“Architech Festival” do të implemetoj projektet ‘Ferma Urbane’ dhe ‘Këndi i Lodrave’ për fëmijë me aftësi të kufizuara në Ulpianë

“Architech Festival” mbrëmë ka prezantuar një diskutim publik me fokus se sa janë ‘publike’ hapësirat publike në Ulpianë. Diskutimi i mbajtur në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery ka mbledhur rreth vetës një numër të lartë të pranishmëve që interesin e tyre rreth lagjes Ulpiana e kanë shfaqur në masë të madhe, shkruan KultPlus.

Paneli i diskutimit i organizuar nga OJQ YARL (Youth are the real Leaders) u zhvillua mbi temën “Sa janë ‘publike’ hapësirat publike në Ulpianë?”. Me pjesëmarrjen e të rinjve, banorëve dhe Komunës së Prishtinës, mbi këtë temë, është shtjelluar ideja se si Ulpiana të shndërrohet në një mjedis më gjithëpërfshirës, më të pastër, shëndetshëm e të qëndrueshëm. Diskutimi ka synuar të mbështesë të rinjtë në qeverisjen e mirë lidhur me planifikimin hapësinor dhe ri-dizajnimin urban.

Para qytetarëve, është publikuar raporti hulumtues dhe të dhënat e dala nga ky raport për lagjen e Ulpianës. Hulumtimi është zhvilluar nga YARL në kuadër të punëtorisë “Hapësira publike për të gjithë” përgjatë edicionit të tretë të “Architech Festival”. Punëtoria ka pasur për qëllim fuqizimin e të rinjve si forcë kryesore për ndryshime pozitive në shoqëri, pjesëmarrjen në dizajnimin e hapësirave publike, gjithmonë duke u mbështetur në nevojat e hapësirës së caktuar. Hulumtimi ka dalë në përfundimin që bazohet në disa prioritete siç janë: parkingjet, siguria në hapësirat publike, gjelbërimi, aktivitet e ndryshme kulturore dhe sportive.

Në pjesën e parë të këtij paneli diskutimi një fjalë rasti e pati drejtoresha ekzekutive e “YARL”, Kosovare Sadiku.

“Si organizatë YARL kemi filluar këtë projekt në bashkëpunim me OSBE-në dhe Komunën e Prishtinës që nga muaji prill. Pra, janë bërë tash e gjashtë muaj që kemi punuar me këtë pjesë të lagjes Ulpiana në kuadër të edicionit të tretë të Festivalit të Arkitekturës”, thotë Sadiku.

Ajo ka bërë të ditur se Festivali i Arkitekturës ka filluar që nga edicioni i parë, me qëllim të përfshirjes së tri komponentëve të rëndësishëm. I pari është takimi i komunitetit me banorët veç e veç, njohja e nevojave të tyre dhe ri-dizajnimi i hapësirave të përbashkëta publike. Komponenti i dytë ka qenë angazhimi i të rinjve, qoftë studentët në fushën e arkitekturës apo sociologjisë, inxhinierë të ambientit, arkeologë e profesione tjera, të cilët përveç pjesës teorike gjatë studimeve të tyre, kanë përmbushur pjesën e punës praktike, duke i takuar banorët e duke qenë pjesë e projekteve konkrete. Komponenti i tretë ka qenë bashkëpunimi me institucionet ku janë implementuar të gjitha projektet që dalin si kërkesa të vetë banorëve.

Pra, në edicionin e tretë është përzgjedhur lagjja Ulpiana si një ndër lokacionet me prioritet për intervenim nga ana e Komunës së Prishtinës.

Ndërsa, zyrtarja e programit nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Besarta Halimi ka thënë se raporti shërben si një shkas për të hapur një diskutim me qytetarët, zyrtarët e sidomos me të rinjtë e banorët e lagjes Ulpiana.

“Sivjet gjatë edicionit të festivalit të 2022, së bashku me YARL lansuam eventin në prill dhe YARL organizoi jo më pak se 15 punëtori. Ky raport për ne shërben edhe si një shkas shumë i mirë për të hapur një diskutim me qytetarët e zyrtarët, e sidomos me të rinjtë e banorët e lagjes Ulpiana. Jemi të lumtur që të rinjtë mund të jenë pjesë e këtyre proceseve dhe shpresojmë që në këmbim kjo u ka sjell një ndjenjë të përkatësisë. Në anën tjetër kujtojmë që edhe kryetari i Prishtinës ka qenë aleati kryesor që nga dita e parë. Ndërsa, falënderimi i takon edhe drejtoreshës së Hapësirave Publike dhe Parqeve, Donjeta Çetta për ekspertizën e saj, bashkëpunimin, guximin dhe të dhënat komunale. Ne do t’i shohim edhe dy intervenimet që do të dalin nga ky projekt dhe mezi po presim që të ndodhin. Në përputhje me misionin e OBSE-së, ne do të vazhdojmë ta mbështesim YARL-në edhe vitin e ardhshëm”, ka thënë ajo.

Në pjesën e dytë të këtij diskutim publik ndër të tjera, është prezantuar dhe publikuar raporti hulumtues dhe të dhënat e dala nga ky raport për lagjen e Ulpianës. Me këtë rast, raporti hulumtues është prezantuar nga Adelina Ajeti dhe Ardiane Tërshnjaku, dy vajza që kanë qenë pjesë e ekipeve hulumtuese.

