, i cili kaloi 11 vjet të jetës së tij nën diktaturën e Enver Hoxhës, një eksperiencë që ndoshta mund të përshkruhet si formuese e karakterit. Në vitin 1996 ai la Shqipërinë dhe shkoi në Paris për studime dhe brenda pak vitesh u bë i njohur në qarqet e artit bashkëkohor.

Sala nisi të vlerësohet për punën e tij me seritë e videove që kombinojnë refleksionet mbi natyrën e muzikës, arkitekturën dhe politikën. Këto janë tema pothuajse të pazakonta për artistët e sotëm, por ishte mendimi i mprehtë i Salës prapa secilës vepër që e bëri atë të dallohet. Duke mos menduar për përmbajtjen që i prezanton audiencës, ai ka hulumtuar secilin projekt duke krijuar vepra shumështresore që fokusohen në marrëdhëniet e kontradiktat dhe jo në rregullimin e ideve.

Në të kaluarën Sala ka përdorur muzikë të ndryshme si “Transfiguerd Night” i Schonbergut dhe “Should I Stay or Should I Go” i Clash. Për “The Last Resort” ai ka marrë një prej kryeveprave të iluminizmit, kohën “Adagio” prej veprës “Clarinet concerto in A major” të Mozartit. Sala ka zëvendësuar tempin origjinal prej veprës së Mozartit me instruksione të reja të bazuara në kushtet atmosferike të përshkruara nga marinari James Bell, në një ditar privat të udhëtimit të tij në Australi në vitet 1838-1839. Vepra e riaranzhuar, e incizuar nga “Munchener Kammerorchester”, gërhet, fishkëllen dhe me shpejtësi vjen prej altoparlantëve të vendosur në objektin e rrumbullakët. Secila notë shkakton një ritëm të caktuar prej 38 daulleve që kanë të ngjitura nga një palë shkopinj, të cilat qëndrojnë të përmbysura në tavan. Artisti thotë se ai është frymëzuar pasi ka parë lakuriqët e natës duke dremitur në “Royal Botanic Gardens”.

Rezultati nuk është kakofoni po bashkëpunim mes Mozartit dhe elementeve. Kur moti është i mirë muzika sistemohet në modele të harmonizuara me daulle që tingëllojnë sikur bubullima që vijnë nga larg. Sala i referohet procesit si “çoroditje” e veprës origjinale, ndoshta të shkaktuar nga distanca që është dashur të bëjë për të udhëtuar prej botës së vjetër në të renë. Duke lënë erën që të diktojë, tempi bëhet i përshtatshëm për një koncert të kompozuar për instrumente frymore. Miraton në njëfarë mënyre luftën në midis natyrës dhe kulturës, në mes të ëndrrës së iluminizmit të kontrollit perfekt e të kuptuarit, dhe ndërhyrjet e paparashikuara të motit. Dikush mund ta lexojë këtë si metaforë për mënyrën se si kolonitë britanike kërkuan të imponojnë një ideal të civilizimeve në një tokë të re dhe tek banorët e saj. Nuk ka pasur njohje se jeta aborigjene prezantonte formë tjetër të kulturës që ia vlen të respektohet. Kolonistët e aborigjenëve ishin të egër, jetët e të cilëve mund të përmirësoheshin vetëm me përshtatjen e mënyrës perëndimore të jetesës. Në rastin më të mirë, të ndiqnin konceptin tjetër të Jean-Jacques Roussear, se ata mund të jenë “fisnikë të egjër” që jetojnë në harmoni me natyrën në mënyrë që ishte e pamundur më për evropianët. Ky vrojtim për shoqërinë indigjene kishte disa pasoja praktike. Edhe vrojtuesit më simpatikë besonin se racat aborigjene ishin të destinuara që të zhduken. Pushtuesit e racës së bardhë vetëm mund të praktikonin kujdes të përkohshëm derisa progresi mori drejtimin e vet të paevitueshëm. Ishte pikëpamje që do të konfirmohej nga darvinizmi social në vitet më vonë.

