Autoriteti i Dosjeve: Fati i themeluesve të shtetit shqiptar

Autoriteti i Dosjeve ndau sot, në rrjetet sociale, të dhëna mbi fatin e themeluesve të shtetit shqiptar. Firmëtarët e Pavarësisë të cilët nënshkruan lirinë, përjetuan dhunën dhe persekutimin më të egër.

Edhe ata që kishin ndërruar jetë para vendosjes së regjimit, familjet dhe pasardhësit e tyre pësuan rëndë; disa u vranë, të tjerë u internuan, ndërsa një pjesë u zhdukën nga kujtesa historike për shkak të propagandës komuniste.

Fatet tragjike të disa firmëtarëve dhe pasardhësve të tyre:

Shefqet Daiu, delegat i Elbasanit dhe autor i Deklaratës së Pavarësisë, u burgos, torturua dhe u ekzekutua nga regjimi komunist në vitin 1946.

Lef Nosi, ruajtësi i Aktit të Pavarësisë, u pushkatua më 20 shkurt 1946.

Qazim Kokoshi, firmëtar i Vlorës, që i mbijetoi Gestapos, vdiq nga torturat në hetuesinë komuniste në vitin 1947.

Sami Vrioni, një tjetër firmëtar, u burgos dhe vdiq në burg në vitin 1947.

Bedri Pejani, arrestuar nga regjimi shqiptar dhe i dorëzuar serbëve, u pushkatua në vitin 1948.

Zini Abaz Kanina, i burgosur në vitin 1951, torturuar për një vit dhe dënuar me burg, vdiq menjëherë pas lirimit.

Aristidh Ruçi, arrestuar si tregtar i madh, u la në varfëri të skajshme pas lirimit nga burgu. Vdiq më 11 prill 1950, ndërsa shtypi i kohës e la vdekjen e tij në hije.

Ferit Bej Vokopola, i burgosur nga regjimi, përktheu Kur’anin dhe iu përkushtua punës intelektuale pas lirimit. Ai vdiq në vitin 1969, duke vuajtur nga përbuzja dhe mjediset represive të kohës.

Disa figura të tjera si Dervish Biçaku, Dhimitër Berati, Eqerem Bej Vlora, Mustafa Kruja, Mit’hat Frashëri dhe Rexhep Mitrovica u detyruan të emigronin për t’i shpëtuar persekutimit. Ata u shpallën “kriminelë lufte” nga regjimi, pavarësisht kontributit të tyre të jashtëzakonshëm në ndërtimin e shtetit shqiptar.

Siç paralajmërojnë studiuesit e totalitarizmave, regjimet shtypëse jo vetëm që shkatërrojnë jetët e individëve, por edhe synojnë të zhdukin kujtesën dhe kontributin e tyre./atsh/KultPlus.com

Autoriteti i Dosjeve organizon ekspozitën me të arratisurit e diktaturës së Hoxhës

Ditën e nesërme, me 8 maj në orën 11:00, Autoriteti i Dosjeve organizon nje aktivitet për arratisjet dhe vrasjet në kufi. Kjo ekspozitë me dokumente arkivore paraqet “Shkelësit e kufirit” në Korçë, Ersekë dhe Pogradec.

Bëhet fjalë për ngjarjet gjatë viteve ’44-’91. Më 8 maj 1990, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi ndryshimin në Kodin Penal, sipas të cilit kalimi i kufijve nuk përbënte më tradhti ndaj atdheut. Pavarësisht këtij ndryshimi, persona të pafajshëm janë vrarë nga forcat kufirit edhe përgjatë vitit 1990.

Po në këtë ditë, si çdo 8 maj, Evropa kremtonte gjerësisht në kontinent fitoren mbi nazizmin dhe totalitarizmin, por Shqipëria, 45 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ende dëshmonte se tentativat për arratisje vijonin të rezultonin fatkeqe.

Në këtë kuadër, Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të shtetit organizon aktivitetin përkujtimor mbi përpjekjet e shqiptarëve për të kaluar kufirin në territorin Pogradec-Korçë-Ersekë, në të cilat shumë prej tyre mbeten të vdekur, të tjerë u arrestuan dhe vuajtën dënime të gjata./tema/KultPlus.com