20 minuta prezantim kanë shpalosur detajet e projekteve që janë prezantuar në katër fusha: Socializimi, Shfrytëzimi dhe aktivitetet, Qasja dhe lidhshmëria, Komforti dhe imazhi. Disa nga prioritetet qenë: Uzurpimi i hapësirës, Aktivitetet vullnetare, Shfrytëzimi i madh nga të gjitha grup-moshat, Pengesë nga qentë endacak, Rekomandim për organizim të kopshteve urbane, Rekomandim për shtigje për biçikleta, Aktivitete për shënjëzime për hecje/persona me nevoja të veçanta, Rekomandim për ulje të shpejtësisë së veturave, Rekomandim për rampa për persona me nevoja të veçanta, Rekomandim për zgjerim të trotuareve për persona me nevoja të veçanta, Rekomandim për mirëmbajtje/ridizajnim të fontanës së Ulpianës, Rekomandim për më shumë gjelbërim, Këndi i lojërave për fëmijë, Hapësira sportive, Ndriçimi i duhur për lagjen, Ndërmarrja e propozimit të ndërtimit të rezervarëve, wireless falas e të tjera.

Mentorja e këtij projekti, profesoresha Elvida Pallaska ka thënë se pasiguria në lagjen Ulpiana, për të ka qenë tejet befasuese.

“Ato probleme që kanë dalë prioritete për ne, ishin shumë befasuese. Unë kam lindur në Prishtinë dhe kam menduar që i di problemet deri diku që i ka lagjja Ulpiana. Në këtë kohë, ankesat rreth sigurisë në këtë lagje, ka qenë më shumë se befasi. Kjo ishte shumë e potencuar për arsye të ndryshme”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, është folur edhe për realizimin e dy nga projektet brenda këtij viti dhe për projektet më afatgjatë për 1 deri në 5 vitet e ardhshme për lagjen Ulpiana.

Pra, konsiderohet që për shkak të limitit të buxhetit, është vendosur që vetëm dy projekte do të fillojnë rrugëtimin këtë vit. Ndërsa, ekziston një plan i veprimit me disa projekte të cilat do të vazhdojnë në vitet e tjera, me afat pesë vjeçar.

Është bërë e ditur që gjatë muajit nëntor, do të implementohen projektet si “Fermat Urbane” dhe “Këndi i Lodrave për Fëmijët me Karrocë” për fëmijët me nevoja të veçanta. Këto dy projekte kanë qenë prioritete për shkak të kërkesave nga banorët, në mënyrë që ata të socializohen. Intervenimi është mundësuar nga YARL, financuar nga OSBE në bashkëpunim me Drejtorinë e Parqeve dhe Hapësirave Publike në Komunën e Prishtinës.

Gjatë përfundimit të këtij prezantimi, diskutimi ka qenë i hapur për publikun që pati mundësi për të bërë pyetje direke këtyre tre akterëve relavant.

Ndërsa krejt në fund janë shpërndarë edhe certifikatat ndaj pjesëmarrësve në ekipin hulumtues për këtë raport: Adelina Ajeti, Ambeta Brahimi, Ardiane Tërshnjaku, Bardha Isufi, Dalib Berisha, Lendita Gashi, Melisa Hergaja, Melisa Morina, Shkëlqesa Uka, Yllka Morina.

Diskutimi publik ka qenë një nga aktivitetet përmbyllëse të Architech Festival Edicioni III. / KultPlus.com

Architech Festival me diskutim publik për hapësirat publike në Ulpianë  

Të hënën, Architech Festival Edicioni III do të prezantojë një diskutim publik me fokus se sa janë ‘publike’ hapësirat publike në Ulpianë, që do të mbahet në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, diskutim që do të nisë në 17:30, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë njoftuar se diskutimi publik do të bëhet me të rinjtë, banorët dhe komunën mbi temën ‘se si të bëjmë Ulpianën mjedis më gjithëpërfshirës, i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm’.

Diskutimi publik është një nga aktivitetet përmbyllëse të Architech Festival Edicioni III që synon të mbështesë të rinjtë në qeverisjen e mirë lidhur me planifikimin hapësinor dhe (ri)dizajnimin urban, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.

Në këtë diskutim publik ndër të tjera do të prezantohet/publikohet raporti hulumtues dhe të dhënat e dala nga ky raport për lagjen e Ulpianës, do të prezantohen para qytetarëve dhe komunës projektet propozimet mbi nevojat e qytetarëve të dala si rezultat i rekomandimeve.

Në anën tjetër do të flitet edhe për realizimin e dy nga projekteve brenda këtij viti dhe për projektet më afatgjata prej 1 deri në 5 vitet e ardhshme për lagjen Ulpiana.

Në këtë takim do të jenë të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, drejtoresha e hapësirave publike Donika Çetta, Kosovare Sadiku, drejtoreshë ekzekutive e OJQ “YARL” dhe Besarta Halimi nga OSBE.

Architech Festival Edicioni III fton të gjithë të interesuarit që të jenë pjesë e këtij diskutimi, duke shijuar bashkë prezantimin dhe kafenë e pasdites. / KultPlus.com