Krejt kjo nënkuptohet në deformimet e koncertit të Mozartit, por edhe vendosja është njësoj e rëndësishme. “Observatory Hill” ishte pika më e lartë në Sidney. Ishte vendi ku kolonialistët shkonin për të shikuar yjet, të parashikonin motin dhe të shikonin anijet që vinin. Ishte vend me rëndësi të madhe për shkencëtarët dhe sigurinë e kolonisë. Objekti i rrumbullakët është hapësirë për pamje, muzikë dhe ndeja, por gjithashtu shërben si pikë vrojtimi. Në fushën e vet 360 shkallëshe jehon modeli i filozofit të iluminizmit, Jeremy Bentham, të cilin ai e rekomandoi si vend për të shikuar të burgosurit. Sugjeron një ndarje mes kënaqësive romantike të pamjes dhe pajisjes për kontroll social. Na kujton se edhe ligjet e zakonet më “iluminuese” janë të vendosura ideologjikisht dhe të mbështetura nga kërcënimi i dhunës. Daullet e grumbulluara janë reminishencë e bandës ushtarake.

Edhe shumë më shumë mund të thuhet për “The Last Resort”. Është Sala që thotë se Australia ishte resori i fundit për sistemin e drejtësisë së britanikëve që kërkon një vend të ri për klasat e veta kriminale, apo ai sugjeron se civilizimi i çoroditur dhe i lodhur është dashur të shikohet përtej kufijve të vet për të kërkuar rilindje. Është po ashtu ideja për Australinë si “resor” ku turistët shkojnë për t’u relaksuar dhe për të bërë qejf. Me një fjalë ne e kuptojmë se si imazhi i një shteti ka pësuar metamorfozë prej burgut në park të kënaqësive.

Si një vepër shembullore e artit publik, “The Last Resort” – që zë vend në Sydney prej 13 tetorit deri më 5 nëntor – na fton që të vlerësojmë bukuritë e portit dhe të koncertit të Mozartit, por gjithashtu nxit më shumë reflektime kritike. Na bën të mendojmë për vendin që e quajmë shtëpi, por nuk jep asnjë mesazh. Nëse ky qytet arrin që të ketë një diskutim të hapur dhe të ndershëm për rolin e artit publik, projekti i zgjuar i Salës atëherë është vendi ideal për ta filluar këtë debat./KultPlus.com

Anri Sala prezanton në Sidnei, si mesazh në shishe veprën e Mozartit

Anri Sala prezanton në edicionin e 33-të të “Kaldor Public Art Project” premierën e instalacionit “The last resort” (Resorti i fundit” (datë 13 tetor).

Instalacioni do të ekspozohet në kodrën “Observatory Hill” Sidnei të Australisë. “Kam dashur ta imagjinoj se si një udhëtim nëpër erë, valë, dhe ujë do të mundë të afektonte një kryevepër muzikore të periudhës së iluminizmit”, rrëfen Anri Sala teksa shpjegon instalacionin “The Last Resort” për mediet e huaja. Ai ngre pyetjet: “Çfarë do të bëhej me ‘Koncertin për klarinetë’ të Mozartit nëse do të fluturonte apo të dilte si një mesazh në shishe, derisa të lahej në breg pas një udhëtimi të gjatë”, shkruan albsprint.

Por, si është konceptuar “The last Resort”? Është konceptuar si një instalim i posaçëm për Projektet e Arteve Kaldor në një pavijon në natyrë, për një hapësirë me pamje nga porti i Sidneit. Kjo strukturë e hapur përmban 38 bateri të posaçme, që qëndrojnë pezull nga tavani në një pozicion të kthyer përmbys. Ansambli i baterive është një skulpturë që luan vetë. Secila nga bateritë është e krijuar enkas dhe përmban në brendësi dy altoparlantë: një altoparlant me shtrirje të ulët frekuencat e së cilës shkaktojnë dridhje në lëkurën e daulleve, duke nxitur një reagim tek shkopinjtë e daulleve, që krijojnë “rat-a-tat” karakteristike, dhe një altoparlantë me shtrirje të lartë dhe mesatare që luan fragmente muzikore. Bateritë që qëndrojnë pezull funksionojnë gjithashtu si shënjues i dukshëm i tingullit të këtij instalacioni.

Pika fillestare muzikore e “The last resort” është koncerti “Klarinetë” në A maxhor, K.622, i kompozuar nga Wolfgang Amadeus Mozart në 1791, pak para vdekjes së tij. Vetëm disa vite më parë “Flota e Parë” kishte zbarkuar në Australi dhe në 18 Janar, 1788 mbërriti në Botany Bay. Zona ku do të vendoset instalacioni është një hapësirë rrethore në një kopsht publik në kodrën më të lartë me pamje nga Sidnei. Kjo zonë i përkiste Fort Phillip-it, e ndërtuar në vitin 1800 dhe emëruar pas Guvernatorit të parë të kolonisë.

