Nga KultPlus, dhjetë libra si propozime për lexim gjatë janarit

Me fillimin e një viti të ri, gjithmonë ekziston dëshira edhe për të menduar për librat që do të lexoni këtë vit.

Janari gjithmonë ka shumë rëndësi, meqë po u krijua shprehia e leximit tash, do të vazhdojë e tilla gjatë tërë vitit 2020.

Plot libra në raft, pak kohë për t’i lexuar. Megjithatë, është koha të mendojmë seriozisht të lexojmë diçka.

KultPlus po ju sjellë një listë me dhjetë libra prej të cilëve mund të zgjedhni të lexoni çkado që doni, për një fillim të mbarë, dhe pse jo letrar, të këtij viti.

1.Franz Kafka – Letër babait

Kjo letër duhet lexuar e rilexuar. Mund të lexohet edhe me një frymë, e mund të reflektohet mbi të sa herë të doni. Niseni vitin 2020 duke lexuar një letër të dhimbshme dhe shumë të sinqertë nga shkrimtari, dedikuar babait të tij, një burri i cili nuk u kënaq asnjëherë me djalin e tij dhe të arriturat e këtij të fundit.

2. Elena Ferrante – Histori arratie e qëndrese

3. Shpëtim Selmani – Libërthi i dashurisë

4. Stephen Hawking – Përgjigjje të shkurtra për pyetje madhore

5. At Zef Pllumi – Rrno për me tregue

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë, ata që kanë jetuar në atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë te shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë” Ismail Kadare në lidhje me veprën “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit.

6. Milan Kundera – Mosdija

7. George Orwell – 1984

8. Robert Elsie – Fiset Shqiptare

Ky është një nga librat më të thelluar për studimin e historisë, shoqërisë dhe kulturës shqiptare nga albanologu Robert Elsie. Është nga veprat e fundit që la autori para se të ndahej nga jeta. Në këtë libër trajtohen 69 fiset shqiptare, me një historik të shkurtër dhe me drejtuesit e tyre. Noel Malkolm shkruante: asnjëri nuk do të mund ta bënte këtë më mirë sesa Robert Elsie, i cili është i pashoq në njohjen e kësaj lënde.

9. Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku – ‘Enciklopedia e Mërgimit’

10. Michel Houellebecq – Serotonina

“Serotonina”, me magjinë e saj të papërsëritshme, mes ironisë thukëse dhe trishtimit të fshehur pas saj, është një vaj për jetën e vërtetë që po venitet relievit mahnitës të Francës. Houellebecq është zëri i qartë francez, që bën shpjegimin tronditës për Europën sot, por edhe të botës ku po jetojmë. Si përherë, edhe me këtë vepër, “profeti ogurzi” e parashikoi lëvizjen e “jelekëve të verdhë” disa javë përpara se ajo të shpërthente, siç ka ndodhur deri tani me veprat e tij. / KultPlus.com

‘Kur çuen elefantin në Shkodër’

Nji histori e rrefyeme prej te madhit At Zef Pllumi.

“Kur çuen elefantin në Shkodër”

Paska ardhë nji vezir i ri në Kala të Shkodrës edhe me vedi paska pru nji fil (elefant). Tue kjenë se fili atje në kala nuk ka pasë shka me hangër, e ka lanë poshtë në livadhe të Shkodrës, pak jashtë qytetit.

Mirë po fili tash e pare hinte në qytet, se secila shtëpi kishte bahçe të mira, edhe ai po i hante shumë pemët.

Prandej, kur nuk e xeshin dyertë e mdha, ai u vente shpatullat, hapte muret e hynte në bahçe, thente jo vetëm degë, por edhe pemë. Gra e fëmijë hikshin prej tij, se ishte aq i madh dhe aq i fuqishëm, sa të shtinte frigën. Këtë punë e bante çdo ditë: sot këtu, nesër atje, hinte në çdo shtëpi e në çdo bahçe e s’kishte shka i ban kush. Gjueje gur sa të duesh, ai s’ndiente; kush s’mund t’i delte para. Të gjithëve u hini hataja.

Prandej në nji ditë xhuma (e prende), gjatë Ramazanit, populli u mblodh i tanë te Xhamija e Tophanës. Si me ia ba e tek me ia ba punës t’atij filit të vezirit. Folën e folën, dikush thumbit, dikush patkoit, me shkue atje nalt në kala e me i thanë vezirit këto fjalë:

“Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun sot te Xhamija e Tophanës, të gjithë bashkë e shqyrtuem çashtjen e filit që ke pru. Ai fil po then dyert e shtëpijave tona, po u shtjen frigen grave dhe fëmijëve, të cilët struken prej tij; hyn ndër bahçet tona, han, then e shkatrron. Të gjithë popullit i ka hy tmerri prej ati fili. Prandej të bajmë këtë kërkesë: largoje sa ma parë prej Shkodret këtë fil që shkatërron gjithshka, se nuk e durojmë ma”.

Populli i Shkodërs caktoi aty për aty dhetë vetat që të shkojshin te veziri në kala, të gjithë burra të mirë, njani mai mendshëm se tjetri gjithsejcili ma trim se shoqi. Populli u shpërnda; ata të dhetë u nisën përpjetë rrugës së kalasë. Atje nalt i priste veziri. Ata e dijshin që veziri, po i çove peshqesh, të priste mirë, por po i fole keq, nuk delshe ma i gjallë prej kalajet: shtatë shaljanët dikur kishin mbetë të gjithë dekun aty n’odë të vezirit. Kjo dihej.

Porsa filluen rrugën përpjetë, qe se njani prej të dhetëve po flet: “Ndigjoni, o burra, mue mbramë me diq nana. Gjenazen e kam aty në shtëpi e kush kujdeset për vorrin e saj? Ju lyp leje.” “Shko, nana asht nanë: e gjallë e e dekun.”

Porsa kaluen dhetë hapa, foli nji tjetër: “Burra, si dhetë, si tetë, nuk ka rëndësi. Kam niji hall të madh, se më ka ardhë miku në shtëpi e nuk kam si e la vetëm: a më lejoni?” “Shko!”

Mbas pak hapash që po ngjiteshin, po thotë një i tretë: “Më lejoni, o burra, se kam nji hall të madh: më ka mbetë dugaja e mbyllunnë Pazar sa me dorëzue çilsin: barabar si shtatë si gjashtë. A më lejoni?” Kështu me radhë, njanimbas tjetrit, praqitën arsyet e veta e u larguen. Kur mbërrijnë te dera e kalasë, kishin mbetë vetëm dy vetë.

Kqyrën njani-tjetrin: Cili po i bjen derës? “Ndigjo, tha njani prej tyne, dhetë kjemë që u nisëm e tash kemi mbetë vetëm na të dy? A e di si asht puna? Njato fjalë janë për me ia thanë vezirit: barabar si nji si dy, bile ç’ duhet i dyti? Njani ka për t’folë. A e qesim short kush me hi, o un o ti?” “Jo, u përgjegj tjetri, pse me qitë short? Sa me thanë njato fjalë, flas un.” “U, sa mirë, se edhe un kam pasë aq shumë punë sot.”; doli tjetri e u largue.

Ai që mbeti i ra derës. Roja ia hapi e ai foli se e kish dërgue mileti i Shkodrës i mbledhun te Xhamija e Tophanës për me folë me vezirin. Pasha e kishte zakon me i pritë mirë e me u qitë kafe atyne që vijshin me peshqesh në dorë. Ata që bijshin ankimet e popullit, jo vetëm që i priste me tureçka, por nganjëherë nuk e nxierrshin as kryet prej andej.

