“Arrëthyesi”, përralla e dashur që mbush TKOB çdo fundviti

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit vijon të shfaqet baleti “Arrëthyesi”, një produksion i ri, që bëri të shiteshin në kohë rekord të gjitha biletat, megjithëse u vendos të kishte një maratonë prej 6 shfaqjesh.

“Nata e tretë e “Arrëthyesit” na gjeti sërish kështu; me sallën dhe zemrat plot. Falenderues për ju që na ndiqni dhe që keni nxjerrë prej një jave tashmë, të gjitha shfaqjet “sold out””, shkruhet në faqen online të TKOB.

“Arrëthyesi” me muzikën e magjishme të Çajkovskit, vjen në TKOB çdo fundviti, duke tërhequr gjithnjë e më shumë një publik të ri në moshë. Ky balet, me subjektin e një përralle, është kthyer tashmë në një ikonë të periudhës festive, në të gjitha teatrot anekënd botës dhe padyshim që edhe TKOB nuk mund ta prishte këtë zinxhir festiv mbarëbotëror./KultPlus.com

’Arrëthyesi’ mbyll vitin në TKOB

Teatri i Operas dhe Baletit shfaqjet në Tiranë do t’i mbyllë me baletin e mirënjohur “Arrëthyesi”. Në prag Krishtlindjesh shfaqja klasike me muzikë të Tchaikovsky, do të sjellë magjinë e ëndrrave me një fabul që mbështetet mbi dashurinë.

Për herë të parë, kjo shfaqje do të interpretohet edhe për një publik special, për ata që kanë vështirësi në dëgjim. Genti Mumajesi, është ai që do të përkthej çdo lëvizje për publikun e veçantë.

Edhe për balerinat ajo mbrëmje jo vetëm që do të jetë e veçantë, por edhe shumë sfiduese për to. Datat 22, 23, 24 janë bërë ‘sold out’ që prej një jave duke rikonfirmuar dhe një herë suksesin dhe dashurinë që publiku ka për këtë kryevepër botërore./KultPlus.com

Baleti “Arrëthyesi”, edhe për personat me shikim të kufizuar

Produksioni i ri “Arrëthyesi”, që do të vijë në skenën e TKOB, për të parën herë në Shqipëri do të jetë e mundur të ndiqet edhe nga njerëzit me shikim të kufizuar, nëpërmjet audio-përshkrimit. Shfaqja  do të jepet për 3 net radhë, por përshkrimi zanor do të ndodhë gjatë premierës së shfaqjes, më 22 dhjetor.

Për njerëzit me shikim të kufizuar hyrja në sallë behët 50 minuta para nisjes së shfaqjes. Gjatë kësaj kohe përshkruesi do të ndajë më shumë detaje nga historia e mrekullueshme e “Arrëthyesit”. Gjithashtu do të realizohet një tour i cili do t’iu mundësojë një kuptim më të thellë të “Arrëthyesit”. Ndërsa do të dëgjojnë përshkrimin e skenës, personat me shikim të kufizuar do të kenë mundësinë të prekin edhe disa pjesë të kostumeve dhe do të njihen me detaje nga historia dhe personazhet.

Biletat për përformancën me audio-përshkrim janë falas për personat e pajisur me librezën e Statusit të të Verbërit dhe shoqëruesit e tyre.

Përshkrimi zanor në kohë reale, bëhet i mundur falë bashkëpunimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me United Nations Association Albania si pjesë e Programit “Art nexus programme”.

Folësi është specializuar në interpretimin vizual të shfaqjes i cili sjell në jetë përformancën në sytë e mendjes, me përshkrime të gjalla të lëvizjes së balerinëve si dhe aksionit dhe dramës që ndodh në skenë.

“Arrethyesi” është emblema e shfaqjeve të fundvitit pasi është materializimi i magjisë që përcjellin festat./atsh/KultPlus.com