Mendohet të këtë qenë një vend vëzhgimi për populli Aborigjen. Për këtë arsye është e lidhur me kontaktin e parë të dy kulturave, të cilat më parë nuk kanë qenë në dijeni për njëra-tjetrën. Bateritë e varura janë të animuara nga koncerti Klarinet i Mozartit, në një regjistrim që Sala e përshtatë sipas kushteve specifike. Secila nga tri lëvizjet e koncertit është alternuar në bazë të një rregulli të vetëvendosur nga artisti: nga tonalitetet e para qendrore (A, C e mprehta, dhe E) të cilat janë hequr, në të dytën të gjitha indikacionet origjinale të kohës u zëvendësuan nga përshkrimi ditor i erës nga Gazeta e James Bell e vitit 1839 , për kalimin e detit nga Londra në Australi, ndërsa në lëvizjen e tretë rendi kronologjik i të gjitha pjesëve ‘solo’ dhe ‘tutti’ u ndryshua. Muzikantët që luajnë pjesë individuale në rezultatet e riorganizuara janë regjistruar njëkohësisht me mikrofon të ndryshëm. Shpërndarja e pjesëve të regjistruara në bateri bazohet në formimin e një orkestre klasike tipike. Kështu asambleja e baterive do të vendoset në përputhje me formimin tipik të një orkestre.

Pjesët individuale në rezultatin e riorganizuar të Mozartit do të caktohen në bateritë përkatëse. “The Last Resort” transformon punën e famshme të Mozartit, duke përdorur strategji të vendosura nga Sala për të demonstruar ndryshimin, që mund të ketë pësuar gjatë rrugëtimit për në Australi. Duke përmbysur tiparet kryesore të koncertit, ndjenjën e gravitetit dhe ritmin, puna e artistit krijon perceptimin e një koncerti që ka udhëtuar në një distancë të gjatë, duke duruar valët e larta të detit, që sipas fjalëve të artistit e kanë “gërryer atë”, shkruan “Estherschipper”. Bateritë e varura pezull nga tavani personifikojnë vetë Australinë, duke kujtuar njëkohësisht edhe dhelprat indigjene të fluturimit të varur me kokë poshtë nga degët e shtrira të pemëve. “The Last Resort” trajton karakteristikat historike dhe kulturore të objekteve të kulturës (ndër të cilat Sala konsideron edhe veprat muzikore), duke u fokusuar në një periudhë kritike të ngjarjeve dhe arritjeve gjatë të cilave iluminizmi që përfshin idetë e progresit, blerjes racionale si dhe organizimin e dijeve ndërvepron në thelb me kolonializmin./KultPlus.com

Artisti shqiptar në Sydney me transformimin e veprës së Mozartit

Për edicionin e 33-të me radhë, “Kaldor Public Art Project” është duke shpërfaqur “The Last Resort” (Resorti i fundit), premierë botërore e instilacionit të artistit të famshëm shqiptar, Anri Sala, shkruan arts.theareview.com.

Duke zënë vend në kodrën “Observatory Hill”, kjo vepër arti do të ekspozohet aty për tri javë, duke nisur nga 13 tetori e deri më 5 nëntor. Instilacioni i Anri Salës është një gërshetim i skulpturës me tingullin dhe përfaqëson herën e parë që artisti e ka krijuar një vepër të madhe për audiencën australiane.

“Kam dashur ta imagjinoj sesi një udhëtim nëpër erë, valë, dhe ujë do të mundë të afektonte një kryevepër muzikore të periudhës së iluminizmit”, ka thënë Anri Sala, duke folur për “The Last Resort”. “Çfarë do të bëhej me ‘Koncertin për klarinetë’ të Mozartit nëse do të fluturonte apo të dilte si një mesazh në shishe, derisa të lahej në breg pas një udhëtimi të gjatë?, ka pyetur ai.

Vepra “Koncerti për klarinetë” e W. A. Mozart, do të transformohet në veprën e artit të Salës, duke shtuar e riimagjinur pjesët kanonike të muzikës, transmeton Koha Ditore./ KultPlus.com