Shkodrani filloi me folë: “Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun te Xhamija e Tophanës, më ka dërgue për me t’u falë nderës.” “Hë, ju bini dy kafe”, urdhnoi veziri. Shkodrani vazhdoi: “Më ka dërgue me t’u falë nderës për gëzimin e madh që i ke dhanë tue prue njatë fil. Aman, o Perëndi, sa gja të bukur që ke krijue! Fili! Fili i Pashës! Knaqen gratë e femija kur e shofin me sy. Frigë?… Frigohen nganjiherë, se asht gja e madhe, por mandej gëzohen sa s’ka kur shofin se nuk ka pemë në bahçe që e ndal. As nuk u dhimbsen degët e pemët e thyeme, as muret e dyerët e rrënueme, se e dijnë që asht Fili i Pashës.

Por i gjithë mileti ka nji marak të madh: Aman, o vezir i madhnueshëm, donë me dijtë se si e ka gruen e vet ky fili, se çajre pa grue as ky s’do të ketë! E i ka kapë nji marak i madh me e pa fileshën: si do të jetë ajo!” Ndërkaq erdh kafja e turkut, e gota e ujit në tabake e veziri foli: “Ndigjo, o burrë i mirë, thueji miletit të shkodrës se do të baj çmos me ua plotësue dishirin. Hiç mos u disproni, se sa ma parë që të mundem kam me u prue edhe fileshën!”

Mbas nja dy muejsh nëpër rrugët e Shkodrës po shifen tue ecë fili e filesha: shka lente pa rrënue njani, e plotësonte tjetri. Popullit i hini tmerri. U mblodh përsëri te Xhamija e Tophanës. Ku janë ata që dërguem me folë me vezirin?” “Un, u çue e tha njani, un kjeshë ai që fola me Pashën. Ju caktuet dhetë vetë, por te veziri shkova vetëm un. A mendoni ju se Pasha don ma shumë bahçet tuaja se filin e vet? Ju e kuptoni që për mue vlen ma shumë kryt tem se bahçet tueja.” “Po a ia ke thanë Pashës fjalët tona?” “Të gjitha ia thashë fjalet e miletit: se si fili hap dyer rrënon mure, then pemët me gjithë degë… Po ju kalanë njaty e keni, aty asht edhe vezir Pasha e, në kjoftëse bahçet tueja u dhimbsen ma tepër se kryet, aty në kala shkoni e folni me Vezir Pashën.”

12 vjet nga vdekja e At Zef Pllumit

Sot bëhen 12 vjet nga vdekja e At Zef Pllumit.

At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës dhe vdiq më 25 shtator 2007. Që në moshën e vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndoqi mësimet fillore e të mesme në Liceun “Yllyricum”.
Në 1946 At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe.

Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet t’i vëjë arna kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve.
Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje del serish në vitin 2003.

Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo”, ndërkohë, me gjithë moshën e thyer e vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, punoi vazhdimisht edhe për libra të tjerë.

Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave, si dhe ka shkruar artikuj në mjaft organe të shtypit shqiptar. Shkrimtari i njohur At Zef Pllumbi është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” dhe nga Konkursi i Shkrimtarëve me çmimin “Penda e Artë”. / KultPlus.com

Kur At Zef Pllumi i shkruante Sabri Hamitit

Shumë i dashtuni Z. Sabri Hamiti,

Më fal se nuk i përdora titujt akademikë e shkencorë se më duket se mund e ngrijnë sadopak ngroftësinë pothuej familjare t’asaj miqsie të shtrejtë që, nganjiherë në jetë, lidhet e fortë që me sinqeritetin e takimit të parë.
Mbasi pjesmarrja juej në Komisjonin për rindërtimin e vorrit të Fishtës kje e pamundun ndër seancat e mavonëshme, më mbetet barrë mue që t’u përmbledhi shkurtazi zhvillimin e mavonëshëm.


Siç patem vendosë në mbledhjen e parë, Z. Gjergj Zheji i a paraqiti Ministrit të Kulturës, Z. Teodor Laço, projektet dhe kerkesat tona për rindërtimin e vorrit. Z. Ministri i priti mirë dhe bani shumë premtime për ndima konkrete. Ndërkaq filluen të ndigjohen zane që pyetshin: ky komisjon çfarë asht? shtetnor apo privat? mbasi nuk asht shtetnor, çfarë fuqie ka ky? dhe pse t’i përgjegjemi kerkesave? Nga këto u kuptue që në ditët e para se nuk do të bahej ai filmi dokumenar i kërkuem prej nesh. 


Edhe për preventivat dergue Ministrisë së Kulturës, që kapshin Shumen 15.000 – USD. Tue kenë se kjo shumë nuk zgjidhte asnji problem tonin dhe qesharake për nji shtet, nuk e pranuen. Nji mbledhje e komisjonit, në ketë rast, të xanun papritmas, vendosi që të ju sjellshim dashamirve shkodranë, mbasi reduktuen përgjysë programin simbas fjalës së popullit: “shtrij kambët sa të kesh jorganin”. Gjetëm perkrahjen e popullit dhe të Bashkisë së Shkodrës, por tashma ishim vonë, se populli synonte deri atje që t’i naltonte poetit nji monument bronxi. Ndërkaq u realizue nji vorr i thjeshtë i përbamë nga nji kryq hekuri e dy pllaka graniti të zi, ashtu siç i ka hije nji fratit françeskan.


Maska e fëtyrës së tij prej allçije u derdh në bronx, ndersa për ato pak eshtna të dorës së tij skultori Ferit Kola punoi nji sarkofag artistik bakrit.
Mbas funksjoneve fetare u krye varrimi. Mbasdreke në Teatrin Migjeni (o ironi e kulturës shqiptare!) u dha nji mbramje letrare artistike. Kje e bukur. Fjalen e rastit e mbajti Aureli e mbas tij foli P. Danjel Gjeçaj (Pal Dukagjini). Në fund Z. David Luka lexoi përshëndetjen tuej e cila u prit me aq duartrokitje sa nuk ta merr mendja.


Mund thomi se i gjithë shtypi shqiptar ndej shurdhë e memec në ketë rasë. As Perfaqsia e Kosovës nuk u gjet e pranishme. Në këtë funeral nuk muer pjesë asnji prej atyne që quhen dhe e mbajnë veten shkrimtar: si rrjedhim logjik dalin dy konkluzione: o ata nuk e mbajnë Fishten shkrimtar ose ata nuk e ndiejn veten shkrimtarë. Emisjoni televiziv u dha vonë e me ngut, por vazhdon jehona e tij. Ma e randësishmja u realizue: nji numër i veçantë i Hyllit të Dritës prej 300 faqesh me artikujt ma të mirë te ktyne pesë vjetve. Mund thomi se patem sukses. 
Po perfundoj tue u dergue përshëndetjet e zjarrta me shpresë se do të shifemi kur të promovohen veprat e Fishtës në Prishtinë. Me dashuni vllaznore 
P. Zef Pllumi
Tiranë, 14-1-1997./KultPlus.com

Shënohet 95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit

Muzeu Historik Kombëtar ka përkujtuar lindjen e At Zef Pllumit.

Pater Zef Pllumi ka lindur në malin e Rencit (Lezhë), më 28 gusht 1924. Më 1931 kreu Kolegjin Françeskan në Shkodër. Pas kolegjit ka studiuar në liceun “Illyricum”, të cilin e përfundoi në vitin 1942. Gjatë viteve 1943-1944 ka shkruar artikuj të shumtë në revistën “Hylli i Dritës”. Më 1946, kur ishte në moshën 22-vjeçare, e arrestojnë dhe dënohet me tre vjet burg.

