50 vjet

Kosova ishte një dashuri imja që s’më solli asgjë përpos shqetësimeve. U desh shumë dashuri për ta urryer kaq shumë. Dhe janë vetë shqiptarët shkaktarët e kësaj gjendjeje të trazuar shpirtërore.
Besova se tetëmbëdhjetë vitet e fundit të pasluftës në Kosovë qe e pamundur të përmblidheshin në një shkrim të vetëm, por kur e mendova që shumë e thjeshtë, madje përmblidheshin në një fjalë të vetme – TURP.
****
Unë rroj në vendin që ka mungesë të qartësisë. Unë rroj në vendin me aftësi të kufizuara. Njeriu i vendit e kohës sime, lëngon më shumë nga realiteti se sa dhimbjet e shkaktuara nga sëmundjet. Ndonjëherë, nevojitet ajo që të vetmen kemi – kohën, që t’na i shëroj plagët e shkaktuara nga koha.
Kosova, me statusin e saj gjysmak, as-as (as Europë, as Arabi), ka hyrë në shekullin e dytë të robërisë. Pasi pavarësia ishte – Hyrje në injorancë. Këtë shekull e karakterizon pushtimi nga vetvetja. Dhe në këtë shekull, më shumë se për çdo gjë, Kosova ka nevojë për cmitizues. Dhe instalim të ndëshkueshmërisë.
Ka kohë që alfabeti i gjuhës shqipe është reduktuar në tridhjetë shkronja. Ka kohë që fjalori i gjuhës shqipe është reduktuar në dyqind fjalë. Ka kohë që ne jemi shndërruar i tëri në popull intelektual. Ka kohë që jemi shndërruar në popull ekspertësh, pa klase punëtore. Ka kohë që gjenitë janë ndaluar me ligj. Duhet ti kundërvihemi varfërisë së kulturës sonë. Nuk mund të lejojmë kthimin e edukimit në privilegj.
****
Ndërkohë që gjysma e shqiptarëve po vdesin nga infarktet, në pritje të rezultateve finale të ndeshjeve futbollistike nëpër bastore, në Kosovë vetëm këndohet në duete dhe bëhen spote, ma ndryshe. Dhe koalicione, të panatyrshme. Dhe “krijohet Art”?!!!
Me fjalën Art, sot, abuzohet më shumë se me pushtetin. Fjala art dhe artist, sot, shërben për t’u etiketuar njeriu me ves. Unë nuk kam fjalë t’a përshkruaj artin. Por s’kam fjalë as t’a përshkruaj artin – sot. Dhe si i pafjalë, në të dyja rastet, më mbetet të hesht dhe të shikoj se ç’po ngjet. Paqartësitë i kam me veten. Kam besuar se i takoj një komuniteti të privilegjuar, siç është vetë arti, por paskam qene i gabuar.
Artistët e keqtrajtuan artin më shume se politikanët. Le të më falin pak, fare pak artistë të dinjitetshëm dhe meritor për punën që bëjnë, por pjesa tjetër shumicë, janë keqbërësit më të mëdhenj të krijimit. Ata abuzuan me artin. E shëmtuan. E sollën në nivele komprometuese. Në të tilla nivele, që të kesh turp të identifikohesh me ata, si ushtrues të të njëjtit profesion. Krijimi i tyre i vetëm ishte dhe mbetet – Persiflazha.
Fatkeqësisht, shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur nevojë për marri. Është e vetmja gjë që e kanë pasur me tepri.
****
Philip Roth thoshte: “Diktatura nuk krijon kryevepra, ajo nxit sulme në zemër, pezmatim të lëkurës, astme, krijon alkoolistë, depresion, dështim si dhe sëmundje mendore”. Aristoteli thoshte se meritore për krijimin e kryeveprave është talenti që nuk mund të shtypet.
Në këtë vend, ku Aristoteli me siguri është emër fellnesh, Artit dhe Kulturës i bëhet trajtim grotesk. Ose thënë më mire, Arti nuk ekziston më si profesion. Është shndërruar në amatorizëm. Është shndërruar në dhimbje. Ekziston vetëm kultura materialiste.
****
Artistët sa vete e pakësohen. (Edhe pse sa vete e më shumë “shkollohen” dhe shtohen). Por, fatkeqësisht, dallimi qëndron në ambicie. Të paktë janë ata që duan të krijojnë. Shumica dërmuese dëshirojnë të krijojnë famë.
Prandaj, natyrshëm më lind pyetja: a duhet të vazhdoj të krijoj? Për kë të krijoj? A ia vlen të krijosh në standardet e vëna?
Vendi ku rroj, atdhe që nuk ka vend për artistë (edhe pse fare të paktë në numër), si politikisht ashtu edhe artistikisht më ngjanë me dëftimin në vazhdim. Një aktor po interpretonte Hamletin e Shekspirit në një skenë teatri. Interpretimi i aktorit ishte shume i dobët. Publiku po e vërshëllente në vazhdimësi. Kur i erdhi radha monologut të famshëm të Hamletit: “Të rrosh apo të mos rrosh, kjo është pyetja”, publiku filloi ta hudhte me gjësende në skenë. Aktorit që iu lëndua sedra, ndaloi. U kthye nga publiku dhe ju tha: ç’faj kam unë që autori s’di të shkruaj…
Më mbetet ti jetoj vitet e mbetura duke vegjetuar (dinjitetshëm), me dëshirën e madhe që t’mos ju takoj, përjetësisht.
Urime ditëlindjen e 50-të, Arben I. Kastrati./KultPlus.com