“Arbnoriilire”, krijohet teatri i Diasporës shqiptare në Vjenë

Është prezantuar në prag të krishtlindjeve në Vjenë Teatri i Diasporës “ARBNORIILIRE”. Ky teatër është finalizimi i një iniciative të ndërmarrë nga një grup artistësh të Diasporës, me shkrimtarin Gjergj Jozef Kola, këngëtaren lirike Gesu Zefi, pianisten Enxhi Rroji si dhe piktorët Bujar Zela dhe Kol Mileta.

Misioni i teatrit është promovimi i veprave dhe autorëve shqiptarë, siç edhe thuhet në njoftim ”Ky teatër do të ngjisë në skenë vetëm autorë shqiptarë dhe tematika që shqetësojnë shoqërinë shqiptare”.

“Ideja e pagëzimit të një teatri shqiptar, na lindi nga vetë hapësira vjeneze ku thuajse çdo komunitet i huaj  në Europë ka nga një teatër të tijin“, thotë Gjergj Jozef Kola, bashkëthemelues i ketij teatri.

Në nëntor të këtij viti një teatër shqiptar, ai i Maqedonisë së Veriut për F&R përfaqësoi kombin shqiptar me dramën “Requiem për Musine Kokalarin“ në Festivalin “Nata e teatrit europian” ku shumë nga protoganistë e tij u vlerësuan me diploma nderi, sic është edhe vete autori i dramës Gjergj Jozef Kola.

Kështu pendat shqiptare premtojnë shumë për të konkurruar me dinjitet edhe në fushën e Teatrove në shkallë ndërkombëtare.

Kola thotë se për vitin 2023 janë siguruar fondet për sallën e teatrit dhe zyrat reale të teatrit, i cili do të funksionojë si realisht ashtu edhe virtualisht. “Mbështetja e ministrisë se jashtme austriake dhe bashkisë së Vjenës ka qene jetike për ketë teatër shqiptar të mbare trojeve shqiptare e mbarë Diasporës. Ndërkohë qe nga ministritë e Diasporës apo nga ambasadat tona nuk ka pasur asnjë mbështetje apo se paku një përshëndetje të miresjellë për këtë akt të lartë të kulturës shqiptare”, thotë ai.

Pagëzimin e tij ky teatër e kishte me dramën epistolare: “Urime për Krishtlidje” e cila mund të ndiqet edhe ne youtube.

Drejtuesit ftojnë të gjithë ata autorë shqiptar të Diasporës që kanë pjesë teatrale që ti afrohen këshillit të dramaturgjisë për të provuar shansin e tyre dhe për ti parë në skenë veprat./diasporashqiptare/ KultPlus.com