Më 1949 lirohet nga burgu dhe vendoset në kuvendin e Arrës së Madhe në Shkodër. Në këtë kuvend qëndroi prej vitit 1949 deri më 1958. Më 1956 shugurohet meshtar dhe shërbeu për 12 vjet në Shosh të Dukagjinit. Me mbylljen e kishave më 1967, e arrestojnë përsëri dhe dënohet me 25 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti nëpër burgjet e Shkodrës, Spaçit, Ballshit, Zejmenit, etj.

Më 11 prill të vitit 1989, Patër Zefi u lirua nga burgu. Në 25 dhjetor 1990 celebroi meshën e parë në kishën e Shna Nout në Tiranë. Me ardhjen e demokracisë Patër Zefi filloi të botojë revistën françeskane “Hylli i Dritës” (1993-1997). Z. Pllumi ka botuar këta libra: “Rrno vetëm, për me tregue” tre vëllime (1995-2001), “Françeskanët e mëdhanj” (2001), “Antipoezi për shekullin e njëzetë” (2001), “Siç thonim dje” (2002), “Para njimijë vjetve” (2003), “Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës” (2004), etj. Më 2006, Patër Zefi është vlerësuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”/ATSH / KultPlus.com

At Zef Pllumi: E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit (VIDEO)

At Zef Pllumi është nga nga figurat me të ndritura shqiptare, i cili njohu çdo të mirë dhe të keqe të kombit tonë, madje kjo shihet qartë në një intervistë të rrallë televizive të cilën e kishte dhenë në një moshë të shtyrë, por me mendje të kfjelltë, shkruan KultPlus.

Nga një eksert i intervistës, gazetarja e pyet se prej nga ju vjen e keqja shqiptarëve, At Zefi përgjigjet me një bindje të plotë dhe me një zhgënjim të thellë në ftytyrën e tij.

 “E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni njani me tjetrin, kemi inate, e mllef e kurgja tjetër…Kjo asht e keqja e madhe që na vjen…që na ka ardhë historikisht”, shprehet At Zef Pllumi.

Një burrë i urtë dhe një mendimtar, frati françeskan ka qenë publicist e shkrimtar dhe gjithmonë në kërkim të të vërtetës. Ai ndërroi jetë në vitin 2007 në Romë të Italisë.

“Kjo është e keqja e madhe që na vje e që na ka ardhë historikisht” tregon At Zef Pllumi në vazhdimësi të kësaj interviste. / KultPlus.com

At Zef Pllumi: Andrra ime

At Zef Pllumi

S’asht fjala për andrrat që shofim na n’gjumë:
sa pamje shpartalle, skelete pa brumë. 
Flluska sapuni me shkumbë. 
Kam fjalen për andrrat-dishire gjatë dite, 
që t’hedhin n’mendime vite me vite. 
Nji send un e dij:
se njerzit ket andërr m’a quejn: utopi!

Mbarë token e due, si fushen, si malet
livadh të qëndisun me lulet e lajlet, 
ku delet t’kullosin të qeta, pa frigë
nga bishat e egra s’i gjenë ndoj e ligë;
ku bleta zukatse t’bajnë mjaltin nder hoje
që njerzt t’ambelsohen goje për goje.

Due ajrin e pastër, pa tym e pa mjegull, 
ku syni t’shikoje gjithshkafen me rregull:
ku n’qiellin e kaltër t’ket pëllumba perherë
pa ju versulë flakurim ndoj skifter. 
Due njerzit, due popujt bashkuemun unji
Me ‘i sundimtare mbretneshë: dashni!

Ket andërr ka pa shumëkush para meje
n’epokat e tjera, çdo komb e çdo feje. 
Dhe prap un e dij:
Se u vunë vulën e zezë: utopi!…

Arsyeja dhe zemra njerzore, 
që n’kohnat e lashta antike, 
andrruene për nji:
“Republikë platonike”.
-Tiranët gopçarët, t’nji kaste, t’nji dore
mbiemnin ja vunë edhe ksaj:
utopike!

E s’voni n’epokat e reja, pa pra
n’shkreti shungulloi persritun nji za:
“O njerz, ju vllazen jeni të tanë!
Ju t’gjith kët token e keni për Nanë!”
Por mbretent, fisnikët, kalorsat barbar, 
Kurr nuk pranuen t’jenë njerzt barabar.

E dij se n’tokë ka dimna e prandverë, 
e dij se mbi tokë ka pëllumba e skifterë;
e dij se mbi tokë ka ujq dhe dele, 
ka pasanikë e kamb-zdathun me zhele, 
por kët s’e kuptoj:
pse n’tokë sundon dhuna, 
forca shtasore
jo mendja, jo puna;
se ma dashunisë s’i lanë kurrkund vend
a thue se njerzit janë t’gjithë të pamend!

S’pat bota njerz t’mendshëm?
pat, po si s’pat!…
Por o kjenë të plakun
o t’vorfen pa fat.

Prandaj un e due at andrrën e mirë:
që njerzit dikur, me hir o pa hir, 
do rrxojnë e përmbysin kultin e dhunës, 
instinktet shtasore t’mënisë e furtunës, 
dhe n’vendin e tyne do t’vehet
Mirsia,
Mendja njerzore, 
Zemra e Dashunija!

At Zef Pllumi: Turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’

“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën . . .

Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”

“Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na,… mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë!”

Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij…

At Zef Pllumi ( Rrno për me tregue)

“Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na,… mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë!”

At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës dhe u nda nga jeta më 25 shtator 2007. Që në moshën e vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndoqi mësimet fillore e të mesme në Liceun “Yllyricum”.

Në 1946 At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe. Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet t’i vëjë arna kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve./ KultPlus.com

Njëri “humbës” dhe tjetri “fitimtar”, por të dy pranojnë 29 Nëntorin

Më poshtë mund të lexohet çlirimi i Shqipërisë, parë nga dy këndvështrime nga dy dëshmimtarë okularë: At Zef Pllumi dhe historiani Kristo Frashëri.

I pari sodit nga dritaret e Kuvendit të Françeskanëve, tjetri është partizan i thjeshtë.

I pari bën një përshkrim përbuzës, i dyti futet triumfator në qytet.

Njëri humbës e tjetri fitimtar – siç do thoshte kryeministri Rama.

Tabloja e partizanit është krejt e kundërt me atë të priftit françeskan.

Por që të dy pranojnë se “29 Nandori”, 29 Nëntori është ditë e çlirimit të vendit.

Zef Pllumi shkruan për ditën e çlirimit të Shkodrës në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue” cituar nga DITA:

“28 Nandori 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë… Mbas atyne bumbullimave që shpallën largimin përfundimtar të gjermanëve, nuk fjeti mà kurrkush n’atë natë të gjatë. Në Kuvendin Françeskan, ku jetojshem, zotnonte parandjenja se me atë çast se Oksidenti po largohej prej nesh me një hap shumshekullor…”(f-18) Më 29 Nandor gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë, në orën 10.30–11 nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut… Ushtrija partizane e veshun me gjithnduer uniformash të huaja, paraqitej si një ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Shka bante mà shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund ishin ato femna me pushkë në krah? Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazit” (fq.19-20)”

Kristo Frashëri në librin e tij “Jeta e një historiani” cituar nga DITA shkruan:

“Nuk mund të harrojmë kurrë ato çaste, kur duke kaluar nëpër rrugët e qytetit, qytetarë burra e gra e fëmijë na përshëndesnin si çlirimtarët. Entuziazmin e tyre e dëshmojnë dy fotografi të shkrepura në çastin e hyrjes së partizanëve në Shkodër, në mëngjesin e 29 Nëntorit 1944.” (F.163)./ KultPlus.com

“Sa shumë djelmët i paska pasë ky Stalini në këtë dhenë tonë”

Dhuna bahet pushtet

Dhuna tiranike e quajtun “proletare”, e ushtrume ditë e natë gjithkund e papushim, pa dallue fshat, as qytet, e shoqnume me britmat e sloganet papagal dhe torturat çnjerëzore, me rrenat e kaçarrenat e njerëzve servilë o t’paguem: mbas gjithë atyre pushkatimeve të përgjakshme, burgimeve e shpërnguljeve të dhunshme masive, ia dulen me e përkulë popullin e lirë të Shqipnisë dhe kështu dhuna partizane iu duel me u ba Qeveri.

Më 9 Maj 1945 ra Gjermania. Erdhi urdhni për më u ra të gjithë kumbonëve. Për botën duhej t’ishe gëzim i madh. Por nuk kje për ne. Fitues kishte dalë Stalini. Atij i këndohej ndër të gjitha rrugat nga gupet e repareve partizane.

“Bijt e Stalinit jemi ne,
që çlirojmë botën anë e m’anë,
e do t’valojë përmbi dhe
flamuri i kuq, flamuri parizant.”

Mbas darke , sic mblidheshim, tue folë për ngjarjet e ditës njani tha: ndigjoni fjalët e kangës; aman, sa shumë djelmët i paska pasë ky Stalini në këtë dhenë tonë!
– Lene ma,- iu përgjigj nji plak,- se këtu baba Sulltani e kushdo që të na sundojë na e thrrasim babë o xhajë.
– Pse po interesohesh ti? Sikur t’ishin këta të rijt hajde de, por ti… Para njizet vjetësh sigurisht që jo.
– – Un, – tha, – mendoj që Çurçilli nuk se si e duron Stalinin që ka zabtue gjysën e Europës, prandaj së shpejti angalzët e rusët do të jenë në luitë.
– Anglia ka paktin njëzetvjeçar të miqsisë me Bashkimin Sovjetik dhe ajo i mban paktet se e zen lepurin me qerre.
– Nuk ashtu punë paktesh,- tha një tjetër, – por Çurçilli vetë për më shkatërrue Gjermaninë ja u ka shitë Europën me gjithë kolonitë biznesmenëve të Amerikës e gjysen tjetër rusve. Gjatë historisë shofim se shumë ngjarje të mëdha të politikës i cakton vetëm trilli personal i udhëheqsave. Me këtë rasë ky i gëzohet vetëm titullit të naltë: “Strategu politik e luftës së dytë botnore” pamvarësisht se gjysën e Europës e ka hjedhë në skllavni e gjysën tjetër copë e zhel në rrugë të madhe me lypë nji copë bukë prej jankive.
– Ai qe ban, din shka ban,- tha plaku.- Un mendoj që ai bashkë me Ameriken nuk kanë me e lanë gjatë komunizmin në Europë.
– Po ti, Pater Gjon,- pveti nji tjetër,- shka mendon.
– Un ndryshoj,- tha At Gjon Shllaku.- Kjo luftë asht ba për më i sjellë botës nji ekpokë të re, atë të “Kombeve të Bashkueme”. Karta e Kasablankës na çontë nji bashkëpunim i të gjitha kombeve.
– Ajo nuk asht gja tjetër, por nji version i ri i Lidhjes së Kombeve të presidentit Uilson: ajo ma shumë e nxit luftën se e kundërshton.
– Kjo lufta e dytë, – tha At Gjoni, – u ba luftë ideologjike. Në njanen anë demokracitë kapitaliste bashkë me komunizmin dhe me tjetrën fashizmi e nazizmi që fliteshin për nji rend të ri. Kështu ky bashkëpunim ka më i përpunue njerëzit që hem kapitalistat të përqafojnë idetë e socializmit, edhe komunizmit ka me u ba demokratik e dikur e do të jetojnë bashkë.
– Kurgja nuk po na thue Pater Gjon, – tha persëri plaku. Komunizmi e demokracia janë krejt dy shjetana të kundërt dhe nuk mund aviten kurr bashkë. Hori e pasaniku jeton veç me fitue, ndërsa komunizmi asht si ai djali që kur rrin pa punë çohet e rrahë e mbyet fëmijën e vet. Mjerisht ne na ka përfshi ky e na do vuejmë deri të na lshojë. Ky nuk na lshon, por deri të vijë një tjetër me e hjekë qafet…

Ndërkaq ndër të gjitha qytetet administrata erdh tue u forcue pak a shum filloi me i sistemue edhe forcat deri atëherë partizane. Disa i veshi me uniformë policie e disa tjerë me ngjyrë tjetër. Filluen me u dukë bile edhe oficera të veshun me uniforma të bukura, por që nuk dihej se të cfarë ushtrije mund të ishin.
Edhe nëpër zyre filloi me marrë punën në dorë ndonji njeri që ishte me mjaft shkollë, megjithëse pak kush të kryente punë, por të dërgojshin herë te ai o te nji tjetër deri që të shumtën e herës të përcjellshin pa gja. – U shpallën ligjë financiare e monetare me udhnesa drakoniane: Vulosën karmonedhat dhe vunë tatime luftet, superfitimit e fitimit dhe e mblodhën gjithë florinin e ruejtun me shekujndër qypa. Ndër komisjonet e tatimit emnuen edhe shumë tregtarë, për me u dukë se janë të ndershëm, por ata të shkretët as nuk i pveste kush e ma vonë ranë edhe në burg, Së fundmi banë edhe shumë reforma e filluen diskutimet për ligjin elektoral, i cili vazhdoi gjatë. Në këtë kohë u zhvilluen edhe veprimtari të rëndësishme kulturore. Shumë njerëz edhe filluen të mendojnë se këta e kishin mbarë e përnjimend me vullnet të mirë se ishin djelm të mirë që dojshin me i dhanë nji zhvillim të vërtetë gjendjes sociale të popullit shqiptar aq të mbrapambetun. Por shumë prej njerëzve të ditun e kishin kuptue gjendjen. N’at kohë në Kishën Franceskane kishim nji kujdestar. Kishte që ishte shumë i ndershëm e besnik, por edhe jepte shejet e nji te mbete mendore dhe kushdo që e shifte tallej me të me dashuni. Ashtu vepronte edhe At Gjon Shllaku. Sa herë që e shiftë n’oborr të Kuvendit apo në kjoster e merrte mrapa tue qeshë e i thonte “O more Mark sa i lumtun je ti sot! Të gjithë duhet të kishin kokën tande se shka ndodh. Hajde t’i ndrojmë krenat bashkë”! Maarku ikte si fëmija se ndoshta mendonte se koka mund ndrrohen më të vërtetë.

Deri aty kish vojtë puna: më i pas lakmi nji të marri.

(Pjesë e shkëputur nga libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për më tregue”)/ KultPlus.com

‘Turku e dinte se për me zotnue Shqipninë duhej përçamja’

At Zef PLLUMI

Thuhet se n’ujë të turbullt gjuhet shumë peshk. Kur shqiptari fitoi lirinë, i hueji lëshoi grepin e përçamjes për me zanë shqiptarin.
Ku ishte shqiptari? Ndër katër vilajete. Turku e dinte mirë se për me zotnue Shqipninë e vetmja rrugë ishte përçamja. Ai e vuni re këte që në ditën e parë që e ndeshi fati i historisë me këte popull ku u shquen dy burra: Gjergj Kastrioti Skanderbeg, nji rebel që kërkonte ndihmë në Perëndim, dhe strategu i madh Ballaban Pasha që ra shahit nën muret e Krujës. Trupin e tij e çuen në Petrelë të Tiranës. Aty i ndërtuen nji tyrbe të madhe ku filluen me u falë shqiptarët e me i ndezë qirat.
Ndërkaq ndër gërxhe të maleve lahuta filloi me i këndue Gjergj Elezit.
– Gjergj Aleksit, ushtarit që vrau Ballabanin. Turku dhelpnak e pa se shqiptari, edhe i ndamë dysh, ishte nji rrezik, prandej e ndau katërsh.
Në katër vilajete të turkut njisia e shqiptarit. E kështu gjatë shekujve u vranë mes vedit kush për Bushatllinjtë e Shkodrës o për Begollajt e Pejës; kush për Ali Pashën e Janinës o për Manastirllitë, ndërsa turku bante sehir me spahijtë e vet.

At Zef Pllumi për Rugovën: Nuk çau kryet për kurrnji kritikë sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve

Frati françeskan shqiptar, i njohur për veprën “Rrno vetëm për me tregue”, ishte deklaruar edhe për presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

At Zef Pllumi, i cili kishte vuajtur 26 vite burg në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, për Rugovën ka thënë: “U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe na kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”.

Pllumi vdiq më 25 shtator 2007. Dje u shënuan gjithsej dhjetë vite nga vdekja e një prej burrave më me ndikim në ideologjinë fetare ndër shqiptarë. Ai është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

“Jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?…”

Përkujtojmë sot disa nga fjalët e intelektualit, fratit françeskan, teologut dhe shkrimtarit e filozofit At Zef Pllumi.

“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’.

Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën…

Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia.

Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut”./ KultPlus.com

Fjala e fundit e At Zef Pllumit: Do bajnë sikur janë pendue

Në një rrëfim ekskluziv, studiuesja dhe përkthyesja e veprës amanet të At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”, Keda Kaceli thotë se përgjigjet kundër medaljeve dhe dekoratave nuk mjaftojnë, pasi “do ish dashur dikur një qëndrim më pak mirëdashës i vetë Kishës Katolike ndaj regjimit të djeshëm dhe atij të sotëm”.

Ajo së fundi ka ndër duar përkthimin në italisht të vëllimit II e III të veprës më të njohur të At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”. Kaceli për këtë rast kujton fjalët e fundit të françeskanit për persekutorët e tij, mbi të cilin ushtruan tortura të shumëfishta në diktaturë:


Jeni përkthyesja në italisht e veprës së At Zef Pllumit “Rrno për me tregue” , punë kjo e lënë amanet nga vetë Ati për ju. Pak ditë më parë, në mediat shqiptare bëri mjaft bujë lajmi se Shyqyri Çoku, hetuesi që vulosi burgosjen shumëvjeçare të At Zef Pllumit, është dekoruar një vit më parë nga shteti shqiptar. Cili është komenti juaj mbi këtë fakt?

Do i bie pak gjatë duke u nisur nga një thënie e çmuar e Shën Agustinit, e cila thotë “Ata që na kanë lënë, jo se nuk janë më, por janë të padukshëm, dhe mbajnë sytë e tyre plot lavdi, të ngulitur në tanët plot lot”. At Zefin e shtrenjtë, sa herë e kujtoj, më vjen ndërmend shikimi i tij mirëdashës, i gjallë, mbërthyes e i kthjellët në takimin tonë të parë dhe në atë të fundit. Takimi i parë me At Zefin ka qenë takimi më i rëndësishëm i jetës time, takim i cili do bëhej udhërrëfyes i veprimtarisë time të ardhshme.

Koha me Padër Zefin ndalej dhe e gjithë jeta merrte një dimension tjetër. Kultura e tij, bujaria e tij fisnike, besimi në Zot, atdhedashuria dhe dashuria për njeriun, dashuria për vlerat e jetës, kaq vyer dëshmuar në atë që unë e quaj Bibla e dhimbjes së gjithë Kombit, rrallë t’i hasje në të përditshmen e varfër të ne frymorëve. Po, ne frymorëve, pasi sot më shumë se kurrë del në pah se ai ishte njeri, njeri që jetoi për të rrëfyer të vërtetën e për të na e përcjellë, ndërsa ne të tjerët më heshtjen tonë vrastare të drejtësisë e të së vërtetës së moralshme, jemi thjesht frymorë. Kur ndërmora nismën e përkthimit të veprës së pavdekshme të At Zef Pllumit isha 25 vjeçe. Sot, kanë kaluar shumë vite plot 10 nga atëherë dhe shumë pak është bërë për të përcjelle veprën monumentale përtej kufijve të kohës. Padër Zefi më dashuri të papërshkrueshme dhe respekt të pashoq, ma besoi përkthimin në italisht të librit “Rrno vetëm për tregue” në 2005, dhe rrugëtimi i realizimit ka qenë shumë i gjatë. Vëllimi i parë i tij, në edicionin e parë italian i erdhi publikut në nëntor të vitit 2013 me titullin “Il sangue di Abele – Vivi për testimoniare” dhe në 2015 u ribotua nga Buongiorno Italia me titullin origjinal “Vivi solo per testimoniare”, dhe u shpërnda nga Mondadori së bashku më numrat e parë të revistës, siç ju e keni pasqyruar mjaft saktë në artikullin tuaj të mëparshëm “Shqipëria fantastikë e Kodrës, Vorpsit dhe Kacelit”.

I kam premtuar Padër Zefit se veprën e tij do e përktheja me përkushtim dhe respekt për çdo presje të tij dhe ashtu kam bërë dhe po vijoj ta bëj me vëllimet II dhe III. Më pati thënë se do kisha vështirësi dhe kështu ka qenë. Jo puna, por njerëzit. Bashkëvuajtësit dhe bashkëfajtorët nuk ndihmonin. Frika e dështimit të bën të dështosh por unë nuk pata frikë, por besim. Besim të plotë tek e Vërteta. Tek e mira.

Sot, jam e lumtur që asgjë nuk më ndali pasi ekzistonte një dorë hyjnore që thuri plane më të bukura e më të mëdha për mua, dhe veprën e pavdekshme të Padër Zefit. Dhe kjo do mjaftonte kundër çdo medalje të turpit. Medalje që fyen çdo plagë në trupin e tij të masakruar nga torturat çnjerëzore. Medalje që fyen përkushtimin vokacionin dhe dashurinë e bashkëvllazënve të tij Fretërit Françeskane si dhe të nipave të dashur si Tonini, Sandri Kanti me familjet e tyre apo mbesa e dhembshur Angjelina, e të afërmit e Atit të shtrenjtë, me të cilët gëzoj miqësi e dashamirësi. Ndjej dhe të përgëzoj deklaratën dhe punën e palodhur të Padër Vitor Demajt i cili ka ribotuar këtë vit tre vëllimet e librit “Rrno vetëm për me tregue” dhe “Cinarët” e At Konrad Gjolajt, libër po aq i rëndësishëm dhe dëshmi po aq tronditëse dhe e çmuar mbi vuajtjet e Klerit Katolik në Shqipërinë Komuniste si dhe asaj shtrese elitare të popullit që u vu në shënjestrën e kuqe të regjimit gjakatar si armike e popullit dhe pushtetit popullor.

Këto janë përgjigjet kundër medaljeve dhe dekoratave. Por nuk mjaftojnë. Pasi do ish dashur dikur një qëndrim më pak mirëdashës i vetë Kishës Katolike ndaj regjimit të djeshëm dhe atij të sotëm. Por më beso shumë ndjesi dhimbjeje zhgënjimi deri në indinjatë neveri si dhe ndjenja faji dhe turpi më zgjohen sa herë mendoj për varfërinë shpirtërore që na karakterizon ne, frymorët e Shqipërisë.

I vetmi vend që jo vetëm nuk ka rrëzuar ende Murin e tij të Berlinit por – pas çerek shekulli përpjekje për demokratizim – ndërton paturpësisht Bunkerë në mes të Tiranës europiane. Them përpjekje pasi Shqipëria jonë e vogël dhe e gjakosur nuk ka parë ende demokraci të plotë dhe mjerisht këto vitet e fundit u rikthye bindshëm në një sistem autokrat paradiktatorial.

Si mundet ta quajë veten demokratike Republika jonë e Shqipërisë, kur sot udhëheqin po ata njerëz që udhëhoqën, dje në diktaturë? Si mundet ta quaj veten demokratike Shqipëria jonë kur qeveria është e përbërë nga bijtë e ish nomenklaturës komuniste? Si mundemi ta quajmë veten të lirë kur sot ne kemi ende urrejtje klasore që përcillet brez pas brezi?

A e di kush që gjithçka ka filluar me vjedhjen e pushtetit? Me grabitjen që komunistët i bënë vendit dukë vrarë elitën e mëparshme? Dukë ndezur luftën civile në të cilën sabotuan të gjitha Konferencat kundër okupatorëve? A e dinë shqiptarët që historia jonë është një lëmsh mashtrimesh dhe gënjeshtrash të pashoqe? Një përdhunim i së vërtetës me përmasa ç’njerëzore? Në një vend demokratik krimi ndëshkohet nuk dekorohet.

Medalja e dhënë ndaj hetuesit kriminel dhe torturuesit të dhjetëra qindra të pafajshëm politikë, duhet te ishte një turp për më të fundit ndër funksionarët e Ministrisë së Mbrojtjes, jo më për krerët e Qeverisë. Madje Shoqja Ministre si nënë, si grua, si institucion, do duhej të japë dorëheqjen.

Po si nuk doli askush nga këta demokratët e orëve tona, të kërkojë ndjesën e nënave që kurrë nuk panë bijtë më sy e ikën natën në terr për të mos u kthyer më. Si nuk tregoi kush varret? Si nuk kanë humanizmin e mirënjohje që nuk iu prek një fije floku! Dhe dalin e qajnë Bunkerin? Po si nuk i mjaftuan 718.000 bunkerë që shëmtuan Shqipërinë për dekada dhe ende e shëmtojnë, si nuk iu nxi kurrë faqja këtyre të paudhëve, të pafe e paatdhe, për gjakun që ende nuk është tharë e thërret drejtësi? Edhe sa medalje do jepen deri sa të rikthehet vëllavrasja në tokën arbnore? Kjo nuk mban më! Është turp ndaj dinjitetit njerëzor!

Ju e keni takuar shumë herë At Zef Pllumin dhe keni shkëmbyer letra e mendime mes jush. Ju e njihnit mjaft mirë. Po të ishte ende gjallë, cili do të ishte komenti i tij?

Padër Zefi ishte një njeri i mençur dhe shumë i saktë në analizat e tij. Ishte gjithashtu shumë i ndjeshëm dhe serioz dhe hokatar si At Gjergj Fishta, me një ironi shpotitëse. Unë nuk dua të bëj sensacion e të tregoj se çfarë më tha pak ditë para se të ndahej me këtë botë, për të ikur përgjithmonë duke na lënë jetimë e gati të pastrehë, në të uriturit që ushqeheshim me dijen e tij, në folenë e Kulturës së tij. Padër Zefi, si i fundmi i Françeskanëve të mëdhenj, e njihte mirë racën njerëzore.

Jam e bindur se do nënqeshte me urtinë e tij. Ai i njihte të gjithë. Do thonte: “hajd shyqyr një teneqe xixëlluse ma tepër ngjoks që ishalla i ndriton në terrin e injorancës”, e dinte se flakada e shpresës që e mira të triumfojë duhet mbajtur e gjallë dhe ushqyer me vullnet e punë. Pasi më mirë se gjithkush ai e dinte se, krahas atyre që e lartësonin, dhe e respektonin do kishte të tjerë që do e përdornin dhe do e tradhtonin. Nuk bënte dallim të djathtë, të majtë. Më thoshte shpesh: “Padër këtu të djathtën nuk e njeh kush ndaj kam dërgu studentat me mësu e me sjellë dije e kulturë si para luftës”, e sa gjynah për ne, që shumë nga ata që ai dërgoi nuk u kthyen më, e disa bashkëpunuan me këta dekoruesit e sotëm.

Dita e takimit tonë të fundit ka qenë 6 shtator 2007 në Spitalin Gemelli në Romë. Padër Aureli (At Aurel Gjerkaj) më shoqëroi tek shtrati i At Zefit dhe biseduam gjatë. Kishte nder fjalët e tij zhgënjim e dhimbje por sigurisht shpresë të madhe se një ditë historia do shkonte në vendin e duhur, aty ku e vërteta ka shtëpinë. Ai nuk iku i shpaguar përkundrazi. Disa nga fjalët që më tha, në atë takim të fundit ku shëndeti i tij ish përmirësuar pak, ishin: “Padër të paktën bajnë sikur kanë kuptu dicka, sikur kanë një farë pendese, por nuk e kanë bija jeme. E kanë sa për sy e faqe, se prapë po ne jemi armiku. Sa plagë kam ende në trup sa Krishti dhimbe njerëzore! Duhet më duru shumë, me mësu e me studju fort e mos më humbë shpresën. Mundohu mos mbetesh vetëm, e po mbete, lutju Zotit e mos u dorzo. Ti je italiane, puno mirë për Itali e për Shqipninë tonë se e mira kthehet dikur për mirë”. Besoj se, ishte amaneti i tij pasi ndjente se po largohej.

Pas disa javësh nga kjo ditë mora një sms me lajmin e tmerrshëm. Mora rrugën drejt vendlindjes dhe mora pjesë në funeralin e tij. Atë mbrëmje isha mysafire tek Fretërit në Kuvend dhe më pas e familjes së Toninit, ku zonja Terezinë më nderoi të flija në dhomën dhe shtratin e At Zef Pllumit, në shtëpinë e tyre në Shkodër. Nuk e di kush tjetër ka patur atë fat, dhe sigurisht atë përgjegjësi. Gjatë asaj nate pa gjumë, i vura detyrë vetes mes dhimbjes, që ta çoja në vend amanetin e Atit të mençur aq të dashur për mua dhe them se deri diku e kam nderuar atë, por ka ende shumë, shumë punë për të bërë.

Rrno për më tregue shkruan Ati, dhe sot, vite pas vuajtjeve komuniste e vdekjes së tij, çfarë tregojnë këto situata, kur emra persekutorësh nderohen?

Dekorimi është një turp i pashoq i gjithë shoqërisë shqiptare. Duhet një lëvizje qytetare e sinqertë që të marrë pozicion e të denoncojë publikisht këto akte që përcjellin me vetëdijen më të plotë krenari për krime të kryera. Nga politika nuk presim më asgjë pas çerek shekulli tallitjesh e nëpërkëmbjesh, por duhet të jenë qytetarët që të marrin në dorë fatet e tyre dhe të dënojnë krimet që ende sot pësojnë. Heshtja qytetare është bashkëfajtore e krimit dhe vrastare e moralit. Vrastare e së vërtetës. Medalja të tilla tregojnë nderimin e krimit dhe shkeljen e gjakut të pafajshëm të viktimave.

Tregon se shoqëria jonë është në gangrenë dhe nuk di as ç’është respekti për dhimbjen. Mirë dosjet që u bënë strumentum regni, për të bërë të mundur që ata të vijojnë duke mbretëruar me klanet e tyre dhe në brezat e ardhshëm, por të paktën një vetëndërgjegjësim për të treguar varret ku groposën ajkën e Kombit duke e bërë Shqipërinë e mjerë një bordello pa dyer, ku geni i pastër u bë me biografi të keqe e për ta rregulluar atë iu desh të ngjizej me gen kriminelësh.

Intervistoi: Alba Kepi

Fjalët e Enver Hoxhës në gjyqin kundër Zef Pllumit

Një prej hetuesve të periudhës së komunizmit, Shqyri Çoku, është përshkruar me mjeshtëri në librin “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi, duke krijuar portretin e një hetuesi të diktaturës, por edhe për përshkruar mekanizmat si funksionin hetuesitë dhe gjykatat e regjimit komunist, dredhitë për të marrë deklaratat e të arrestuarve, por edhe kërcënimet dhe dhunën që ushtronin në dhomat e hetuesisë. Tre fragmentet e mëposhtme janë shkëputur nga “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit (libri III)

Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.

– Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.

– Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?

– I shkrova se i the ti.

Gjatë përpilimit të procesverbalit Shyqi (Shyqyri Çoku) më kishte pyetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi ma i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë i Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji “Mbi komunitetet fetare”. Përveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se “propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka liri feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? – pyet Enveri. – Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

– I kam thënë ato fjalë me të vërtetë, – iu drejtova Shyqit (Shyqyri Çokut), – por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa ma shumë.

– Me të ngarkue sa ma shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: “Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len”. E sikur t’ish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.

– Jonuz, e ke gadi tjetrin?

– Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shkë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atë faqe të procesverbalit e mos të më pyesin aty.

– Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.

Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.

***

Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te “kafazi i të pandehurve”. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin ba nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: “Drejtësia në shërbim të popullit”. Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi (Shyqyri Çoku) më tha:

– Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.

Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.

– E vetmja gja që i mungon asht ngrofja.

– Ditë kaq të ftohta janë të rralla.

– Sot asht 7 gradë nën zero, – tha Shyqi (Shyqyri Çoku).

***

Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoki dhe më tha:

– Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikojsh?

– Sigurisht që po!

Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi (Shyqyri Çoku) shkoi dhe foli me te. Ktheu dhe më tha:

– A asht motra jote ajo?

– Jo, nuk e njof.

– Nuk e njef?

Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.

***

Shyqyri Çoku më tha: – Ti nuk ke punë me te as me të tjerët që do të flasin.

Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur t’ishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që t’i thotë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital te ne dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dhe jo të fesë, tha ajo./KultPlus.com

Fotografi e rrallë e At Zef Pllumit

Fotoja është bërë në Shkodër më 10 shtator 1990, kur ende s’e kishte veshur frakun e gjatë.

At Zef Pllumi për herë të parë është arrestuar më1946 dhe është dënuar me tre vjet burg. Të dytën herë arrestohet më 1967. Më 11 prill 1989 lirohet.

Në foto ai ka të veshur një këmishë të bardhë./ KultPlus.com

Përkujtojmë datëlindjen e At Zef Pllumit

Përkujtojmë sot intelektualin, fratin françeskan, teologun, shkrimtarin, filozofin At Zef Pllumi.

At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në Shëngjin të Lezhë . Studioi në disa fusha si në teologji, letërsi, filozofi dhe përvetësoi mjaft mirë gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, gjermanisht, latinisht dhe greqishte e vjetër.

Më 14.12.1946 u arrestua dhe dënohet me tre vjet burg,në moshën 22 vjeç. Nga viti 1949-1951 merret me numizmatikë në Muzeun e Shkodrës.Më vonë do të shërbej si meshtar i Dukagjinit për rreth 12 vjet. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si në Spaç, Reps, Ballsh, Skrofotinë të Vlorës, Zejmen-Shën Koll, Shën Vasil dhe Tiranë.

Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet të kontribuojë në lëmin e kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve.

Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën “Hylli i Dritës”.

Ai shkruan dhe boton triologjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”,“Erazmo Balneo”, “Saga e Fëmijnisë”,“Frati i pashallarëve Bushatlli”.

Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë ishte dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi përgjatë viteve të komunizmit, si edhe përpjekja për gjetjen e eshtrave të At Gjergj Fishtës.

Në vitin 2006, u dekorua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Po në atë vit mori çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në, Romë, Itali dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Shënim: Data e lindjes i mbeti 7 prill ngaqë pat një rivendosje prej gjykatës civile mbasi doli për herë të parë nga burgu dhe nuk morën parasysh as datën e lindjes që pasqyrohej në regjistra shkollor, e as atë të shënuar në burg (që ishte tjetër). Ka dokumente ku figuron datëlindja në muajin gusht.

“Komunizmi e demokracia janë krejt dy shejtana të kundërt”

“— Kurrgjâ nuk po na thue Pater Gjon, — tha persëri plaku. — Komunizmi e demokracia janë krejt dy shejtana të kundërt dhe nuk mund aviten kurr bashkë. Hori e pasaniku jeton veç me fitue, ndërsa komunizmi asht si ai djalli që kur rrin pa punë çohet e rrahë e mbytë femijët e vet. Mjerisht ne na ka perfshî ky e na do të vuejm deri te na lshojë. Ky nuk na lshon, por deri të vijë nji tjetër me e hjekë qafet…”

Atë Zef Pllumi, “Rrno për me tregue”

Rrno vetëm për me tregue është një libër i At Zef Pllumit i botuar në Tiranë në vitin 2001 nga shtëpia botuese Hylli i Dritës. Titulli në fjalë është vëllimi i tretë i Rrno vetëm për me tregue. Vëllimi i parë është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997. Redaktori i librit, sikundër edhe në dy vëllimet e para, është Aurel Plasari.

“Hylli i Dritës”, revista e themeluar nga At Gjergj Fishta dhe e ringjallur nga At Zef Pllumi (FOTO)

“Hylli i Dritës”, revistë kulturore – letrare, u themelua nga Át Gjergj Fishta, në vitin 1913, pikërisht në kohën e pavarësisë kombëtare, kur shtetit të ri, duhej t’ i jepej shpirt dhe orientim, përcjell KultPlus.

“Dijetarët dhe patriotët e bashkuar rreth idesë së kësaj reviste, punonin me shumë dashuri e përkushtim për një përlindje shpirtërore e kulturore. Punonin që shtetit t’i jepej shpirt dhe orientim të qartë perëndimor. Prej asaj kohe, revista luajti rol të jashtëzakonshëm në formimin kulturor të Shqipërisë, duke u bërë një lloj institucioni, që arriti t’ i bashkoi mendjet më të ndritura të kohës, rreth idesë së emancipimit kulturor dhe lartësimit kombëtar”, shkruan Ndue Ukaj në një postim të tij në Facebook, pasi ka marrë në dorë numrin e fundit të kësaj reviste.

Át Zef Pllumi, i cili e ringjalli “Hyllin e Dritës” pas disa dekadave, e quajti atë “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.”

Kjo revistë, lindi “nëper ag të qytetnisë së Shqypnisë”, dhe u bë shenja më domethënëse e qytetnisë dhe kulturës kombëtare.
“Revista vazhdon edhe sot të botohet nga Provinca Françeskane e Shqipërisë. Ky është numri i fundit”, përfundon Ukaj./ KultPlus.com

Fjalët e Ismail Kadaresë për librin e At Zef Pllumit

Vepra “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi ka marrë kritikat letrare të nevojshme, por edhe bekimin e plot njerëzve si libër që duhet lexuar për ta kuptuar jetën e priftit shqiptar në një kohë tjetër për shqiptarët.

Frati françeskan dhe një publicist e shkrimtar i palodhshëm, At Zef Pllumi na e la këtë libër si dëshmi që jetoi dhe dha kontribut në disa fusha.

Vëllimi i parë i librit është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997. Redaktori i librit, sikundër edhe në dy vëllimet e para, është Aurel Plasari.

Në mesin e njerëzve që e vlerësuan librin dhe thanë fjalët më të mira për të, ishte edhe Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar.

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.
Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.”

Kujtimet e Pllumit, dhe të disa emrave të tjerë që i kanë kaluar ato rrathë ferri, janë beteja më e ashpër kundër dinakërisë së një pjese të shoqërisë që është përpjekur për të harruar të shkuarën – një e harruar që i krijon hapësirë vetëm atyre që kanë mbështetur atë përbindësh e që nuk duan për asnjë çast që t’i zbathet e shkuara. Duke sjellë përmes një rrëfimi shumëçka që ka ndodhur me të dhe shumë persona rreth tij, e sidomos në burgjet shqiptare, At Zef Pllumi ka ngritur pikëpyetjen e drejtpërdrejtë mbi atë çfarë duhet bërë me të shkuarën e prindërve dhe gjyshërve tanë. / KultPlus.com

“Ky popull, edhe me i shtie opangën në gojë nuk flet…”

Një intervistë e dikurshme e At Zef Pllumit është ajo çka i duhet për të reflektuar sot popullit shqiptar kudo.

Intervista është bërë në vitin 2005 dhe Pllumi është i shqetësuar për faktin se Kisha Katolike ka rënë në duart e të huajve.

82-vjeçari e quan veten të pafuqishëm për të ndikuar në përmirësimin e gjërave, në përgjithësi në shoqërinë shqiptare.

“Unë jam në moshë të thyeme dhe mund të thonë ‘ky asht i marrë’. Ama, kur ato që unë them nuk u pëlqejnë, më quajnë të marrë, kur u kanë pëlqye, thonë ‘ky di shumë’. Por tani që puna ka përfundue, mendimi em ndoshta nuk zen vend. Ne jemë nji popull që kemë kalua një diktaturë shumë të vështirë. Por, para kësaj diktature, përveç një periudhe shumë të shkurtë lirie, kemë kalue nji robni 500-vjeçare. Në këtë mënyrë, ky popull asht mësue që, edhe me i shtie opangën në gojë, nuk flet, as bërtet. Këtu nuk jam dakord me popullin tem”.

Kjo intervistë e ndjerë e At Zef Pllumit vjen në kohën e një dëshpërimi të përgjithshëm në opinionin publik dhe duket si një ‘gjamë’.

Vetë At Zef Pllumi në librin e tij ‘Rrno për me tregue’ ka treguar me kaq pasion se si e përjetoi ‘gjamën e fundit’ në Malësi, pak pasi regjimi komunist kishte vendosur ndalimin.

Zef Pllumi ishte frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane. shte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg, dënim që vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Me t’u liruar shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës. / KultPlus.com

Hapet ekspozita me dorëshkrimet dhe gjërat personale të At’ Zef Pllumit në BKK (FOTO)

Në dhjetë vjetorin e ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit, veprimtaria e tij është e shtrirë në një ekspozitë e cila u hap sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Provinca Françeskane Shqiptare organizuan këtë ekspozitë me dorëshkrime dhe gjëra personale të Át Zef Pllumit, Át Shtjefën Gjeçovit dhe Gjergj Fishtës.

Në hollin e Bibliotekës Kombëtare kishin zënë vend dorëshkrimet e tij të shkruara në mënyrë klasike përmes lapsit , brenda kësaj ekspozitë gjendej edhe Bibla e tij personale dhe disa nga dorëshkrimet e veprës “Rrno për më tregue”. Po ashtu në mes të kësaj ekspozite ndodheshin tre shkopinjtë e Át Zef Pllumit, Át Shtjefën Gjeçovit dhe Gjergj Fishtës, dhe shumë pranë tyre maska mortore e At’ Gjergj Fishtës.

Akademiku Sabri Hamiti, e quajti Pllumin si një misionar të humanizmit, dhe jo vetëm i besimit dhe i kulturës.

“Ky takim dhe takimet e tjera dëshmojnë se mirënjohja jonë për Zefin, ekziston andaj dhe mirënjohja jonë për Zefin sot është ta lexojmë veprën e tij. Botimet françeskane kanë bërë një punë mirënjohjes sepse i kanë botuar librat e tij, bile në një libër kanë botuar edhe një dorëshkrim të tij”, ka thënë Hamiti në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite.

Prirësi katolik në Kosovë, Don Lush Gjergji tha se e gjithë veprimtaria e Zefit përmblidhet në dy shtylla të besimit të krishterë, që janë e vërteta dhe dashuria që aftësojnë dhe dhurojnë vlerën më të madhe për falje dhe pajtim.
“At’ Zef Pllumbi është një histori e gjallë dhe tronditëse e tmerrit dhe ferrit shqiptar që pa dorëza dëshmoi dhe tregoi ideologjinë komuniste dhe ateiste. Kjo histori dhe dëshmi ka edhe një anë tjetër ku vjen edhe vuajtja, qëndresa, pafajësia, shpresa, duresa stoicizmi i besimit të krishterë deri të ngadhënjimi, paqja, liria demokracia që përmblidhen në kryeveprën e tij që përmblidhen në veprën “Rrrno për me tregue”.

Kjo ishte ekspozita e cila u hap sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, dhe do të vazhdoj të qëndroj e hapur përgjatë 1 jave./ KultPlus.com

Ekspozohen letrat e rralla dhe sendet personale të At’ Fishtës e At’ Pllumit (FOTO)

Dorëshkrimet, botimet, sendet personale të At Gjergj Fishta dhe At Zef Pllumi u ekspozuan për publikun e gjerë në katedralen e Shën Palit.

Nuk është i rastësishëm takimi i dy françeskanëve në këtë ekspozitë. At Zef Pllumbi ka ruajtur një sërë dorëshkrimesh dhe sende personale të at Fishtës të cilat sot janë pjesë e pasurisë kombëtare dhe bibliotekave françeskane.

I tillë është dorëshkrimi i Fishtës Juda Makabre i ruajtur nga At Zef Pllumbi, botimi origjinal i Lahutës së Malësisë që i parkete dy shtatorit 1939, dy bastunët personal të françeskanëve, dhe maska mortore e Gjegj Fishtës.

At Zef Pllumi ka dorëshkrimet dhe kujtimet gjatë kohës së internimit dhe vuajtjes së dënimit për më shumë se 20 vjet. Ai është një nga figurat e qëndresës nën diktaturë dhe mendimit të përparuar shqip. Kreu i Kishës Katolike, ipeshkv i dioqezës Tiranë-Durrës George Frendo u shpreh i lumtur që kjo pasuri letrare u ekspozuan për besimtarët katolik dhe për të gjithë qytetarët.

George Frendo: Këtu janë shkrimet e At Gjergj Fishtës që i kishte ruajtur vetë padër At Zef Pllumbi, at Hanton Arapi.

Klerikët thonë se At Zef Pllumi, është një ndër figurat e ndritura të njeriut që “Rrnojti për me tregue” dhe dëshmoi para Zotit dhe gjithë brezave vuajtjet gjatë diktaturës, djegien e Kishave, tentativat e shfarosjes së besimit dhe mënyrës se si trajtoheshin barbarisht besimtarët, pjesë më e madhe e tyre të shpallur martirë.

Në botimet voluminoze “Rrno me tregue: At Zef Pllumi shkruan “Unë tanë jetën e kam kalue në burg, por mendimtár i lír. Ta mendojmë vedin zogj të lirë e fluturojmë ku të duem…”./KultPlus.com